Kur mbytësi në lum kapet për një fije kashte, siç po bënë Isa Mustafa, fundosjen në llumin e historisë e ka të sigurt..!?

Opinione

Kur mbytësi në lum kapet për një fije kashte, siç po bënë Isa Mustafa, fundosjen në llumin e historisë e ka të sigurt..!?

Nga: Rexhep Elezaj Më: 6 tetor 2020 Në ora: 20:27
Rexhep Elezaj

Në shkrimin e gazetarit, Besnik Veliu, me titull; “Mustafa i shkon deri në fund: Vjosa është kopje e Kurtit, na i humbi zgjedhjet”, botuar sot (06/10/2020) në gazetën Express, duke iu përgjigjur kritikave të znj. Vjosa Osmani ndaj tij dhe LDK-së, të cilën kreu i kësaj partie para disa javësh e kishte shkarkuar nga pozita e nënkryetares së LDK-së, e më pas e kishte dëbuar edhe nga partia në të cilën Vjosa është rritur dhe kalitur si “rugoviste” e denjë, ku ndër të tjera edhe e akuzon për humbjen e LDK-së në zgjedhjet e 6 tetorit 2019.

Mbase, në citatin e më poshtëm Isa Mustafa, kritikave të znj. Vjosa Osmani iu kishte përgjigjur, ndër të tjera, se “nuk është përdhosur vullneti i qytetarëve i 6 tetorit të vitit të kaluar, por është përdhosur vullneti i atyre që kanë garuar dhe janë mbështetur nga LDK-ja, kurse kanë mbajtur dhe mbajnë anën e partive tjera, që s’kanë asgjë të përbashkët me LDK-në dhe me frymën rugoviane, po dëshmohen se janë e kundërta e kësaj fryme”, që ky citat e vërteton katërçipërisht atë thënien popullore, “se kur i mbyturi në lum kapet për një fije kashte për të shpëtuar jetën” vdekjen e ka të sigurt..!?

Sepse, me dëbimin e trupshëm dhe të dhunshëm të Vjosa Osmanit nga LDK-ja, vetëm se ajo ishte figura qendrore politike e saj, dhe e cila mori më së shumti vota nga elektorati, duke ia rritur kështu LDK-së përqindjen e fitores në zgjedhjet e para një viti, për gati më shumë se 5%-ind, del se xhelozia dhe frika e tij kanë qenë shkaku kryesor për dëbimin e saj, se mos Vjosa Osmani po ua merr nga dora partinë Isa Mustafa bashkë me servilët e tipit të Avdullah Hotit, Driton Selmanajt, etj., të cilën brutalisht po vazhdojnë ta denigrojnë dhe stigmatizojnë Vjosën, vetëm se ajo bashkë me Albin Kurtin i kishin premtuar popullit dhe elektoratit shqiptar ndryshime të reja politike në Kosovë!

Nuk është e vërtetë se LDK-ja ka qenë 6 % para Lëvizjes Vetëvendosje para se të hynte në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, por ishte 2% pas LVV-je sipas sondazheve, dhe ky ishte shkaku pse e kishin emëruar znj. V. Osmani kandidate për kryeministre, sepse ishin të sigurt se vetëm me Vjosën, në mos se nuk do i fitonin zgjedhjet, atëherë me siguri do ta siguronin vendin e dytë, ashtu edhe siç ndodhi. Përndryshe, pa Vjosën si kandidate për kryeministre, LDK-ja do dilte si partia e tretë fituese në ato zgjedhje dhe kjo do ishte barazi me katarsis politik për I. Mustafën dhe klanin e tij në krye të LDK-së !

Se, “qytetarët kishin vendosur të përkrahin origjinalin e një politike të tillë, Albin Kurtin, dhe jo Vjosa Osmanin si kopje”, siç thotë I. M. në këtë shkrim, është pikërisht kjo deklaratë e tij e cila e zbulon atë çfarë thash më lartë, se kreu i LDK-së e ka pasur të qartë se zgjedhjet do i fitonte Albin Kurti dhe LVV-je, andaj duke e emëruar Vjosa Osmanin kandidate për kryeministre ka qenë i sigurt se me Vjosën do ta mundin Albinin dhe partinë e tij, meqë e ka ditur se ai dhe LVV-je po avanconin para LDK-së për 2%-ind sipas sondazheve para se të mbaheshin zgjedhjet.

Pra, ishte ky një manipulim i kulluar me emrin dhe autoritetin e Vjosa Osmanit të cilin elektorati i mençur i saj nuk e gëlltiti, sepse votat e tij ia dhuroi Vjosës e jo partisë së marrë peng nga Isa Mustafa, andaj edhe doli e dyta e jo e para në zgjedhje..!?

Ndërsa, kur Isa Mustafa flet për “mentalitetin e revolucionit demokratik i cili e kalli Shqipërinë në vitin 1997, se Rugova ka qenë demokrat dhe se nuk duhet të lejojmë të kallet Kosova nga neo-revolucionarët tanë të bashkuar, të cilët përveç propagandës dhe shkatërrimeve, përçarjes dhe thirrjes në popullin dhe për popullin, asgjë të mirë nuk i sollën këtij vendi deri më sot”, dëshmon qartë për urrejtjen e tij patologjike që ka ndaj akad. Rexhep Qosjes si dhe hakmarrjen ndaj tij, përmes etiketimit të Vjosa Osmanit si gjoja pro-revolucionare, ngase ajo si kopje e Albinit i cili gjoja ideolog e ka Rexhep Qosjen, na e paska përqafuar ideologjinë majtiste, gjë që fare nuk është e vërtetë..!?

Shikoni sa thellë shkon logjika e mos durimit, urrejtjeve, inateve si dhe ambicieve të sëmura karrieriste tek politikani me ideologji komuniste, të cilat askush më shumë dhe më mbrapsht se Isa Mustafa nuk i ka përshfaqur dhe nuk i ka shpërdoruar në skenën politike në Kosovë për 40 vite rresht qëkur ai është në politikë!

Znj. Vjosa Osmani, ka qenë dhe vazhdon të jetë në anën e popullit si dhe në kahun e duhur të historisë nacionale të Kosovës së lirë dhe të pavarur, gjë të cilën do e dëshmojnë zgjedhjet e ardhshme herë do kurdo që do të mbahen..!  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat