Shihni pak rreth vetes, a jemi bërë të gjithë lakmitarë grabitqarë!

Opinione

Shihni pak rreth vetes, a jemi bërë të gjithë lakmitarë grabitqarë!

Dush Gashi Nga Dush Gashi Më 18 tetor 2020 Në ora: 09:51
Foto ilustrim

1.

Në mediat tona mund të gjesh shumë lajme, për shembull, për sanduiçët e kryeministrit, por, thuaja se askujt nuk i shkoi mendja ta tematizojë e ta problematizojë, së paku jo në më shumë këndvështrime çështjen e zgjedhjes së anëtarëve të rinj të Këshillit prokurorial të Kosovës dhe të prokurorëve të rinj.

Ambasada e ShBA-së në Kosovë, javën e kaluar u tërhoq nga vëzhgimi i këtyre proceseve, për shkak se edhe nuk kishte mbetur rrugë tjetër, deri sa, siç u tha, ato "janë prishur me themel" dhe "u mungon transparenca e u nënshtrohen konflikteve në rritje të interesit". Një ditë më vonë të njëjtën gjë e bëri edhe Zyra e BE-së në Kosovë, ndërsa me herët, e dimë se ka ndodhur të shpërfillen edhe kuadrat për pozita të larta të përzgjedhura nga ambasada britanike, e cila po ashtu po përpiqej të na nxirrte nga llumi i nepotizmit e klientelizmit.

Ka shumë arsye pse kjo çështje nuk do të duhej të kalojë heshturazi. E para, për shkak se, ndonëse nuk ka ditë në të cilën pushtetarët tanë nuk na bëjnë të skuqemi, ky është një turp, të cilin është vështirë ta kapërdijë njeriu normal. Ta pengosh dikë, i cili po përpiqet të ta forcojë shtetin, është tepër mosmirënjohëse; ngjan me veprimin e një të marri, i cili don t'ia fusë flakën shtëpisë së vet dhe, nëse dikush i dela para, ai i përgigjet më ashpërsi: S'ka çka të duhet ty, është shtëpia ime".

Sepse - dhe kjo është një arsye tjetër - drejtësia, apo pushteti gjyqësor, në sistemet demokratike është i barabartë me atë ligjvënës dhe ekzekutiv, dhe formalisht duhet të jetë mbështetje në sigurimin dhe mbrojtjen e kushteve për funksionimin ligjor të shtetit. Për drejtësinë, ndërkaq, duhet të jetë element thelbësor transparenca e zgjedhjes së prokurorëve. Që kjo të ndodhë, është e domosdoshme përzgjedhja e kompetenca. Përndryshe zgjedhjet dhe avancimi shndërrohen në garë të klaneve, lidhjeve e lojalitetit personal. Dhe shtylla e tretë, mbajtëse e ngrehinës së quajtur shtet, nuk mund të qëndrojë.

Në përgjithësi, prokurorët e gjyqtarët i shohim rrallë në media dhe, sikur të mos kishin ndodhur disa afera të rënda të drejtësisë, shpesh do të harronim fare kë e kemi apo edhe a kemi fare kryeprokuror të shtetit. Prandaj, fakti se ky proces megjithatë u kthye në pikën zero nuk do të thotë fare se duhet shqitur vëmendjen prej tij. Përkundrazi. Prokurorët e gjyqtarët meritojnë vëmendje po aq sa pjesëtarët e pushtetit legjislativ dhe atij ekzekutiv. Më shkurt: do të duhej t'ua shohim më shpesh fytyrat (apo surratet) në media.

2.

Ndërsa se drejtësia, së paku për "të mëdhenjtë" është joekzistuese, tashmë kemi njohuri të mjaftueshme. Ma merr mendja se s'mund të ketë vlerësim më negativ për një sistem të drejtësisë sa ky i Betim Musliut për këtë tonën: "Asnjë nga aktakuzat e profilit të lartë, nuk ka arritur të përfundjë me aktgjykim përfundimtar dënues, që do të thotë se politika të gjitha aktakuzat [të dobëta, të pambështeje] i ka ngritur nga prokurorët mercenarë”.

Përndryshe, ndonëse pushtetarët tanë raportin e progresit të Komisionit Evropian e lexojnë duke i kërkuar me llupë fjalët pozitive si i mbyturi fijen e kashtës, ai është mjaft negativ sa i përket drejtësisë, luftimit të krimit, korrupsionit e nepotizmit.

Ndonëse në të mund të gjenden shprehje si është bërë "njëfarë progresi", siç thuhet për shembull për "zbatimin e pjesshëm të legjislacionit që lidhet me sundimin e ligjit, përfshirë Ligjin për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe Ligjin për ndërmjetësim, dhe me avancimin e përdorimit të sistemi elektronik të menaxhimit të rasteve dhe regjistrit qendror të regjistrave penalë". Ndërsa, ajo që do të duhej shqyrtuar me seriozitet është konstatimi se "gjyqësori është akoma i prekshëm nga ndikimi i panevojshëm politik".

Një fjalë e tillë "shpëtimtare" mund të gjendet edhe kur flitet për luftimin e korrupsionit, se "ka njëfare niveli të përgatitjes në luftën kundër korrupsionit". Por, theksi i vërtetë është atje ku thuhet se "korrupsioni është i përhapur dhe mbetet një çështje shqetësuese serioze. Ekziston nevoja për një vullnet të fortë politik për të adresuar në mënyrë efektive çështjet e korrupsionit, si dhe një përgjigje të fuqishme të drejtësisë penale ndaj korrupsionit të nivelit të lartë".

Fjala "progres" përmendet edhe në pjesën rreth luftës kundër kriminalitetit dhe terrorizmit. Por, edhe këtu qëndron konstatimi se "nevojiten masa për të siguruar në mënyrë rigoroze se nuk ka ndërhyrje politike në veprimtaritë operacionale të organeve të zbatimit të ligjit dhe ndjekje penale". Pastaj është serioze vërejtja se "autoritetet e Kosovës duhet të jenë më efektive në punën e tyre dhe përpjekjet për të luftuar pastrimin e parave dhe se ligji përkatës duhet të sillet në përputhje me acquis-in e BE-së dhe standardet ndërkombëtare". Të mos harrojmë se fjala "korrupsion" në raport përmendet plot 88 herë.

Për fat të keq, e dimë ka edhe raste të kundërta, të përdorimit të organeve të shtetit për qërime hesapesh politike, karakteristikë tipike kjo e regjimeve autoritare.

3.

Më e rëndësishmja është të kuptohet se cilat janë manifestimet e mungesës së drejtësisë, korrupsionit, nepotizimit e klientelizmit në përgjithësi në shoqëri.

Josip Kregar, një profesor shumë i çmuar kroat, tashmë i ndjerë, ka shkruar:

"Nepotizmi nuk mund të shpjegohet si fenomen i marrëdhënieve familjare, klientelizmi nuk është thjesht një fenomen i urryer i dorëzimit ndaj të fuqishmëve dhe kërkimit të mbrojtjes dhe patronazhit. Janë këto pasoja të një sistemi në të cilin devijimet e ekonomisë, politikës dhe kulturës ndërthuren me lidhje sistemore dhe me sistemin të cilin është gabim ta quash kapitalizëm, e paqëlluar ta përshkruash si demokraci, në të cilin sundimi i ligjit është vetëm kulisë, në të cilin patronizmi dhe provincializmi janë dominues në kulturë, ndërsa lakmia grabitqare si karakteristikë të personalitetit.

Shihni pak përreth vetes, a jemi bërë të gjithë lakmitarë grabitqarë!

Herbert Marcuse, një filozof tashmë i harruar, vë në dukje se, sipas Freudit, civilizimi mbështetet në frenimin e instikteve njerëzore, përkatësisht heqja dorë dhe shtyrja e kënaqësisë janë parakushte për përparimin. Me një fjalë, më parë duhet të mësosh e të punosh, pastaj t'i shijosh frytet e përpjekjeve tua.

Pa hyrë në kontekstin filozofik në të cilin e përmend këtë Marcuse (meqë ra fjala, ai e sheh si të mundshëm civilizimin jorepresiv, në një shkallë më të lartë të vetëdijes), më duket se, me lakminë e pushtetarëve tanë - e sjelljen e tyre e imitojnë edhe plebenjtë, apo thjesht krijohet sistemi prej të cilit nuk mund të shpëtojë askush pa u sjellë si ata - jo vetëm që marrim vlerësim negativ nga Komisioni evropian, por kemi bërë prapakthim edhe në civilizim, në këtë civilizim çfarë e njohim deri tash!

4.

Po e lexoj për herë të parë Knut Hamsunin, romanin "Uria", pakashumë biografik, i cili na e shpalos përvojën e njeriut i cili s'ka për të ngrënë. Një natë e ka bërë në mal, i mbështjellë vetëm me një batanije. Të nesermen s'ka çfarë të hajë. Kah muzgu, i shkon mendja ta lërë peng batanijen te një fajdexhi dhe të fitojë para, siç thotë, sa për të hëngër tri herë bukë. Por, batanija nuk është e tij, prandaj i reziston kësaj ideje. Dhe thotë:

"Sapo largohesha bëhesha gjithnjë e më i lumtur pse i rezistova kësaj sfide të vështirë. Vetëdija se përsëri jam i ndershëm më vërshoi përsëri në kokë, me mbushi me njëfarë ndjenjeje krenarie se jam njeri me karakter të fortë, se jam kullë e bardhë fanari mbi detin e trazuar njerëzor, nëpër të cilin lundrojnë mbeturinat e anijeve të thyera. Të lësh peng pronën e tjetrit për shkak të një dreke, të hash e të pish duke gjykuar veten - kurrë! Kurrë! Këtë nuk mund ta mendoj seriozisht, kjo pothuajse as që më ka shkuar në mend; në të vërtetë nuk mund të mbahet përgjegjës njeriu për mendime që i fluturojnë papritur, sidomos kur koka të dhemb tmerrësisht dhe lodhesh gati për vdekje duke bartur një batanije e cila i përket dikujt tjetër."

Knut Hamsunin, i cili në vitin 1920 e ka marrë çmimin Nobel për letërsi, norvegjezët e kanë konsideruar si vlerë kombëtare. Por, pasi që e ka përkrahur fashizmin, shtëpia i është mbushur me pako librash, të cilat ia kanë kthyer lexuesit e zhgënjyer dhe vitet e fundit të jetës së tij i ka kaluar në vetmi. Më vonë e kanë parë se librat e tij i përshkon vërtetësi e sinqertë e njerëzillëk dhe sërish e kanë përqafuar, duke menduar se librat kanë jetën e tyre të pavarur, pavarësisht krijuesit të tyre.

Por, mos ta harrojmë citimin e mësipërm, thua se si i porositur për këto preokupime për lakminë njerëzore. Madje, gati se s'ka nevojë as të thuhet se ndoshta as që mund të ketë një perspektivë më të mirë se kjo, për të kuptuar se lakmia është ndjenjë shkatrrimtare. Si kjo e jona, që duket se do të na e përpijë edhe dheun nën këmbë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat