Pandemia Covid19: 10% të të infektuarve përgjegjës për përhapjen e 80% të infeksioneve pasuese

Opinione

Pandemia Covid19: 10% të të infektuarve përgjegjës për përhapjen e 80% të infeksioneve pasuese

Nga: Prof. Asoc. Dr. Ilir Q. Tolaj Më: 18 tetor 2020 Në ora: 11:09
Prof. Asoc. Dr. Ilir Q. Tolaj

Në kulmin e valës së dytë të Covid 19 në Europë, e në prag të saj në Kosovë, njohuritë e reja për pandeminë kanë vënë në pah rëndësinë më të madhe të mënyrës së shpërndarjes së rasteve me Covid 19 në masë, që po shënohet si faktori C (ang. C – cluster, shqip – grumbull, tufë), sesa faktori R, faktori reprodukues, që tregon se sa persona të tjerë mund ti infektojë një person tashmë i infektuar me SARS Cov 2, shkaktarin e Covid 19. Faktori R deri tash është konsideruar si faktor vendimtar në vlerësimin e përhapjes së pandemisë.

E shpjeguar në mënyrë të thjeshtë, kur vlera e faktorit C është 1, kjo tregon se shpërndarja e virusit në popullatë është e njëtrajtshme, ngjashëm më virusin e influenzës (gripit sezonal); ndërsa, ku r vlera e këtij faktori është më e vogël se 1, atëherë kjo tregon se infeksioni përhapet në grumbuj (cluster). Shkolla për higjienë dhë sëmundje tropikale në Londër, me studimet e veta, ka përcaktuar se faktori C për Covid 19 është vetëm 0.1. Kjo e dhënë flet për një rrethanë të plotësisht të re, sa i përket përhapjes së rasteve më Covid 19. Në rastin konkret, të dhënat flasin se 10% të të infektuarve janë përgjegjës për 80% të infeksioneve të tjera. Në përfundime të ngjashme kanë ardhur edhe studiuesit e Spitalit Charite në Berlin; se 20% të të infektuarve janë përgjegjës për 80% të infeksioneve pasuese.

Këto njohuri janë shumë të rëndësishme, kur është fjala për strategjitë e mbajtjes në kontroll të pandemisë. Strtegjitë e deritashme, të bazuara në faktorin R, kanë pasur për qëllim që të zbulohet çdo rast i infektuar dhe çdo kontakt i tij, që më pastaj duke i izoluar të njejtit të ndërpritet përhapja e infeksionit. Kjo mënyrë e luftës kundër pandemisë së Covid 19, është treguar e pasuksesshme; ndërsa njohuritë e reja po tregojnë se madje është edhe e panevojshme. Sipas këtyre njohurive, shumica e njerëzve të infektuar me Covid 19, nuk do ta përcjellin infeksionin në personat tjerë.

Çasja e re në luftën kundër pandemisë është që, në vend të përpjekjeve të pasuksesshme për ti zbuluar këta 10% të “superbacilbartësve” ti kufizojmë ambientet në të cilat këta “superbacilbartës” mund të qëndrojnë për kohën e mjaftuar për ti infektuar 80% të rasteve të reja më Covid 19.

Për të ndodhur një “cluster”, dmth një grumbull njerëzish të infektuar, duhet të plotësohen disa parakushte; që “superbacilbartësi” të jetë në një mes të mbyllur dhe të paventiluar përplot me njerëz, për një kohë të mjaftueshme  për kontaktin e tij me personat e painfektuar në atë hapësirë. Për ta parandaluar një “cluster” duhet pamundësuar një skenar të tillë.

Në kohën kur autoritetet e Kosovës po i analizojnë masat që duhet ndërmarrë, në mënyrë që të jenë të efektshëm dhe njëkohësisht  të mos shkaktojnë dëme edhe më të mëdha në jetën e njerëzve, atëherë duhet të mbështeten në këto njohuri të reja. Nga IKSHP me siguri që nuk do t’ju vijnë informata të tilla të dobishme; e as rekomandime të vlefshme. Ky institucion po merret vetëm me numërimin e rasteve të reja të infeksioneve dhe atyre që përfundojnë me vdekje. Madje edhe këto shifra nuk janë të sakta.

Popullatës duhet shpjeguar arsyet e masave të ndërmarra, në mënyrë që ato të pranohen. Ndërsa masat duhet të jenë të thjeshta, të logjikshme dhe lehtë të kuptueshme. Bartja e maskave në ambientin e hapur është një prej masave të pa arsyeshme që në syrin e mendjen e njeriut të rëndomtë i bënë të dyshimta edhe masat tjera. Ashtu siç është reduktimi i shërbimeve në SHSKUK në kufinjë të mbylljes, derisa spitalet e klinikat private po punojnë me kapacitete të plota.

Suksesi i betejës  e kundër pandemisë Covid 19 nuk matet vetëm me numrin e rasteve  të reja Covid 19, por edhe me kualitetin e shëndetit e jetës që ju sigurohet popullatës së gjerë, me mundësitë për të punuar dhe për të fituar, për tu edukuar e për tu argëtuar, gjithashtu.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat