Unë jam Ambasadori shqiptar i Kosovës në Paris

Opinione

Unë jam Ambasadori shqiptar i Kosovës në Paris

Nga: Rexhep Shahu Më: 21 tetor 2020 Në ora: 10:20
Rexhep Shahu

Një kafshë kriminele me pamje njeriu në Paris, ia heq kokën një mësuesi francez pse ky ka folur për karikaturat që i janë bërë dhe publikuar profetit Muhamed. Ky lajm i kobshëm i zi është botuar në një gazetë franceze mbi një shekullore dhe është tronditur e sensibilizuar gjithë opinioni.

Ambasadori i Kosovës në Paris të Francës, e jo në Iran apo në ndonjë vend arab, ku rritja e injorancës është biznes shtetëror e fisnor, është trondit si çdo qenie njerëzore e ndërgjegjshme, e civilizuar dhe kulturuar, që një kafshë me formë njeriu ka bërë këtë krim çnjerëzor dhe ambasadori si çdo qytetar evropian e ka shpërndarë lajmin e kësaj gazete franceze në rrjetin e tij. Në Prishtinë nuk dënohet krimi i kafshës me pamje njeriu, siç do të bënte gjithë bota e civilizuar, por dënohet ambasadori pse e ka shpërndarë lajmin e gazetës, nuk dënohet krimineli por lajmësi.

Në Prishtinë ku ende janë të freskëta pamjet e shqiptarëve pa koka, që ua hiqnin kokat kafshët serbe me pamje njeriu... Në Prishtinë më shumë u dhemb për karikaturat e profetit Muhamed se sa për jetën e një mësuesi. E duan profetin më shumë se do profeti veten... Po të ishte gjallë profeti Muhamed këta ithtarët e tij në Prishtinë do t’i shfaroste për mungesën e të njerëzishmes. Karikaturat e profetit janë shaka, prerja e kokës së mësuesit të Francës nuk është shaka, është prerja e kokës së të ardhmes... Siç nuk ishte shaka prerja e kokave të shqiptarëve prej serbëve. Ata që kërkojnë shkarkimin apo dënimin e ambasadorit të Kosovës duan të dalin më profet se profeti vet.

Ata që nuk flasin për prerjen e kokës së mësuesit të Francës por për ambasadorin shqiptar në Prishtinë harrojnë me dashje se qytetarë si francezët e evropianët, amerikanët, ua hoqën armët e thikat nga duart kriminelëve serbë para dy dekadash dhe mundësuan kthimin në Kosovë në tokën e premtuar prej Zotit të shqiptarëve të dëbuar. Amerikanët dhe evropianët tolerojnë gjithçka por për vlerat e lirisë dhe të drejtat njerëzore ata bënë luftë për hatër të shqiptarëve për lirinë e të drejtat njerëzore të shqiptarëve. Nëse harrojmë luftën e euro-amerikanëve dhe sillemi si talebanë në një tokë për lirinë e të cilës ka luftuar Evropa e Amerika, ne heqim kokën e të ardhmes tonë. Profeti Muhamed është me mësuesin francez.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat