Isa Mustafa, është servijuesi kryesor i sistemit të vjedhjeve dhe diktaturës politike në Kosovë...!?

Opinione

Isa Mustafa, është servijuesi kryesor i sistemit të vjedhjeve dhe diktaturës politike në Kosovë...!?

Nga: Rexhep Elezaj Më: 23 tetor 2020 Në ora: 13:24
Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi

Po i shkojmë radhazi;

Isa Mustafa, për 10 vite sa ishte ministër i financave në qeverinë “Bukoshi” në ekzil, edhe pse me nënshkrim të tij qeveria e kishte bërë obligim pagesën e 3%-shit për gjithë qytetarët dhe mërgimtarët e Kosovës, ai kurrë nuk e ka paguar atë nga rroga e tij e majme,

Isa Mustafa, nuk ka paguar nga të ardhurat e tij as 2000 marka, “Gjithçka për pavarësinë e Kosovës”, siç kemi paguar ne të gjithë mërgimtarët e punësuar atë shumë markash, ani pse ky aksion i qeverisë në exil ishte bërë me vendim të saj, ku ai ishte pajtuar si ministër për këtë aksion hua-marrës, të quajtur kështu nga ish qeveria “Bukoshi”, por që sot e asaj dite askujt nuk i janë kthyer ato 2000 marka..!?

Isa Mustafa, kurrë nuk e ka paguar asnjë markë gjermane nga rroga e tij për aksionet e ndërmarra në diasporë para dhe gjatë luftës, 1990-99, siç ishin; “Ndihmë për Drenicën”, “Ndihmë për shkollën shqipe në Kosovë”, por as për aksionin, “Fshati armatos fshatin”, as për aksionin, “Ta ndihmojmë familjen Jasharaj”, meqë rast janë tubuar dhe dërguar në Kosovë me miliona marka, etj.,

Isa Mustafa, financiarisht e ka bojkotuar LDK-në Kosovë dhe në Gjermani, si dhe Presidencën, duke mos ia paguar shpenzimet për shërbime të shumta komunale, siç ishin lobimi për pavarësi, pagesa e telefonave, mirëmbajtjes shtëpiake, udhëtimet zyrtare të presidentit dhe bashkëpunëtorëve të tij jashtë Kosovës, etj., duke e lënë me dhjetëra orë me pritë nëpër aeroportet ndërkombëtare,

Isa Mustafa, nuk ka pranuar me e paguar faturën prej 114.000 markave gjermane për shpenzimet e telefonit të kol. Tahir Zemajt, të cilin ai e ka përdorë gjatë kohës së luftës në Kosovë, dhe për këtë kemi fakte të gjalla, ndërsa ky i njëjti qëkur u bë kryetar i LDK-së me puç ndaj “mikut” të tij Fatmir Sejdiut, për çdo vit shkon dhe përulët para lapidarit të Tahir Zemjat, duke mos iu skuqur fare fytyra e tij prej komunisti, derisa të njëjtit ka refuzuar t’ia paguaj shpenzimet e telefonit, të cilët Dega e LDK-së në Gjermani ua kishte blerë shtatë komunave në Kosovë nga paratë e anëtarësisë dhe udhëheqësve e ushtarak, në vlerë prej 140.000 markash gjermane,

Isa Mustafa, me të përfunduar lufta, dhe para se të kthehej në Kosovë ka deklaruar vetë publikisht në një emision televiziv (shiko You Tube) se nga Fondi i Republikës së Kosovës i trepërqindshit (3%) kanë tepruar 50 milion euro, pa e llogaritur kapitalin e “Dardania Bankës” në Tiranë, shtëpitë e qeverisë në Weissenhorn të Gjermanisë, që siç dihet aty ishin diku 10 milion euro të deponuara, dhe e cila siç dihet është shitur dhe të gjitha ato mjete Isa bashkë me Bujar Bukoshin i kanë transferuar në një Fond privat të cilin e kishin hapur pas luftës në Prishtinë, i ashtuquajtur UFORK. Pra, ishin diku mbi 60 milion euro, fati e të cilave nuk dihet sot e kësaj dite, përveç atyre 18 milion eurove që i kanë dhënë për ndërtimin e fshatit Ndërkombëtarë afër Mitrovicës. Për shumën e mbetur asnjëherë I. Mustafa dhe B. Bukoshi nuk kanë dhënë llogari para Kuvendit të Kosovës, gjë që ka nxitur dyshimin, sidomos tek mërgimtarët për keqpërdorimin e mundshëm të shumave të mbetura nga ky fond privat..!?

Kështu që, ne, një grup mërgimtarësh në Gjermani, duke dyshuar deri në fund se mjetet financiare të tubuara nga krejt mërgata jonë në Evropë dhe botë, pra shumat e tepruara prej diku mbi 50 milion euro, pa llogaritur këto milionat e eurove që Isa dhe Bukoshi ia kishin dhënë si dhuratë Xhavit Halitit gjatë kohës së luftës çlirimtare, herë 4, herë 3, herë 8 milion marka, për gjoja UÇK-në dhe nevojat e luftës, etj., në vitin 2012 kemi ngritur aktpadi tek organet gjermane, me qëllim të verifikimit se a mos ka pasur keqpërdorim të gjitha atyre miliona markave, frankave zvicerane, dollarëve amerikan, etj, të grumbulluara në Fondin e trepërqindshit (3%), lëndë të cilën organet e drejtësisë gjermane e kanë përcjellë tek EULEX-i në Prishtinë,  e i cili më pas ia ka dorëzuar Prokurorisë speciale të Kosovës, por të cilën lëndë ajo asnjëherë nuk e ka trajtuar deri më sot..!? Lënda e bashkëthemeluesve të Fondit të Republikës së Kosovës e ngritur ndaj Isa Mustafës dhe Bujar Bukoshit që 8 vite “flenë” në sirtarët e kësaj gjykate, dhe nuk ishte e rastit zgjedhja e parë e ministrisë për punë të brendshme nga Isa Mustafa, me rastin e ndarjes së dikastereve me LVV-je, kur me shumë hile bëri koalicion me partinë fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit 2019..!?

Isa Mustafa, ka bërë aq shumë tradhti kombëtare (falja Malit të Zi mbi 8260 hektarë toka të Kosovës), shkelje të kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, ka bërë aq shumë dredhi, tallje dhe lajka me bashkëpunëtorët më të afërt të presidentit Ibrahim Rugova, duke i dëbuar në mënyrë mafioze nga partia, siç ishte tërheqja zvarrë e znj. Donika Gërvalla para dy-tri viteve, siç ishte, sidomos sjellja në parti të njerëzve më anti-rugovist që ka njohur Kosova, si Teuta Sahatçiun, Gazmend Muhaxherin, Driton Selmanaj e shumë të tjerë, dhe tash së fundi edhe dëbimi makabër nga posti i nënkryetares së LDK-së, znj. Vjosa Osmani, etj., etj., që, kur njeriu i analizon mirë të gjitha këto veprime të Isa Mustafës, nuk ke se si të mos nxjerrësh përfundimin definitiv, se ky njeri ishte e keqja më e madhe që kishte goditur Kosovën para dhe pas luftës çlirimtare!

Shto kësaj edhe manipulimet e tij të fundit me formimin e qeverisë “Hoti”, kryekëput në koordinim të plotë me Hashim Thaçin, partinë e të cilit dikur e quante “parti kriminale” që udhëhiqet nga SHIK-u, e çka jo tjetër, por me të cilën bashkë-qeverisi disa vite, njëjtë sikur tash me të cilën mbanë lidhje të fuqishme nën rrogoz, duke ndërmarrë pardje në aktin më antishtetëror shuarjen e “Task-forcës” për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë, vendim të cilin ambasadori gjerman në Kosovë dje e quajti “vendim të mjerë” të Avdullah Hotit, kryeministër kukull..!?

Askund në botë nuk ka edhe një shembull që një kryetar partie pa qenë vetë kryeministër të udhëheq me shtetin nga pozitat e një bosi partiak, që me shkop magjik dikton politikën dhe vendimet e tij në Kuvend, në qeveri dhe institucione tjera shtetërore, duke ndërmarrë akte puro antishtetërore përmes forcës së diktatit dhe qeverisjes së kamufluar nën petkun e mbrojtësit të shtetit të Kosovës. Ky vazhdon të bllokon çdo rrugë dhe nismë e cila mund të shpie në zbulimin e hajnive dhe keqpërdorimeve të tij dhe grupit për rreth tij, të inkriminuar në mënyra të ndryshme në uzurpime, përvetësime dhe pasurim të paligjshëm në llogari të popullit të varfër të Kosovës..!?    

Demokracia kosovare nuk mund të merr frymë shlirshëm pa largimin nga skena politike të Isa Mustafës dhe përkrahësve të tij, mbase ai është edhe sinonim i krimit ekonomik dhe korrupsionit në Kosovë, së bashku me Bujar Bukoshin, ish kryeministër i qeverisë në exil, që ia vunë bazat korrupsionit dhe hajnive, siç po dëshmon edhe rasti i fundit i vjedhjes së 2 milion eurove në pikë të ditës nga thesari shtetëror i Kosovës!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat