Çfarë emërtimi t’i vemë një qeverisjeje pa opozitë?!

Opinione

Çfarë emërtimi t’i vemë një qeverisjeje pa opozitë?!

PROF. DR. ENVER BYTYÇI Nga PROF. DR. ENVER BYTYÇI Më 23 tetor 2020 Në ora: 13:38
Rama dhe Vuçiq

Të mërkurën e ardhshme parlamenti i Serbisë do të miratojë kabinetin e ri qeverisës. Presidenti Vuçiç njoftoi të martën e shkuar se është arritur marrëveshja për krijimin e qeverisë së re, pa opozitë. Partia nacionaliste e Aleksandër Vuçiç ka fituar në zgjedhjet e para katër muajve 188 vende në parlament, nga 250 që ai ka. Ndërkaq ka marrë në koalicionin qeverisës të gjitha partitë parlamentare, të cilat morën pjesë në zgjedhje. Opozita reale i bojkotoi zgjedhjet serbe të qershorit të shkuar dhe ajo ngeli jashtë parlamentit. Tani Serbia ka një qeverisje pa opozitë parlamentare.

Në fakt Partia SNS e Vuçiç nuk kishte nevojë për kurrfarë koalicioni. Ajo ka tashmë mbi 2/3 e vendeve të parlamentit, aq sa duhen për ndryshimet kushtetuese. Megjithatë presidenti serb i tërhoqi të gjitha partitë e tjera në qeverinë e tij, duke i dhënë Ivica Daçiç postin e kreut të parlamentit dhe disa ministri, si dhe aleancës patriotike poste ministri. Edhe nëse ndonjë deputet i pakicave nuk do të bëhet pjesë e koalicionit qeverisës, kjo nuk e ndryshon faktin se Serbia tashmë është shndërruar në një shtet autokrat njëpartiak. Pa opozitë, pa alternativë, pa reaksione politike për vendimet dhe ligjet që bëhen.

Shkurt, qeveria e Repubikës së Serbisë prej të mërkurës së ardhshme do t’i shëmbëllejë qeverisë së Republikës së Shqipërisë, me një ndryshim se Shqipëria ka 18 deputetë më pak sesa parashikon kushtetuta e vendit, ndërsa Serbia i ka plotësuar të 250 vendet kushtetuese të parlamentit të saj. Shqipëria ka edhe disa tipare të tjera hileqare në qeverisjen e saj krahasuar me Serbinë. Kreu i mazhorancës shqiptare, Edi Rama, pretendon se ka “opozitë” parlamentare, ndërkohë që ajo nuk ekziston. Ndërsa miku i tij në Beograd nuk ka lënë shkas që të ketë as opozitë të emëruar e formale. Ai i ka marrë të gjithë deputetët në qeveri dhe ka realizuar legalisht monopartitizmin.

Në Serbi ekziston opozita në qeverisjen lokale, ndërsa në Shqipëri kjo lloj opozite është asgjësuar nga një palë zgjedhje farsë, në të cilat 30 qershorin e vitit të kaluar morën pjesë diku 10-15 përqind e zgjedhësve, 25 përqind e të cilëve hodhën në kuti në shenjë revolte fletë votimi të zhgarravitura, pra të pavlefshme. Por në Shqipëri ka një opozitë jashtë-parlamentare më të fuqishme sesa në Serbi dhe kemi një president që kritikon ashpër shkeljet kushtetuese të qeverisë. Ndërkaq në Shqipëri e rrit koefiçentin e arrogancës qeverisëse fakti se nuk ka gjykatë kushtetuese, kurse në Serbi kjo gjykatë formalisht është në veprim. Por të dy vendet kanë mundësi të pafund që të ndryshojnë kushtetutën sipas nevojave për të bërë ligje, duke e anashkaluar kështu fuqinë ekzekutive të Gjykatës Kushtetuese. Në vend që ligjet t’i përshtaten kushtetutës, në Serbi dhe në Shqipëri është kushtetuta ajo që ndryshon me votat të panumërta dhe përshtatet me ligjet e mafies në pushtet!

qeverisja në Shqipëri dhe prej javës së ardhshme edhe në Serbi janë pa opozitë parlamentare. Kjo llok qeverisjeje nuk ngjan me autoritarizmin, por me diktaturën. Tiparet e saj janë tipike për shtetin diktatorial. Monopartitizmi në përfaqësimin në parlament është baraz me diktatin e një diktatori në menaxhimin e jetës politike, ekonomike, financiare, kulturore dhe juridike të shtetit. Sepse diktatorin e prodhon një parlament pa opozitë në Serbi dhe me një opozitë fallco në Shqipëri.

Persekutimi, përndjekja, bullizmi, diferencimi, ndërtimi i shtetit arbirtrar, krijimi i mafies shtetërore e kriminale, janë dhe mbeten tipari dallues i kësaj qeverisjeje të instaluar në Beograd dhe në Tiranë. Diktatorët e të të dy vendeve imponojnë gjithçka, politikat, strategjitë, aleancat, ligjet e brendshme, shpërndarjen e të ardhurave kombëtare, madje edhe punësimin dhe shërbimet publike në mënyrën si ata e gjykojnë dhe jo më në modelin e qeverisjes së shtetit të së drejtës.

Aleksandër Vuçiçin në Serbi dhe Edi Ramën në Shqipëri nuk mund t’i pengojë askush të shndërrohen në patriarkë të vendeve të tyre dhe të imponojnë gjithkund e për gjithçka vullnetin e tyre. Dhe në dallim me një pjesë të madhe patriarkësh në botë, këta shpërfillin çdo interes madhor në vendimmarrjen e tyre. Ata kënaqen me viktimat që kanë përballë, tallen me ta, i shpotojnë si të duan dhe kur të duan. Bëjnë ligje elektorale dhe kushtetuese, që e ngushtojnë hapësirën demokratike, që diktojnë sjelljen qytetare ndaj shtetit, kufizojnë lirinë e medies dhe liritë e të drejtat themelore të qytetarëve.

Kjo lloj qeverisje si në Serbi e në përmasa të shumëfishta në Shqipëri ka efekte dhe pasoja katastrofike për qytetarët. Ata (qytetarët) detyrohen të ikin nga vendi, sepse nuk gjejnë më asnjë motiv dhe dritë shprese në fund të tunelit për ta ndërtuar të ardhmen e tyre në vendlindje. Sa përballen me shtetin policor, për ta është më e lehtë dhe më e thjeshtë të ikin nga sytë këmbët, duke gjetur zgjidhjen më te shpejtë për t‘u çliruar nga thonjtë e diktaturës së re.

Serbia për shkak të nacionalizmit ekstrem mund të pajtohet më lehtë dhe ta pranojë regjimin njëpartiak të diktaturës Vuçiç. Por Shqipërisë i mungon edhe ky lloj nacionalizmi e për pasojë impakti i qeverisjes diktatoriale te ne është më i tmerrshëm sesa në Serbi. Ne në Shqipëri e duam nacionalizmin “kosovar” sa kohë që ai na sjell të ardhura në turizmin shqiptar. Përndryshe te ne ka dhe do të kishte çdo lloj perversiteti, por nacionalizëm jo!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat