Haga si strehë e keqqeverisjes në Shqipëri dhe Kosovë

Opinione

Haga si strehë e keqqeverisjes në Shqipëri dhe Kosovë

Prof. As. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. As. Dr. Enver Bytyçi Më 26 tetor 2020 Në ora: 12:41
Hagë

Kryeministri i Greqisë, Micotakis dhe ministri i jashtëm i shtetit Helen deklaruan se çeshtjen e marrëveshjes detare me Shqipërinë do të çojnë në Gjykatën e Drejtësisë në Hagë, pasi që të aplikojnë zgjerimin e kufirit detar me 12 milje në drejtim të Sarandës dhe gjirit të saj. Çdo kush do të mendojë se ky fakt nuk është i panjohur dhe i pa rekorduar me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën. Derisa të dy palët, Athina dhe Tirana zyrtare, shprehen të kënaqura me marrëveshjen që marrëveshja e munguar midis dy vendeve të shkojë në Hagë, atëherë ato kanë rënë dakord për skemën e lartpërmendur. Pra, të zgjerohet Greqia në detin Jon me 12 milje në drejtim të Shqipërisë, dhe të humbasë Shqipëria së paku 6 milje në raport me marrëveshjen jo të drejtë të qeverisë Berisha. Më pas mbi këtë bazë të shkohet në Gjykatën e Drejtësisë.

Shumë bukur! Kush humbet dhe kush fiton, nëse Greqia zgjerohet me 12 milje në detin shqiptar dhe këtë e sheh si pikënisje për ankesë në Hagë?! Fiton Greqia dhe humbet Shqipëria, pa diskutim. Pse erdhëm deri në këtë ditë të keqe për vendin tonë? Sepse qeveria shqiptare dështoi të realizojë premtimin elektoral të vitit 2013 për një marrëveshje më të mirë se ajo e Berishës me shtetin grek. Dhe dështimi vjen si rrjedhojë e dhjetra dështimeve të tjera. Kryesori është dështimi I qeverisë shqiptare në premtimin për integrimin e Shqipërisë në BE. Rreth këtij mullari lidhet edhe presioni grek për të zhvat përmes Hagës sa më shumë sipërfaqe deti të Shqipërisë për veten e saj. Dështimet e qeverisë së Rilindjes sollën dështimin e radhës dhe se çfarë do të sjellë e nesërmja, askush nuk beson në diçka më pozitive. Rrena ndjek rrenën, mashtrimi mashtrimin, dështimi dështimin e kështu me radhë.

Haga është bërë gjithashtu për Kosovën ankth e makth. Më së shumti në makth jeton prej saj presidenti i vendit, Hashim Thaçi. Ai është në pritje të marrjes në paraburgim në atë godinën e mbështjellë si shtëpia me gjethe, në Hagë, ku ushtron veprimtarinë e saj Gjykata Speciale e Kosovës. Ankthi i Hashim Thaçit është më i lexueshëm. Ai i shkaktoi vetes dhimbje koke, sepse dështoi në gjithçka që kishte projektuar në qeverisjen e Kosovës. Dështoi sidomos të vendoste standartin e shtetit të së drejtës. Manipuloi dhe u bë shefi në hije i drejtësisë në Kosovë. E çoi vendin në kolaps juridik, sepse përmes drejtësisë së kapur prej tij nuk lejoi hetimin e dhjetra e ndoshta qindra vrasjeve politike në Kosovë.

Nëse presidenti ose ish-kryeministri i vendit bllokoi sistemin gjyqësor dhe nuk e lejoi atë të bënte drejtësi për viktimat e veta, atëherë do të pritej që drejtësia të bëhej diku tjetër. Me votën e Thaçit u vendos që kjo drejtësi të bëhej në Hagë, madje përmes një gjykate speciale e emërtuar si gjykata e Kosovës, por që nuk ka të bëjë aspak me drejtësinë në Kosovë. Asnjë gjyqtar dhe prokuror i Kosovës nuk është angazhuar në atë gjykatë. Pse? Sepse janë të pabesueshëm. Dështimi i vendosjes së drejtësisë në vend, çoi në krijimin e gjykatës në Hagë.

Haga është bërë këto kohë kryefjala e ligjërimit politik e juridik, kur është fjala për Shqipërinë dhe Kosovën. Ajo disa u duket si purgator, disave si ferr e për disa të tjerë si parajsë, nga ku çlirohen shprtrat e vuajtur, të persekutuar ose të mohuar! Haga është kthyer në boomerang për keqqeverisjen në Tiranë dhe në Prishtinë. Haga është pasoja, por jo problemi, ndonëse për dështakët ajo konsiderohet si problem.

Dhe së fundmi, Haga po i shtyn liderët tanë në pushtet që të shtojnë gabimet dhe të përsërisin në katëror dështimet, sepse po rrëshqasin gjithnjë e më shumë në akte anti-kombëtare e jo vetëm anti-ligjore, me qëllim që të arrijnë objektiva personale për pushtet e pasuri. Më duket se Rama dhe Thaçi vazhdojnë të luajnë me zjarrin, kur u bashkohen pa ekspertizë dhe mendim të kualifikuar disa qasjeve të gabuara. Marrëveshja për t’u përballur në Hagë për 12 milje dhe jo 6 miljet e lëna trashëgim nga qeveria e PD-së është njëra prej këtyre qasjeve të rrezikshme të zotit Rama. Ndërsa përpjekja e presidentit të Kosovës, për të zhbërë Gjykatën Speciale ose për ta destabilizuar Kosovën nëse ai përfundon në Hagë, është akoma më e rrezikshme. Duket së të dy palët luajnë skenarë politikë në interes të tyre, por jo në interes të shtetit e të vendit.

Shqiptarët duhet të kuptojnë se akte të tilla na çojnë drejt humnerës. Po t’i shtojmë këtyre akteve vështirësitë financiare, krizën e Covid-19 e atë ekonomike, grindjet politike e madje dhe grindjet krahinore, atëherë merret me mend se sa dëm të jashtëzakonshëm na sjellin ne shqiptarëve eksponentë të tillë të dështuar si Hashim Thaçi dhe Edi Rama!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat