Falënderim zonjës Merkel, kancelares së Republikës Gjermane

Opinione

Falënderim zonjës Merkel, kancelares së Republikës Gjermane

Nga: Thanas L. Gjika Më: 28 tetor 2020 Në ora: 13:32
Thanas L. Gjika

Para pak kohësh Zonja Merkel deklaroi botërisht para gazetarëve gjermanë (You Toube Pasqyra Media: “Merkel trondit Ballkanin, shqiptarët duhet të kenë një shtet”) se Europa i ka një borxh shtetit shqiptar të cilin e krijoi te cunguar. Ky është i vetmi shtet në Europë që rrethohet nga të gjitha anët me banorë që flasin të njëjtën gjuhë. Qeveria shqiptare duhet të punojë për fatin e shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni dhe Luginën e Preshevës.

Me një fjalë ajo desh të thoshte se duhet punuar për krijimin e shtetit kombëtar shqiptar, ku të bashkohen territoret shqipfolëse...

Kjo deklaratë e Zonjës Merkel tërthorazi i thotë Z. Putin se diplomacia rusomadhe ka qenë shkaktarja qe nuk u krijua shteti kombëtar shqiptar më 1912-1913 kur presionet e Rusisë Cariste detyruan Fuqitë e Mëdha të Europës të krijonin një shtet të cunguar shqiptar duke i dhënë Serbisë territore që nuk banoheshin prej serbesh, por prej shqiptarësh e maqedonobullgarësh. Pra, Z. Putin duhet të kuptojë se dhe Rusia i ka borxh Shqipërisë mosrealizimin e shtetit kombëtar shqiptar që 110 vjet më parë. Dhe si udhëheqës i Rusisë, shkaktares së kësaj vonese, ai duhet ta këshillojë deri në detyrim qeverinë e Serbisë që të mos bëjë më përpjekje për ta shtyrë shlyerjen e këtij borxhi ndaj popullit dhe shtetit shqiptar, fqinjit të tij.

Ndërkohë, deklarata e Zonjës Merkel kuptohet se u tërheq vëmendjen pushtetarëve të Shqipërisë e të Kosovës dhe drejtuesve të partive politike shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi që të krijojnë një strategji të përbashkët për të ecur drejt krijimit të shtetit kombëtar shqiptar, ku të përfshihen gjithë territoret ku flitet gjuha shqipe.

Zotërinjtë Edi Rama dhe Ramush Haradinaj e kanë kapur këtë mendim dhe në mbledhjen e fundit të të dy qeverive shqiptare shpallën se punojnë për programin KUQ E ZI që do të shpjerë në bashkimin e Shqipërisë me Kosovën deri në vitin 2025.

Deklarata e Zonjës Merkel është në përputhje me planin amerikan për rregullimin e Ballkanit Perëndimor, prandaj kjo më 1999 detyroi forcat e NATO-s për bombardimet e bazave ushtarake në Serbi, çlirimin e Kosovës, dha fonde për krijimin e Rrugës së Kombit, detyroi qeveritë e Maqedonisë t'u njohin më shumë të drejta shqiptarëve në Maqedoni, etj.

Mund të ketë shqiptarë që nuk e kuptojnë se ka ardhur koha të punojmë të gjithë së bashku për këtë program dhe e quajnë këtë deklaratë si lajm të pavërtetë. Nuk e kuptoj, nëse të tillë njerëz i pengojnë interesat miope për përfitime personale që mund të burojnë nga qarqe kundërshtarë të këtij programi, apo i pengon thjesht egoizmi që nuk e thanë ata më parë...

Mjaft humbëm kohë me luftë interesash personale duke u maskuar pas luftës partiake, ideologjike, sepse përçarjet politike e ideologjike janë kundër atdhetarizmit. E ardhmja e afërt nuk do të na i falë nostalgjinë ndaj komunizmit dhe enverizmit, armiqve të nacionalizmit që u përpoqën ta përjetësonin copëtimin e popullit shqiptar në disa shtete.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat