Letër e dytë kryeministrit të urtë, Zoran Zaevit

Opinione

Letër e dytë kryeministrit të urtë, Zoran Zaevit

Nga: Sulejman Mehazi Më: 28 tetor 2020 Në ora: 16:28
Sulejman Mehazi

I nderuar kryeministër i Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev,

respekt për politikbërjen tuaj të mençur e të guximshme!, ne ju kuptojmë se para popullit tuaj maqedonas nuk e keni patur lehtë t'ia ndërroni emrin Maqedonisë nga ajo nacionalja maqedonase në gjeografike shumënacionale qytetare.

Ama dhe ju të na kuptoni hallet tonë kombëtare qindvjeçare! Ne si popull jemi më të përvuajtur se sa ju, sa e sa Perandori Romake, Bizantine e Otomane kemi përjetuar keq, sa Londra, Berlina, Versaja, sa mbretër jugoslavë (çubrilloviqa, rankoviqa, millosheviqa e kolishevska komunistë kemi parë), sa na kanë burgosur e vrarë, na kanë copëtuar e ndarë, por përsëri mbetëm gjallë. Prandaj, i nderuar Kryeministër Zaev, bëhuni i dashur me barabarësinë maqedone-shqiptare, njësoj sikurse ishe i dashur gjatë 70,000 votave shqiptare gjatë zgjedhjeve parlamentare të 2016!

Ashtu sikurse u bënë të dashur partitë shqiptare pas zgjedhjeve parlamentare, u bashkuan e kualicionuan me ju për të rrëzuar kapadaiun, kriminelin, armikun  tuaj politik Gruevskin; përkrahja e partive shqiptare ju shpëtoi juve nga bajlozi zi qeverisës i VMRO-së! Shikoni sa keq e keni me Bullgarinë që nuk ua njeh Goce Delçevin, gjuhën dhe identitetin tuaj, ne e dimë më shume se ju se çfarë kemi hjekur    në Ish-Jugoslavinë me serbet po edhe me maqedonasit tuaj duke na mohuar identitetin origjinal e kristal të shqiptarëve.

Bëhuni edhe ju të dashur ndaj shqiptarëve sikurse ne që kemi qenë të dashur ndaj popullit tuaj përballë Greqisë, po dhe tani me problemin bullgar do ju ndihmojmë, do bëhemi të dashur ndaj kombit tuaj, po zotëri kryeministër, ashtu si ju ka zyrtarizuar Greqia e si do ju zyrtarizojë Bullgaria na zyrtarizoni dhe ju gjuhën shqipe jo me ligje të vogla shtetërore, po me kushtetutën e madhe të RMV-se. Ashtu sikurse që ju përkrahën të gjitha partitë shqiptare gjatë marrëveshjes me Greqinë në Prespë, do ju përkrahin edhe me Bullgarinë, po dhe ju na përkrahni jo me frikë, po me shumë dashuri.

Zotëri Kryeministër bëhu ashtu i butë, sikurse kryetarët e partive shqiptare!, shikoni sa të urtë janë, gishtin me ua fut në gojë s'ta kafshojnê, prandaj të lutemi për hirë të urtësisë shqiptare bëhuni dhe ju të urtë për shkak se partitë tona janë për gjynaf.

Zotëri Kryeministër Zoran Zaev, a vetëm shqiptarët t'ua kuptojnë hallet tuaja, e hallet e shqiptarëve kurrkush mos t'i kuptojë, a mos kështu doni ju?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat