Presidenti Vuçiq nuk do ta njohë Kosovën, sepse është problem kolonial i pazgjidhur (1912-2020)!

Opinione

Presidenti Vuçiq nuk do ta njohë Kosovën, sepse është problem kolonial i pazgjidhur (1912-2020)!

Prof. Dr. Mehdi Hyseni Nga Prof. Dr. Mehdi Hyseni Më 29 tetor 2020 Në ora: 20:02
Aleksandar Vuçiq, Avdullah Hoti

Daniel Server me të drejtë dhe në mënyrë  ka nxjerrë konkluzionin e peshuar politik objektiv se: “Të gjithë politikanët në Serbi duhet kuptuar se kurrë më  nuk do ta qeverisin Kosovën.

Për këtë arsye,  edhe  do të duhej ta njihnin sovranitetin dhe pavarësinë e saj, si kusht për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian.

Politikanët në Serbi janë të vetmit që ende përdorin çështjen e Kosovës për të fituar disa pikë politike dhe për të shpërqëndruar vëmendjen nga situata e keqe ekonomike në Serbi”.

Lexo edhe: Server: Vuçiq nuk do ta njohë Kosovën, më përpara ka gjasë që...

Mirëpo, me gjithë këtë konstatim vlerësues të Prof.Dr. Daniel Server, se  “Vuçiq nuk do ta njohë Kosovën”, duhet theksuar se, jo  vetëm presidenti aktual serb Aleksandar Vuçiq, por anjë president tjetër, që do të vijë pas tij, dhe, madje, asnjë serb nuk do ta njohë Republikën e Kosovës, sepse  thjesht nuk guxojnë nga Kisha ortodokse retrograde serbe, si dhe nga forcat ekstremiste-reaksionare-fashiste dhe nacionalshoviniste  serbe, të cilat ushqehen me mitet etnocentriste dhe me historinë e rreme falsifikatore serbomadhe, se gjoja “Kosova është djepi dhe koka e Serbisë”.  Këtë histori të falsifikuar, së pari e ka shkruar Kisha Ortodokse Serbe, e cila ka meritat kryesore politike për formimin e  autonomisë nën Perandorinë Osmane,  dhe  më pastaj, edhe për pavarësinë e Serbisë në Kongresin e Berlinit (1878).

Ky është problemi i pazgjidhur mes Kosovës dhe Serbisë (1912-2020). Ky problem është tejet serioz dhe i ndërlikuar, sepse deri më sot as Beogradi, as Tirana, as Prishtina, as Brukseli e as Nju-Jorku (OKB) , të paktën as që e kanë evidencuar dhe emërtuar si problem kolonial për zgjidhje, që do të thoshte dekolonizimin e Kosovës nga Serbia kolonialiste. Derisa ky problem kolonial nuk vihet në tryezën e gjelbër diplomatike  të Bashkimit Evropian  dhe të OKB-së, në formë të ndonjë konference multilaterale  evropiane  ndërkombëtare,   dekolonizimi i Kosovës nga Serbia, do të mbetet një “vullkan” i rrezikshëm jo vetëm për stabilitetin dhe për sigurinë e Ballkanit, por edhe të vetë Evropës dhe të bashkësisë ndërkombëtare, që mund të “përflakë” botën, ashtu sikurse dikur  Lufta e Parë Botërore (1914-1918), si shkak dhe pasojë e terrorizmit kolonialist gjeopolitik të Serbisë së Madhe.

Pra, ky problem nuk mund të zgjidhet as me marrëveshjen e Uashingtonit (4.IX. 2020) e as me bisedimet e Dialogut të Brukselit (2011-2020), sepse historiku i tij ka karakter kolonialist (1912-2020), i cili qe 100 vjet, e as sot, asnjëherë nuk është emërtuar, nuk është shtruar e as nuk është debatuar si i tillë as në relacionin   Shqipëri-Serbi, as në relacionin Kosovë-Serbi e as në kuadrin e OKB-së (1945-2020)  e as në kuadrin e Bashkimit Evropian (1957-2020).

Pa një konferencë ndërkombëtare, kolonializmi serb nuk mund të zhduket nga Ballkani

-Të paktën, qe 20 vjet rresht e kemi thënë se, pa oranizimin e një Konference Ndërkombëtare për dekolonizimin (shkolonizimin) e shqiptarëve dhe të territoreve të tyre etnike nga sundimi i egër kolonial serbo-sllav-bizantin, do të jetë i pamundur dhe iluzor normalizimi i marrëdhënieve ndëmjet shteteve ballkanike ( reciprociteti, stabiliteti, siguria dhe paqja).

Këtë, në një kontekst tjetër analitik , kur është fjala për arritjet e marrëveshjeve ekonomike mes Serbisë dhe Kosovës, siç ishte ajo Uashingtonit , më 4 shtator 2020, Daniel Server (njohës i shkëlqyer i çështjeve të Ballkanit) ka pohuar se “Unë mendoj se e gjitha është një rrëmujë e hollë. Nëse vërtet dëshironi normalizim, duhet kuptuar se marrëveshja në Washington është vetëm një mjet fushate e Trump-it. Kjo marrëveshje nuk do të vlejë, përveç nëse zbatimi i saj shoqërohet me mbështetje të madhe. Deri më tani, nuk ka pasur pothuajse asgjë, ose shumë pak, përveç deklaratave nga dhomat e tregtisë. Kjo është vlera e vetme”.

Prandaj, po nënvizojmë se, çfarëdo që të jenë marrëveshjet ekonomike apo tregtare, të lidhura mes vendeve ballkanike (qoftë edhe në formë “minishengenësh” apo makroshengenësh” të Edi Ramës, të Zoran Zaevit dhe të Aleksandar Vuçiqit),  problemi kolonial i shqiptarëve nuk mund të zgjidhet pa mbajtjen e një Konference Ndërkombëtare, ku do të debatoheshin problemet ndërterritoriale  ndërmjet vendeve ballkanike, sepse me     gënjeshtra, me iluzione dhe me mashtrime nuk zgjidhet problemi kolonial i shqiptarëve në Ballkan. Këtë liderët politikë shqiptarë, duhet ta kenë të ditur si në “grurë të kuq” si thotë një fjalë popullore.

Pa “shkundjen” e kolonializmit gjenocidal serbomadh,  Beogradi nuk do të heqë dorë nga Kosova!

Kjo mund të arrihet vetëm nëse shtetet e mëdha të Evropës Perëndimore së bashku me Amerikën dhe me Kombet e Bashkuara angazhohen seriozisht  për dekolonizimin  e Serbisë. Ndryshe , Serbia kurrë nuk do ta njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, dhe se Ballkani nuk do të flejë i qetë nga  kanosja e një rreziku të tillë të vazhdueshëm nga Serbia.

Vërtet, kohëve të fundit, pas 4 shtatorit 2020, kur u lidh një marrëveshja ekonomike mes  Aleksandar Vuçiqit dhe Avdullah Hotit nën patronazhin e Richard Grenell-it, emisar special i presidentit  amerikan Donald Trump, me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, po çohet “pluhur” i madh sidomos në masmediat serbe dhe në ato shqiptare ballkanike, si dhe në ato diasporë, se gjoja Marrëveshja e arritur mes Vuçiqit dhe Hotit, do të sjellë në  “njohjen “ e Republikës së Kosovës. Me gjithë këtë dëshirë të shqiptarëve dhe të miqve të tyre ndërmjetësues amerikanë dhe evropianë perëndimorë, kjo nuk ka për të ndodhur, duke qenë se Serbia edhe pas kryerjes së disa gjenocideve të saj në Kosovë (1912-1999), Kosovën e konsideron  ende si “koloni të saj”, edhe pse Kosova është njohur nga më se 100 shtete-anëtare të OKB-së (2008-2020). Kjo nuk vlen asgjë për Beogradin zyrtar, sepse Kushtetuta e Serbisë (2006) Kosovën e ka sanksinuar si  “krahinë të Serbisë”.  

Sa më sipër, është momenti historik, që “timonierët e anijes” së Kosovës, të ballafaqohen me realitetin, duke nxjerrë mësime nga pësimet 20-vjeçare të deritashme, dhe të heqin dorë nga politika mashtruese dhe manipuluese me palën negociuese serbe në Dialogun e Bruselit (2011-2020), se gjoja atje Serbia do ta njohë Kosovën e pavarur. Kjo është një gënjeshtër sui generis, e pohuar me dhjetra herë nga liderët negociues shqiptarë të Kosovës.

Liderët e Kosovës dhe të Shqipërisë, duhet të mposhtin frikën, dhe të ndryshojnë strategjinë e tyre për dekolonizimin e territoreve shqiptare në Ballkan

Në këtë kuptim të strategjisë antikoloniale, nevojitet të emërtohet, të shtrohet dhe të debatohet edhe problemi i  Kosovës, i Preshevës, i Bujancit dhe i Medvegjës. Ndryshe, çdo qasje tjetër, Serbisë i jep të drejtë  të mos heq dorë nga politika dhe nga diplomacia e saj kolonialiste ndaj këtyre vendeve të Shqipërisë Etnike, me rrezik, që  të shpërthejë ndonjë luftë e re, nëse Serbia nuk ndëshkohet si fuqi kolonialiste  nga ana e  bashkësisë  ndërkombëtare.

Pra, kush ia do të  mirën Kosovës, ka ardhur koha që liderët e Prishtinës dhe të Kosovës, të pohojnë para gjithë botës, se  Kosova nuk është kurrfarë “problemi minoritar serb” në Veriun e saj, por thjesht është problem kolonial 100-vjeçar (1912-1999).

Bëhuni trima  e burrëresha sikurse Prof.Dr. Luljeta Pula, e cila në Prill të vitit 1990  në RTV-në e Beogradit  ia përplasi në fytyrë  të vërtetën Slobodan Milosheviqit, se Serbia kishte helmuar nxënësit dhe studentët në Kosovë!

-Dhe, ja ka mbijetuar, edhe sot është gjallë në Kosovë, por jo as presidente, as kryeministre, as ministre, as ambasadore e as deputete, sepse guximi dhe heroizmi  i saj, tanimë qe 30 vjet “janë vrarë” nga nepotizmi, nga harresa, nga injoranca , nga lufta për pushtet, nga lufta për luks, për pasuri, për krim dhe për korrupsion. –Kështu, meritat e saj, në kohën, kur për një fjalë në mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive të shqiptarëve në Kosovë, të shkonte koka, përfundoje në bërllok nga bandat piromane dhe terroriste barbare çetniko-fashiste serbe të regjimit të Slobodan Milosheviqit.  (Shih në : Debati Televiziv "Porota" Per Helmimet Ne Beograd, Prill 1990, I Transmetuar Ne Tere Jugosllavine)

-Edhe pse nuk ia njohim meritat njëri-tjetrit as para lufte, as  në luftë e as në paqe (gjë që ky fenomen primitv dhe iracional nuk është i pranishëm te popujt e civilizuar në botë), për hir  të gjakut dhe të sakrificave të të gjithë martirëve të brezave të Kosovës, që janë flijuar për Kosovë e për Shqipëri, ashtu sikurse së fundi (1991-1999) dëshmorët e heronjtë e UÇK-së me kryekomandanin e tyre të lavdishëm legjendar Adem Jashari,  ka rdhur koha që liderët politikë të ndërgjegjësohen dhe ta kuptojnë realitetin në të cilin po jetojmë, duke mos ushqyer iluzione dhe, duke e gënjyer popullin, se gjoja “Serbia  së shpejti do ta njohë Kosovën”. Kjo rrenë po ripërsëritet me dhejta e qindra herë nga liderët politikë të papërgjegjshëm (2011-2020).

Pra, ka ardhur koha, që t’i braktisim këto gënjeshtra politiko-propagandistike, t’i lëmë fyejt, defat, tupanat, kavallet, se në këtë mënyrë naïve apolitike, antihistorike dhe antikombëtare shqiptare nuk zgjidhet problemi kolonial i Kosovës, as i Preshevës, as i Bujanocit , as i Medvegjës, as i Iliridës, as i Çamërisë e as i Malësisë së Madhe nën Mal të Zi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat