Refleksion mes dy përvjetorëve 

Opinione

Refleksion mes dy përvjetorëve 

Nga: Azgan Haklaj Më: 31 tetor 2020 Në ora: 10:20
Azgan Haklaj

I dashur Rubens!

Nuk ka, e nuk do të ketë kurr datë më të shenuar për babain, nënën e motrat e tua dhe familjen Haklaj se sa ditën kur ti erdhe në jetë si dhurata më e bukur e Zotit, si një engjëll pa mëkate!

Kjo është në fakt ditëlindja jonë e vertet, sepse ti i dashur Rubens e ndryshove përgjithmonë jetën tonë, sepse je lumturia, shpresa, gezimi e vetë ardhmëria jonë.

Zoti e deshi që ti të vish në jetë në një moment të vështirë në vitin e mbrapshtë 1997, kur ishte në pikëpyetje demokracia, shteti i së drejtës dhe vetë ekzistenca e Shqipërisë.

Përvjetori i katërt i ditëlindjes tuaj 23 vite me parë ishte një ditë e dhimbshme për ne, sepse në një akt terrorist ndaj familjes tonë në mesnatën e 31 tetorit në vitin 2001 u vra motra jonë Shotë Haklaj që të fali aq shumë dashuri.

Por kjo është enigma dhe providenca hyjnore.

Thonë se gezimi dhe hidhërimi janë binjakë.

Ti i dashur Rubens megjithëse ishe fëmijë e nuk e kuptoje këtë krim, u bëre pikë referimi e ngushëllimi për të gjithë ne familjen e madhe Haklaj.

Në derdhim lot fshehurazi teje për motër Shotën sepse nuk mund ta shpjegonim se çfarë ka ndodhur sepse ishe shumë i vogël.

Ajo sot lutet nga parajsa për ty dhe për ne dhe jam i bindur se një shpirt i pastër si ajo që ishte zëdhënëse e të vertetës dhe e fjalës së lirë është pranuar tashmë nga Zoti i plotëfuqishëm.

Biri im i shtrenjtë!

Tani ti je rritur dhe ke mësuar se familja jonë ka përjetuar gjithë ato vite kalvarin e Krishtit.

Shtepia na u hodh në erë nga terrorizmi, i cili ka kudo e një fytyrë, atë të satanait që u përsërit edhe këto ditë në vigjilje të ditëlindjes tënde me aktin terrorist në bazilikën Notre -Dame të Nicës në Francën e lirisë, aty ku ti ke fatin të studiosh e të jetosh, aty ku bota e lirë projektoj rendin e ri të njerëzimit përmes trinisë së shenjtë të Revolucionit Francez:

"Liri,  barazi, vellazëri".

Nga shtepia e lirisë ti kërkon të dish përse u ushtrua kjo dhunë barbare ndaj babait dhe familjes tënde.

Perse u kurdisën të gjithë ato atentate ndaj tij dhe familjes tonë për likuidimin fizik me çdo çmim.

E përtej kësaj, përse në Atdheun tonë opozita dhe ata që mendojnë ndryshe nga regjimi i sotëm konsiderohen armiq, e ashtu si në epokën e inkuizicionit dhe gjuetisë së shtrigave të mesjetës përndiqen me të njëjtën strategji.

Demokracia ashtu si dhe planeti ynë ka dy pole, pushtetin dhe opozitën.

Kur instalohet një pushtet i dhunshëm dhe afatgjatë, kjo do të thotë se njeri pol nuk funksionon, por në këtë rast faji bie edhe mbi opozitën sepse duket e pafuqishme për të realizuar ëndrrat dhe shpresat e përkrahësve të saj, për shkak të utilitarizmit të segmenteve të saj të hipotekuara tek pushteti.

Ti e ke mesuar se babi juaj u përjashtua nga kandidimi për deputet nga një komision farsë i PD- së pa asnjë sqarim, ndonëse ishte votëbesuar si gjithmonë nga demokratët e bazës, por më mirë të themi është skualifikuar, seleksionuar nga segmente të saj, të kapur peng nga dy faraonët e politikës Sulltan Rama e Aytullah Berisha, të cilët në aleancë qysh në vitin 2008 kanë feudalizuar politikën e pushtetin.

Ata kanë marrë peng verdiktin e sovranit duke vënë në pikëpyetje vetë demokracinë, shtetin e së drejtës, institucionet kushtetuese dhe të ardhmen e Shqipërisë.

I dashur Rubens komisioni famëkeq i përzgjedhjes së kanditaturave për deputet të PD- së, i përbërë nga njerëz që i kanë shërbyer diktaturës dhe neodiktaturës i harroj sakrificat sublime dhe kontributin e jashtëzakonshëm të familjes tonë dhe miqve tanë për mbrojtjen e vlerave të demokracisë.

Harroj dhunimin si të Krishtit të babait tuaj, harroj prangat dhe burgun e disa atentate thurur ndaj tij dhe familjes tonë dhe përzgjodhi për të përfaqësuar PD- në persekutorët tanë.

Ish Presidenti, ish Kryeministri Sali Berisha u zotue atherë në opozitë se sa të vijë në pushtet do ti zbardhte të gjitha këto ngjarje të tmerrshme dhe dosjen Tropoja, por beri të kundërtën, mua me përjashtoj nga PD-ja megjithëse baza e demokratëve me propozonte vazhdimisht në çdo cilët zgjedhor dhe nuk e hapi asnjëherë atë dosje brenda të cilës është një oktapod vrastar që mban peng paqen sociale në Malësinë e Gjakovës, por i lëshoj benzinë zjarrit këto ditë në studiot televizive duke folur për eleminime pa gjygj të shtetit në bashkëpunim me familjet në konflikt.

I dashur Rubens po e bëj këtë dialog publik me ty në këtë çast gezimi që na sjell ditëlindja jote për të mos harruar rrugën që kemi përshkruar e çmimin e rendë që na është dashur të paguajmë për lirinë e dinjitetin tonë të demokratëve të Malësisë së Gjakovës e mbarë Shqipërisë.

Tashmë je bërë burrë dhe po ta konfirmoj publikisht se babai juaj nuk do të tërhiqet kurrë nga rruga që ka zgjedhur.

Nuk do të pajtohet kurrë me të keqen dhe të ligën.

Me pabesitë dhe intrigat që pushtetarët e politikanët e zvetënuar e të korruptuar thurin ndaj njerëzve patriotë e demokratë e ndaj të gjithë atyre që e duan pa kushte e hipokrizi lirinë demokracinë dhe Atdheun e tyre.

Në këtë rrugë dua të ecësh dhe ti, sepse në këtë rrugë ecën dhe të parët tanë, të cilët dashurinë për Atdheun dhe lirinë na transmetuan si testament të shenjtë brez pas brezi.

Edhe unë këtë testament do ta kaloj ty stafetë se nuk kam ndonjë pasuri se nuk kam abuzuar me pushtetin për të vjedhur apo grabitur, nuk jam bërë pjesë e trafiqeve as e korrupsionit  duke shperdoruar besimin e njerëzve që me kishin votëbesuar për ti përfaqësuar.

Atë pasuri që kishim, familjen u përpoqën të na zhdukin por megjithëse mbijetuam, e humbën Shotën tonë të shtrenjtë.

Së bashku me gezimin e ditëlindjes tënde është përvjetori e do të përkujtojmë me dhembje dhe krenari edhe Shotën tonë të paharruar, sepse vajzat sokolesha si ajo kanë vetëm ditëlindje.

Gezuar Rubens!

Edhe  vite të tjera të lumtura.

Zoti qoftë me ty në të gjitha ditët e jetës tënde.

Shota u prehtë në paqe në përjetesi.

I përjetshëm kujtimi i saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat