Pse mediet tona u morën me etiketën dhe jo me akuzën e Ilir Metës drejtuar Edi Ramës!

Opinione

Pse mediet tona u morën me etiketën dhe jo me akuzën e Ilir Metës drejtuar Edi Ramës!

Prof. Dr. Asoc. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Asoc. Enver Bytyçi Më 2 nëntor 2020 Në ora: 18:09
Edi Rama dhe Ilir Meta

Ilir Meta përdori në një emision televiziv nga më të ndjekurit një etiketim fyes për kryeministrin Rama. Mediet dhe rrjetet sociale e kanë marrë dhe bërë virale thënien tij “qen bir qeni” dhe “këlysh i bllokut”, terma këto që presidenti i Shqipërisë i artikuloi në adresë të kryeministrit të vendit. Por askush nuk u mor me akuzën e rëndë që kreu i shtetit i bëri kreut të ekzekutivit për lidhjet e tij me Sorosin dhe me Serbinë. Ai e akuzoi Edi Ramën se “punon për interesat e Sorosit dhe të Serbisë në Shqipëri”!

Nëse ndjekim reagimet për etiketimin dhe akuzën e lartpërmendur, shohim se etiketa ka zënë 100 përqind të ekranit, tabloideve, gazetave e portaleve, ndërkohë që akuza u varros. Edhe vetë Edi Rama nga Kukësi reagoi për etiketën ndaj tij dhe u përpoq ta ofendonte presidentin e vendit, por nuk i dha përgjigje akuzës ndaj tij për tradhti kombëtare. Kjo ndodh vetëm në Shqipëri. Nuk ndodh dhe nuk ka ndodhur në asnjë vend tjetër të botës, kur presidenti i vendit akuzon për tradhti shefin e ekzekutivit.

Dhe tragjikja nuk qëndron tashmë te fakti se kemi një kryeministër që punon kundër interesave të vendit të tij. Ne jemi mësuar me këtë fakt. Nuk na bën më përshtypje, nëse shefi i qeverisë sonë, në vend të promovojë Shqipërinë dhe Kosovën, promovon Serbinë. E njohim tashmë faktin se ai ua mbyllë gojën gazetarëve kur e pyesin për krimet serbe në Kosovë, ndërkohë që deputeti shqiptar Shaip Kamberi i përmend këto krime në parlamentin serb. Në televizionet tona ne e promovojmë kryeministrin Rama si krativ edhe kur flitet për realizimin e interesave serbe në Kosovë e në Shqipëri. Ne kemi krijuar dramën më të madhe të përçimit përmes medieve të mashtrimeve të shumëfishta te qytetarët shqiptarë. Për të maskuar të vërtetën e hidhur të artikuluar nga Ilir Meta shohim se si investohen në ekranet tona analistë dhe opinionistë të mirë-paguar, ndërkaq nuk na bën përshtypje se si moderatorët edhe pse me analistë besnikë të tradhtisë kombëtare manipulojnë me pyetje dhe orientimin e debateve!

Drama dhe tragjikja gjenden gjithashtu te perceptimet e publikut e madje dhe profesorëve shqiptarë. Lexojini statuset e tyre dhe do të shihni se profesorët “janë të tmerruar nga fjalori i Ilir Metës kunder Edi Ramës”! Por asnjëri nuk flet për tmerrin e vërtetë që ka të bëjë me faktin se kryeministri i Shqipërisë punon prej vitesh për realizimin e interesave të Serbisë në trojet shqiptare dhe në rajon.

Ai e nisi këtë mision para se të vinte në pushtet në vitin 2013. Në funksion të interesave serbe bllokoi marrjen e statusit kandidat të Shqipërisë, duke bllokuar tri ligjet e kërkuara për miratim me 84 vota të parlamentit. Bashke me serbofilin Stefan Fyhle, Edi Rama i dha një goditje të pariparueshme integrimit evropian të Shqipërisë. Edhe sot e kësaj dite vepron kundër integrimit, sepse i a përkeqësuar të gjithë treguesit e qeverisjes dhe e ka kthyer Shqipërinë qëllimisht në një xhungël të mafies dhe rimit të organizuar! Ndërkohë që me NATO-n nuk i eci për shkak se e kishte të vështirë të gjente në aleancë të njëjtët bashkëpunëtorë dhe se në krye të NATO-s ishte Georg W: Bush, të cilin tentoi ta linçojë moralisht gjatë vizitës së tij në Shqipëri (qershor 2007) me historinë e “orës së vjedhur”!

Ka njëmijë fakte, të cilat na dëshmojnë se Edi Rama punon për interesat serbe në Adriatik e në rajon. Njësoj si edhe diktatori Hoxha ai erdhi në pushtet dhe u bë kryeministër i vendit me ndihmën e Beogradit. Më pas u bë bashkëpunëtor i ngushtë i Aleksandër Vuçiç, bashkëpunim të cilin e maskoi dhe vijon ta maskojë me “nevojën për paqe e stabilitet” në rajonin tonë. Me veprimtarinë e tij pro-interesave serbe, më së shumti ai dëmtoi Kosovën, shtetësinë dhe pavarësinë e saj. Vuri në pikëpyetje ekzistencën e shtetit të Kosovës dhe tërësinë territoriale të tij, sepse hyri në bisedime me Beogradin për ndarjen e saj. Kjo aksiomë tashmë është e provuar në të gjitha format dhe nuk ka nevojë për t’u hetuar. Për të arrit realizimin e projektit serb për Kosovën, Edi Rama e izoloi atë, madje duke e akuzuar për “vetizolim”.

Të gjitha iniciativat rajonale të kryeministrit të Shqipërisë ose nuk morën parasysh interesat e Kosovës në rajon, ose u drejtuan kundër saj. Karakteristikë e kësaj intrige ishte fillimisht iniciativa e Vuçiç “për krijimin e një Jugosllavie të Re” me të gjitha vendet ish-Jugosllave, minus Sllovenia e Kroacia, plus Shqipëria. Kosova shihej në atë projekt si pjesë e Serbisë. Më pas Rama u investua në ndarjen e Kosovës dhe së fundmi ka projektuar një mjet tjetër kundër saj: - Minishengenin ballkanik. Në vend që ta integrojë Shqipërinë në Bashkimin Europian, ai ka punuar me mish e me shpirt që ta integrojë atë në Serbi. Minishengeni është integrim i Shqipërisë dhe Kosovës në Serbi, sepse ajo prodhon 50 për qind të GDP-së së vendeve të Ballkanit Perendimor. Që do të thotë se Shqipëria kthehet në koloni e shfrytëzimit ekonomik të Serbisë dhe Kosova rikthehet si pjesë integrale e sovranitetit serb. Jo më kot ministrat e kabinetit serb u betuan në parlament para pak ditësh me formulën se “do të luftojnë për ta mbajtur Kosovën e Metohinë si pjesë të saj”! Ndërkaq Rama as që guxoi të shkruajë një rresht kundër këtij provokimi të radhës të Beogradit.

Një video, në të cilën flitet për shumë varreza masive të shqiptarëve në territorin e Serbisë, është bërë virale. Por askush nga qeveria shqiptare nuk flet për këtë fakt, ndërkohë që Rama gjen kohë të mjaftueshme të replikojë disa herë në ditë me presidentin Meta dhe krye-opozitarin Basha. Kjo situatë dëshmon qartë se objektivat e Edi Ramës janë përçarja e shqiptarëve dhe realizimi i interesave serbe në hapësirën shqiptare e të Ballkanit Perendimor.

Nëse në veprimtarinë e Edi Ramës ka pasur ndonjë moment “ekzaltimi” nacionalist, gjithçka ishte e inskenuar me qëllim që ai të promovohej si lider politik i të gjithë shqiptarëve në Ballkan, për t’ia lehtësuar atij vendimet pro-serbe në emër të tyre. Me këtë aureolë kryeministri i Shqipërisë mënjanoi udhëheqësit e Kosovës jo vetëm në takimet rajonale të fshehta e të hapura, por edhe foli në emrin e tyre për projektet serbe, sidomos në Kosovë.

Në udhëtimin e tij anti-shqiptar dhe pro-serb kryeministri shqiptar, Edi Rama, herë eci me kontrapetal, herë me shpejtësi mesatare e herë tjetër me shpejtësi piloti. Kulmin e shpejtësisë e arriti gjatë viteve 2017-2019, kur u investua fuqishëm bashkë me Hashim Thaçin dhe Baton Haxhiun për shkëmbimin e territoreve midis Kosovës dhe Serbisë. Dhe gjatë gjithë këtij udhëtimi na dëshmoi në dritë të diellit se ai është i aftë t’i mashtrojë e gënjejë shqiptarët, por jo edhe të zhgënjejë serbët dhe presidentin e tyre, Aleksandër Vuçiçin!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat