Rasti historik që ta demaskojnë edhe njëherë para botës politikën kriminale dhe hegjemoniste të Serbisë ndaj Kosovës!

Opinione

Rasti historik që ta demaskojnë edhe njëherë para botës politikën kriminale dhe hegjemoniste të Serbisë ndaj Kosovës!

Nga: Rexhep Elezaj Më: 9 nëntor 2020 Në ora: 17:35
Rexhep Elezaj

Kush, dhe cilët politikanë shqiptarë janë fajtorët dhe përgjegjësit kryesorë të cilët me veprimet dhe sjelljet e tyre të papërgjegjshme, agresive, injorante, brutale, arrogante, hakmarrëse, të kapjes së shtetit dhe pushtetit me mjete dhune, gjoja në emër të luftës çlirimtare, duke e shkelur gjakun e mijëra dëshmorëve të kombit, etj., e them me bindje të plotë, se tanimë 21 vite pas çlirimit populli shqiptar i Kosovës i njeh ata me emër dhe mbiemër. I njeh, sepse askush tjetër përveç tyre  e sollën Kosovën martire në shtyllën e turpit, të skamjes ekstreme si dhe në bankën e të akuzuarit para drejtësisë ndërkombëtare në Hagë!

Po ashtu, tanimë janë bërë të qarta konceptet dhe ideologjitë politike me të cilat ata janë udhëhequr para, gjatë dhe pas mbarimit të luftës (10 qershor 1999), e që politikë dominuese në marrjen e vendimit për të hyrë në luftë, ishte ideologjia moniste, marksiste-leniniste-enveriste. Pra, me këtë logjikë dhe strategji luftarake Kosova nuk guxonte assesi të hynte në luftë, ashtu siç kishin vepruar bartësit e kësaj ideologjie të mbarësuar thellë tek komunistët shqiptarë në krye me Enver Hoxhën të cilët Shqipërinë dhe kombin shqiptar gjatë dhe pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore (LDB) e kishin futur nën kthetrat e doktrinës dhe ideologjisë antishqiptare ruso-sllavo-komuniste, duke e ndarë dhe izoluar kombin shqiptar nga bota e civilizuar dhe demokratike e Perëndimit për afër 60 vite!

Qysh para fillimit të luftës ishte bërë e qartë se hyrja në luftën çlirimtare e “Lëkëpëistëve-enverist” me koncepte dhe ideologji komuniste, ishte një gabim tejet i madh politike dhe strategjik me të cilin po i bëhej dëm i madh kauzës për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, mbase ishin intelektualët dhe akademikët e shumtë shqiptarë në Kosovë, duke filluar nga Prof. Dr. Gazmend Zajmi, Dërvish Rozhaja, Hasan Mekuli, Rexhep Ismajli, Besim Bokshi, Fehmi Agani, Ibrahim Rugova, Mark Krasniqi, Rexhep Gjergji, Latif Berisha, Jakup Zejnullahu si dhe shumë të tjerë, të cilët ishin unik rreth faktit se në luftën çlirimtare në asnjë mënyrë nuk guxohej me hyrë me konceptin ideologjik bolshevik-komunist, por mbase vetëm sipas normave dhe kriterit etnik-iluminist, gjë që kjo edhe i kishte tubuar në një subjekt pluralist-nacionalist, me emrin LDK, e cila deri në mbarim të luftës çlirimtare ishte në fakt Front i rezistencës gjithë popullore e jo parti në kuptimin e saj të fjalës.

I ceka kalimthi këto pak fakte për t’i ilustruar më afër shkaqet dhe aktorët të cilët, për fatin e keq të Kosovës, ishin edhe themelues të UÇK-së dhe komandantë të saj, por që shumica e tyre kishin bindje politike marksist-leniniste-enveriste, madje disa ishin edhe stalinist të tërbuar, të cilët “shtet ndërtimin” e Kosovës e ngritën mu mbi këtë ideologji, duke e instaluar mendësinë moniste të dhunës politike, ndalimin dhe censurimin e fjalës dhe mendimit të lirë, dhe, ç’ është më e keqja, duke i përvetësuar brutalisht të gjitha meritat e luftës dhe çlirimit të Kosovës. Por, dihet se liria dhe pavarësia e Kosovës nuk mund të arriheshin pa ndihmën e gjithë popullit, pa politikën paqësore dhe vizionare të presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova, pa kontributin e të cilit kurrë nuk do vinte deri tek miqësia e përhershme me SHBA-të, e cila bashkë me aleatët e saj anglezë, gjermanë, francezë dhe italianë, me forcat e NATO-s do e bombardonin Serbinë, duke e çliruar përfundimisht Kosovën nga robëria e gjatë serbo-sllave, si dhe duke e bërë shtet sovran dhe të pavarur..!

Ishte pra, kjo kastë politike e udhëhequr nga Hashim Thaçi, Xhavit Haliti, Azem Syla, Jakup Krasniqi, Gani Koci, Mustafë Xhemajli, Ali Ahmeti, Bardhyl Mahmuti, dhe shumë të tjerë, bartëse kryesore e taktikës së luftës sipas konceptit puro enverist-stalinist, e cila para, gjatë dhe pas çlirimit, ka bërë diferencime në popull mbi baza politike dhe kombëtare nga më të dëmshmet që ka njohur Kosova pas Luftës së Dytë Botërore, (1941-45), kur komunistet vrisnin dhe burgosnin në Shqipëri patriot dhe burra të mëdhenj të kombit vetëm pse i takonin Ballit Kombëtar në krye me Abaz Kupin dhe Abaz Ermenjin, etj, të cilët qysh asokohe e donin që kombin shqiptar ta futnin nën orbitën e botës së djathtë dhe të civilizuar demokratike të vendeve të Perëndimit..!

Përveç dëmeve në aspektin e ndërtimit të një Platforme unike gjithëkombëtare për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, krahu marksist-leninist-enverist, siç njihet edhe si “Krahu i luftës” në krye me ideologët e lartë përmendur, pa asnjë dyshim, Kosovës i sollën dëme të pariparueshme në aspektin politik, ekonomik dhe nacional, duke i plaçkitur pamëshirshëm pasurit kombëtare të popullit shqiptar në Kosovë, përmes hajnive, uzurpimeve të pasurive shtetërore, të kompanive prodhuese, duke e keqpërdorur pa dhimbje buxhetin e shtetit përmes metodave mafioze, që nuk i ka njohur ndonjëherë kombi shqiptar. Duke kapur çdo pore të organeve të shtetit, sidomos organet e drejtësisë dhe ato të sigurisë, etj., duke e shndërruar Kosovën në pronë private të vetëm disa tajkunëve, duke rrënuar çdo vlerë morale kombëtare përmes votave të vjedhura për të ardhur, gjegjësisht ngelur sa më gjatë në pushtet, dhe deri tek pazaret makabre me regjimin e Serbisë për ndarjen e Kosovës, pa i venë kurrë asnjë kusht palës serbe, sidomos para se të fillonte dialogu me këtë shtet gjenocidal..!?

Prandaj, akuzat e ngritura para disa ditëve ndaj disa ish anëtarëve të Shtabit të UÇK-së nga ana e Gjykatës Speciale për Kosovën, për gjoja vrasje të afër 100 civilëve si dhe dalja e tyre para kësaj gjykate, pra procesi i filluar për gjykimin e tyre, është pa asnjë dyshim, rasti më historik që sado pak me përgjigjet, sjelljet dhe qëndrimet e tyre me dinjitet, t’ia kthejnë dinjitetin së pari vetvetes, UÇK-së dhe gjithë Kosovës, duke dëshmuar fuqishëm se nuk kanë vrarë civilë të pafajshëm shqiptarë, serbë, boshnjak, romë dhe të tjerë!?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat