Politika, Demokracia, Pushteti e Ligji janë problematikat më të mëdha të shqiptarëve

Opinione

Politika, Demokracia, Pushteti e Ligji janë problematikat më të mëdha të shqiptarëve

Nga: Skënder Sadri KAPITI Më: 19 nëntor 2020 Në ora: 11:17
Skënder Sadri Kapiti

Këto janë 4 problematikat më të mëdha të shqiptarëve,pasi që të katërta ato funksionojnë keq, sepse janë të kapura nga pushteti i korrupsionit, që do të thotë  se sistemi në Shqipëri e Kosovë  funksionon si një sistem politiko-jodemokratik,  korruptiv, antiligj e antishtet.

Dhe problem në Shqipëri e Kosovë nuk janë vetëm  individët e veçantë të politikës e të pushtetit, nuk janë vetëm liderët e partive politike dhe shpurat servile rreth tyre, por problem është i gjithë sistemi i kalbur dhe i korruptuar politik, juridik e mediatik  që sundon sidomos Shqipërinë por edhe Kosovën, prej së cilës Kosova ka marrë tabjatet.

Problematikat që kanë sot shqiptarët janë:  Politika,Demokracia, Pushteti e  Ligji , pra problem është i gjithë sistemi.

Shqiptarët duhet të merren me thelbin e këtyre problematikave dhe jo me vogëlsira, as e me fanatizma e tifozllëqe politike, dhe  as me inate ndërvete nëpër portale.

Ky sistem tashmë i montuar dhe i stërfuqizuar jo vetëm politikisht e juridikisht por sidomos edhe ekonomikisht është shumë vështirë për t’u çmontuar.

Ky sistem tashmë ka krijuar edhe një kulturë, mendësi dhe opinion negativ kolektiv që është ky: që po të merresh me politikë do të thotë se të jepet e drejta dhe mundësia për të siguruar rehatinë e pasurimin pa punuar, dhe se pjesmarrja e angazhimi në politikë të jep  edhe të drejtën edhe për të vjedhur e grabitur pasi je i sigurtë se nuk ndëshkohesh.

Pra, në këtë realitet kështu si është,  shumë njerëz, madje fatkeqësisht edhe shumë intelektualë  e media servile  garendin, garojnë  dhe orientohen vetëm nga interesi i ngushtë personal;  bëjnë tifozin, partizanin, militantin  dhe servilin  duke rënë pre e interesit të ngushtë personal si dhe akoma më shumë e më tepër  pre e mashtrimeve dhe të gënjeshtarëve të politikës së të “mëdhenjve”.

Dhe kështu shumica e shqiptarëve  ingranohen dhe “merren” me politikë  dhe për politikën, por që politika as nuk  pyet dhe as nuk do që  t’ia dijë për ta. Njerëzit ngatërrohen me njëri-trjetrin për partitë dhe për liderët e tyre: jo po ky , e jo po ai ; jo kështu e jo po ashtu; kështu tha ky e kështu tha filani; e jo po ky vodhi ma shumë e ky tjetri ma pak; jo po ky është patrioti, e jo po ky është tradhtari; jo po ky është hajduti e ky  është matrapazi; ky është mashtruesi e ky genjeshtari; jo po kështu tha ky politikan, ky  ambasador e kjo media e televizor; kështu ky analist e kështu ai tjetri, kështu kjo gazetë e kështu ajo tjetra etj.,etj.

Kështu thashathemnohet politikisht gjithandej poshtë e lart, e lart e poshtë.

E ndërsa partitë dhe kryetarët e partive lundrojnë të qetë në këtë tollovi demokratike pa iu hyrë ferrë në këmbë,  dhe atyre  as nuk ua ndjen hiç fare për të tjerët, as për shtetin  e as për popullin, dhe që,   politikanët shqiptarë bëjnë ndërvete pazare dhe marrëveshje të fshehta korrupsioni, parash e   hajnish, dhe,  herë ikin e herë vinë përsëri po ata në pushtet e në qeverisje.

Populli voton, por jo për veten e tij e as për pushtetin e tij , por për këtë farë klase politike , për regjimet politike të kësaj elite politike të prishur moralisht e materialisht.

Shqipëria dhe Kosova janë dy vëndet më të korruptuara në Europë.

Shkaku i kësaj gjëndjeje janë krimi i korrupsionit të lartë shtetëror në dy shtetet, dhe mos-hetimi, mosndëshkimi dhe imuniteti që gëzojnë peshqit e medhenj të krimit e korrupsionit.

Këtë imunitet pandëshkueshmërie atyre ua jep “uniteti”, ”konsensusi” apo marrëveshja e padeklaruar që si do që të vërtitet e të ndërrohen pushtetet, VIP-at e lartë të politikës e pushtetit  do akuzojnë e do denoncojnë  njëri-tjetrin vetëm mediatikish dhe sa për mashtrim publik, por në asnjë mënyrë asnjëri prej tyre të mos ndëshkohet nga sistemi i drejtësisë.

Këtë e verteton fakti se deri më sot asnjë peshk i madh i krimit, hajnisë dhe korrupsionit të lartë shtetëror nuk është ndëshkuar as në Shqipëri, pavarësisht se edhe ka filluar punë VETING-u, si dhe as në Kosovë.

Pas miratimit dhe pas fillimit nga funksionimi  të Gjykatës Speciale, tani kujtohen politikanët dhe intelektualët  për ta zhbërë atë, madje tani kërkohet dhe unitet si kurrë më parë. Por, pse nuk kishte unitet në kohë, pse nuk kishte unitet politika shqiptare për ndërtimin e shtetit demokratik e ligjor gjë që do ta bënte të panevojshme këtë Gjykatë.

Pse nuk ka unitet politika shqiptare për luftën kundër krimit dhe korrupsionit të mafiooligarkisë politiko-kriminale dhe  as për integrimin?! Dhe pse politika kërkon unitet   tani, kaq tepër vonë. Apo mos menduan disa politikanë se do të shpëtonin dhe nuk do të thërriteshin e të dilnin para kësaj gjykate?!

Ky shkrim me këtë titulll , vjen nxitur nga ajo se shiko se çfarë solli pra politika e mbrapshtë e politikanëve të Kosovës por edhe të atyre të Shqipërisë në lidhje me Gjykatën Speciale. Ky është një dështim politik, demokratik dhe shtetëror  i paprecedentë në historinë botërore, ku të funksionojë një Gjykatë e tillë kaq diskriminuese për shqiptarët dhe  të cilën e pranuan dy shtetet shqiptare. Një gjë e tillë tregon se çfarë politike dhe politikanësh, se çfarë lloj kualiteti, profili dhe karakteri pa dinjitet, pa personalitet dhe çfarë injorance e paska qeverisur Kosovën në këto vite.Gjithë ai krim e genocid i pashëmbullt dhe i paparë që nga Lufta e Dytë Botërore ushtruar nga Serbia mbi shqiptarët, dhe ndodh që të ngrihet e të funksionojë një Gjykatë e cila gjykon viktimën dhe jo kriminelin.

Politika dhe politikanët shqiptarë u bie ndërmend për unitet vetëm kur zullumet dhe skandalet e papërgjegjshmeritë  e tyre degradojnë e shkaktojnë fatkeqësi e trauma   kombëtare. Ata kërkojnë unitet për të shpëtuar veten nga ndëshkimi për haramet, zullumet dhe fatkeqësitë që ata u shkaktojnë shqiptarëve, Shqipërisë e Kosovës.

Politika shqiptare nuk ka pasur kurrë strategji dhe as vizion kombëtar. Dhe duke qenë e tillë ajo nuk ka realizuar standarde mirëqënie; as standarde sigurie pune, ekonomike dhe juridike dhe as objektiva kombëtarë dhe as  politiko-strategjikë.

Edhe ato arritje që ka bërë Shqipëria e Kosova i kanë falë ndihmës së perendimit, kryesisht të SHBA-ve.

Politika e Tiranës dhe ajo e Kosovës janë politika pa objektiv dhe pa strategji kombëtare, janë kuturu dhe sa për fasadë mashtrimi patriotik; janë politike grindavece, egoizmash, të pabesa, hipokrite dhe urrejtëse e përçarëse. 

Historikisht politikanët shqiptarë gjithmonë janë grindur mes vetes së tyre për interesa personale pushteti. Atyre gjithmonë u ka munguar dhe u mungon sinqeriteti mes vete, por edhe respekti, sinqeriteti dhe ndershmëria e  përgjegjshmëria para shtetit, popullit dhe kombit të vet.

Në një linjë me politikanët janë edhe intelektrualët dhe mediat shqiptare të cilët i bëjnë fresk gjithmonë kësaj lloj politike.

Shqiptarët gjithmonë kanë pasur probleme, por problemet shqiptarëve u kanë ardhur nga politika dhe politikanët e tyre. Pra, politika dhe politikanët  shqiptarë,  ata janë problemi që vetëm sa prodhojnë po  probleme, kriza, konflikte.

Edhe atëhere kur duket se ata po zgjidhin ndonjë gjë të hajrit, politikanët shqiptarë janë dhe tregohen  tepër dritëshkurtër dhe vizioni i tyre zgjat vetëm disa ditë. Kur shohin dështimin e madh, atëhere ata kujtohen për unitet, dhe madje edhe atëhere  me hipokrizi  dhe vetëm sa për mashtrim momental e kanë edhe patriotizmin dhe dukjen si kombëtarë.

Vetëm pushtetin dhe interesin e vet familjar e klanor synojnë politikanët shqiptarë, ata synojnë vetëm pushtetin për të kapur shtetin , për ta vjedhur e grabitur atë, për të punësuar në administratën shtetërore  të afërmit dhe familiarët e tyre: fëmijët, nipat, mbesat, xhaxhallarët, tezet , hallat, miqtë e krushqitë, kunetërit e kunatat.

Duke qenë të tillë politika dhe pushteti në dy shtetet shqiptare, atyre nuk i bie ndërmend aspak për interesin kombëtar, as për atë të  përgjithshëm, as për zhvillimin e progresin ekonomik e demokratik, as për mirëqënia publike dhe as integrimi në BE.

Krimi, korrupsioni, pasurimi i paligjshëm dhe paraja  janë trofetë e politikanëve të “mëdhenj” shqiptarë të cilat  ua siguron atyre  politika dhe pushteti.

Edhe kur flasin për patriotizëm atë e bëjnë sa për mashtrim dhe sa për të mbuluar tradhtitë e veta, akuzojnë dhe fajësojnë njëri-tjetrin kur në fakt janë njëlloj të papërgjegjshëm dhe antikombëtarë, janë të mbushur e të përlyer në afera korrupsioni,krimi, hanije e tradhtie dhe duke qenë të tillë vjen edhe pyetja: se për cfarë uniteti flasin dhe që mund të arrijnë ata, pëveçse “unitetin” për të mbrojtur zullumet, vjedhjet dhe poshtërsitë e veta.

E çfarë uniteti mund të kenë politikanët shqiptarë kur ata garojnë dhe vjedhin edhe vullnetin e popullit, votën e tyre. A  mund të bëjë unitet pushteti dhe politika e cila në pushtet është në mënyrë antidemokratike dhe kunderlegjitime?! Kush i beson atyre?! Politikanët shqiptarë kujtohen për unitet pas dëmeve të rënda që ata u kanë  bërë shtetit dhe shqiptarëve; u kujtohet “uniteti” kur treni dhe koha  ikin shumë larg. Është fatkeqësi dhe dëshpëruese fakti që kjo politikë të kërkojë unitet,  kur ajo  tradhton, vjedh, korrupton  dhe  kriminalizohet.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat