Rasti i deputetes Bogujevci shpërfaqë dëshpërimin e madh të LDK-së!

Opinione

Rasti i deputetes Bogujevci shpërfaqë dëshpërimin e madh të LDK-së!

Nga: Dren Dushi Më: 23 nëntor 2020 Në ora: 13:07
Dren Dushi

U ngutën ta rrëzojnë Qeverinë më legjitime dhe më entuziaste të pas luftës, të cytur nga frika e një vetingu dhe një inati lozonjar politik, LDK ndodhet në një gjendje të mjerë, pak a shumë sikurse edhe PDK, simotra e saj.

E tërë maskarada (që më imponohet ta them me keqardhje) u maskua përmes një tjetër maskarade, kësaj rradhe diplomatike, me në krye të saj Ambasadorin Grenell. Por kjo maskaradë e një komploti kundër Qeverisë Kurti, në të cilin komplot morri pjesë (merr akoma meqë saboton disa adresime) edhe Gjykata Kushtetuese, skadoi me rënien e Presidentit Trump, siç skaduan edhe shumë skandale tjera në SHBA dhe gjetkë, meqë superfuqia u ndodh në duart e një njeriu si Trump, që tashmë bota po i gëzohet largimit të tij.

U tha se Kosova nuk duhet të jetë reciproke me Serbinë që e dhunoi, vrau dhe që punon çdo ditë e natë për ta zhbërë. U tha se serbët mund të sillen si të duan me ne, por ne duhet të sillemi siç ata duan. Ishte një politikë totalisht në dëm të Kosovës, e ngutshme dhe e pa përgjegjshme, arrogante, në të cilën morri pjesë edhe LDK meqë ju premtua mbështetje dhe pushtet. Ky është episodi mbase më i rëndë i historisë politike të Kosovës, ku një subjekt politik, i kapur nga një strukturë e njerëzve mediokër dhe të korruptuar, merr vendim totalisht kundër interesit nacional, duke e arsyetuar me “prishje të raporteve me Amerikë”, e që në të vërtetë u prishën raportet me Brukselin, respektivisht Gjermaninë dhe Francën pas demarshit që bën për mosrrëzimin e Qeverisë Kurti.

Tashmë që të gjitha llogaritë që u bënë në Beograd, lëshimi skadaloz i diplomacisë së Kosovës, dhe pozicionimi i LDK-së për të marrë ca paga e borde, tenderë e për të anuluar vetingun, kjo parti ndodhet në një gjendje deliri politik, pra në një gjendje që më së miri e përshfaqë sjellja e Driton Selmanajt e Arben Gashit, si dy figura politike që madje kanë “lluksin” e mos pasjes së turpit për të fyer edhe një viktimë tepër të ndjeshme me historinë e saj fatkeqe si deputetja Saranda Bogujevci.

Por nuk është e tëra lajm i keq. Kjo sepse LDK e kapur nga klasa e tre përqindëshit, dhe trashëgimisë politike post-titiste të Rahman Morinës, në zgjedhjet e ardhshme do të shndërrohet në një parti të vogël, dhe kur një subjekt politik i tillë shndërrohet në vegjëli politike, dëmi i saj zvogëlohet.

Duhet të jetë një degradim e dëshpërim eskalues, që partia e dikur Presidentit Rugova, ta lus PDK-në që ta shpëtoj për të vazhduar edhe disa kohë pushtetin e saj të mjerë, meqë frika e një ndëshkimi të madh elektoral është duke e bërë edhe agresive. Por si duket, PDK do të lozë një kohë të mirë me LDK-në, siç bënte kjo e fundit me LVV-në para se të krijohej koalicioni anipse ndodhej nën një presion të madh publik. Duket se LDK-në po e përcjell kënga e pop këngëtarit amerikan Justin Timberlake “What goes around...”.

Tash LDK-së i duhet një mrekulli e Akademikut nga Prapashtica, meqë në LDK ekziston një konsensus se Akademiku është shumë i menqur. Sigurisht, që Akademiku ka filluar t’i vardiset PDK-së për ta shpëtuar, por kjo duhet të bëhet me një çmim të madh, aq sa kjo neveria që ka shkaktuar LDK me rrëzimin e Qeverisë Kurti, të dyfishohet kur ta zëvendësoj me PDK-në. Por ka një problem, të cilin Akademiku e ka shumë të vështirë ta zgjedhë, ky problem quhet Ramush Haradinaj.

Haradinaj, kishte dhënë dorëheqje nga posti i Kryeministrit kur ishte ftuar në Hagë, por kishte bërë po të njejtën gjë edhe kur u ftua nga Dhomat e Specializuara, sidoqoftë si njeri makiavelist, ai nuk hezitoi të shpallë kandidaturën e tij për President, duke ia prishur të gjitha kalkylimet Akademikut të Prapashticës. Kjo sepse, Akademiku kishte llogaritur që posti i Presidentit t’i vazhdohet si kontratë PDK-së (i takon do thonin në LDK), por nuk ka llogaritur se për të premtuar diçka, duhet së pari ta posedosh fuqinë për ta realizuar, e këtë fuqi nuk e ka në duar i menquri i LDK-së.

Pa AAK-në (Ramush Haradinajn), dhe LVV (apriori meqë nuk do një President tjetër si Thaçi), në Kuvendin e Kosovës nuk mund të zgjidhet Presidenti i ri i vendit, pra kjo nënkupton se vendi do të shkoj në zgjedhje, vetëm në rast se Akademiku ka një “plan akademik” (jepje e pushtetit pothuajse total për AAK-në dhe PDK-në) dhe që të vazhdohet tutje me kapjen e shtetit.

Këto probleme, janë arsyet përse LDK ka filluar të kaloj në një gjendje agresive politike, një delir politik dhe një sjellje të pa pranueshme në Kuvendin e Kosovës, më e mira për ta, do të ishte një mbledhje e gjerë e antarësisë, dhe një ndryshim në masën 80% të strukturave vendimmarrëse të saj, çdo udhë tjetër politike, është rrugë pa krye për këtë strukturë arrogante që ka kapur LDK-në. Gjasat që kjo të ndodhë në LDK janë pothuajse inekzistente, kjo për arsye sepse tashmë fokusi nuk është si të ngallet nga vdekja “klinike” kjo pari, por si të ndërtohet një e re totale, të cilës do t’i prijë Vjosa Osmani. Pra historikun e LDK-së mund ta përfundoj si duhet një grua, meqë burrat si Daci e Sejdiu nuk arritën ta bëjnë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat