Njëzet vjet me përkushtim në strukturat e Policisë Ushtarake

Opinione

Njëzet vjet me përkushtim në strukturat e Policisë Ushtarake

Nga: Gëzim LOKA Më: 23 nëntor 2020 Në ora: 13:53
Mevlud Myrta

Me dhimbje të thellë mësova lajmin e ndarjes nga jeta, në moshën 56 vjeçare të Mevlud Myrta, njeriut të mirë dhe ushtarakut shembullor. Humbja e tij është humbja e një biri të denjë priskian, një njeriu që rrezatonte mirësi dhe fisnikëri. Duke i shprehur ngushëllimet e mia të sinqerta familjes, të afërmve, miqve dhe farefisit, mendja dhe kujtesa kthehet në kohë dhe ndjek gjurmët e këtij njeriu aq të dashur e fisnik, i cili nuk është më dhe trishtimi na ka pllakosur për humbjen e tij…

Iku dhe një tjetër mik nga kjo jetë, në këtë stinë të trishtë, duke lënë pas një emër të nderuar, që do të kujtohet përgjithmonë, jo vetëm nga familja e farefisi, nga kolegët e tij të policisë ushtarake, ku punoi njëzet vjet me radhë, por nga të gjithë ata, që edhe pse nuk e njohën nga afër, kanë dëgjuar fjalë të mira për të, për këtë burrë fisnik e të fjalës së mbajtur.

Mevlud Myrta lindi në Priskë, më 4 shkurt 1963, në një familje tiranse me tradita njerëzore e atdhetare, me dashurinë e madhe për punën dhe vlerat e një shoqërie, që ndërtohet tek besa dhe dinjiteti human. Shkollën tetëvjeçare dhe të mesmen i kreu në Farkë dhe punoi për njëzet vjet rresht në policinë ushtarake, ku u dallua për ndershmëri e përkushtim, duke bërë më të mirën e mundshme, që kjo strukturë e mbrojtjes sonë kombëtare të jetë në efiçensë të plotë, në përputhje me standardet më të avancuara të kohës. Pas largimit nga Ushtria është marrë me biznes, gjithmonë buzagaz, me një humor të hollë, i gjendshëm me shokë e miq, asnjëherë i izoluar në punë të tij, në egon e tij, por gjithmonë i hapur, i ngrohtë dhe zemërgjërë me të gjithë.

Familja e tij erdhi nga Priska në Tiranë në vitin 1978 dhe ia doli që me punë e djersë, me sakrifica, me dashuri dhe besnikëri për njerëzit, të gëzonte respektin dhe besimin e të gjithëve.

gruan e tij Fatbardhën rritën dhe edukuan dy fëmijë të mrekulueshëm, djalin, Ergysin, i cili ka mbaruar Shkollën e Policisë në Turqi dhe punon në policinë kriminale, në drejtorinë e Policisë Durrës dhe vajzën e tyre, Lorena Nikolli.

Jeta për ushtarakun plot ëndrra dhe pasione Mevlud Myrta ishte deri në frymën e tij të fundit një sfidë e hapur, me të cilën ai u përball në vazhdimësi, vit pas viti e kohë pas kohe, për t’i dhënë një kuptim shenjave të tij në punë dhe në jetën e përditshme.

Teksa këmbenim dy fjalë me Vladimir Çunaj, e kuptoja se koha kishte mbetur po aty, në kohën kur e njoha aktiv dhe të përkushtuar, teksa energjik dhe kurajoz, përveshi mëngët dhe doli në rrugën e një ëndrre të madhe, për t’i shërbyer vendit të tij, si ushtarak i Republikës së Shqipërisë, si bir qëndrestar i popullit dhe Atdheut.

Falë asaj përvoje të çmuar që kishte fituar në punën e tij si ushtarak karriere, kjo i pati shërbyer më së miri për të ndërtuar një punë efikase me njerëzit edhe në punët dhe përkushtimet civile, ku gjithashtu ishte dhe mbeti një misionar në punën e tij të përkushtuar dhe plot zell për t’iu shërbyer të tjerëve.

Lamtumirë kolegu dhe miku im i mirë! Do të na mungosh shumë…I lehtë të qoftë dheu i tokës mëmë! Zoti të prehtë në Paqen e Tij të Përjetshme!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat