Mos i hapni dritaret!

Opinione

Mos i hapni dritaret!

Dush Gashi Nga Dush Gashi Më 24 nëntor 2020 Në ora: 13:02
Prishtina e zhytur në smog

1.

Kur ajri, sipas indeksit të cilësisë së ajrit vlerësohet si "i pashëndetshëm" apo "shumë i pashëndetshëm", është më mirë të mos i hapni dritaret. Në Prishtinë, po edhe në qendra tjera urbane, ka qenë i tillë për shumë ditë qëkur ranë temperaturat nga fundit i tetorit.

Ndonëse tash, duke iu falënderuar sistemit automatik të monitorimit, të dhënat për cilësinë e ajrit mund të përcillen në kohë reale në internet, njerëzia tash nuk reagojnë, sepse me gjasë jemi mësuar që kjo gjendje tash të jetë "normalitet". Por, rreziqet janë po ato.

Grimcat e pluhurit, të cilat shënohen si PM10 apo PM2,5, e që paraqesin vetëm njërin nga më shumë lloje ndotësisht të ajrit, meqë janë tepër të imëta, me diametër 10, përkatësisht 2,5 të miliontat e metrit, siç thuhet edhe në raportin për gjendjen e ajrit të Agjencisë së Kosovës për mbrojtjen e mjedisit, depërtojnë thellë në mushkëri dhe në sistemin e qarkullimit të gjakut, duke shkatuar rënie të imunitetit, por edhe ndikime në sistemin kardiovaskular dhe sulme në zemër.

Në Raportin për gjendjen e ajrit në Kosovë për vitin e kaluar thuhet se tejkalime të theksuara të vlerave kufitare të këtyre grimcave kishte pothuaj se në shumicën e stacioneve monitoruese gjatë muajve të vjeshtës e të dimrit. Se kjo nuk është punë për të cilën mund te thuhet "hajt more se bâhet mirë", tregojnë të dhënat se në rajonin e Prishtinës, numri i qytetareve me sëmundje respiratore vitin e kaluar ka qenë me 167.550 raste (me shkronja: njëqind e gjashtëdhjetë e shtatë mijë e pesëqind e pesëdhjetë), ndërsa me sëmundje kardiovaskulare janë regjistruar 54.784 raste. Po të pjesëtohen këto shifra me numrin prej 365 ditësh të vitit do të shihet se ne faktikisht jemi në një "epidemi" permanente, ndoshta më të rëndë se kjo aktualja e virusit korona.

Ajri i ndotur i këtyre ditëve është tregues i mjaftueshëm se edhe gjatë këtij dimri do të jetë i tillë, varësisht prej kushteve meteorologjike, përkatësisht sa herë që do të ketë shtypje të lartë atmosferike, pa erë e pa të reshura.

2.

Por, kjo nuk është pjesa më e dhimshme e tregimit. Më e keqja është se me mbrojtjen e mjedisit askush nuk merret seriozisht. Ministrat, në përgjegjësi të të cilëve është kjo fushë, ndonëse rregullisht i shkruajnë tekstet hyrëse (me fotografinë e obligueshme të tyre) në studimet të cilat i inicon dhe i financon BE-ja, vijnë e shkojnë pa e dëshmuar me asgjë se vërtet janë të përkushtuar për mbrojtjen e mjedisit. Njëri syresh, madje, duke menduar se mund të na duket simpatik me sinqeritetin e tij, ka deklaruar publikisht se deri sa nuk është bërë ministër ka menduar se mbrojtje e mjedisit është vetëm mbledhja e mbeturinave! Na falni zotëri, po nuk është diçka me çka mund të qeshim së bashku! Përkundrazi, duhet të pyetemi a keni kaluar nëpër shkollën e mesme, apo a e keni lexuar ndonjëherë ndonjë gazetë të vetme seriozisht! Të mos flasim pastaj se do të duhej të dije edhe se pikërisht një adoleshente suedeze, 17-vjeçare, që quhet Greta Thunberg, është ajo e cila ka ngritur botën në këmbë rreth ngrohjes globale, madje ka folur edhe në OKB dhe i ka qortuar mirë burrat e burrecat e shteteve!

Si do të mund t'i shpjegohej këtij burri se edhe Kosova, me 98 për qind të energjisë së saj të prodhuar nga thëngjilli, ndërsa ka edhe industri tjetër ndotëse, pos që i helmon qytetarët e saj, e ka edhe hisen e vetë në ngrohjen globale? Apo, për shembull, se kemi disa lloje bimësh endemike, të cilat nëse nuk i ruajmë, e janë vetëm në dorën tonë t'i rujamë - faktikisht më nuk do të ekzistojnë në botë!

Por, ky nuk është margaritari i vetëm i këtij sektori. Në faqen në internet të Ministrisë së ambientit dhe të planifikimit hapësinor, mund të lexohen dy lajmet në vazhdim.

I pari thotë se ministri i ambientit dhe planifikimit hapësinor, në një takim me “përfaqësuesit e komunës së Pejës, Gjakovës, Deçanit dhe Junikut”, “ka prezantuar draftin final (e lexuat mirë: final) të planit hapësinor për rregullimin e parkut kombëtar “Bjeshkët e nemuna”. Ministri ka vlerësuar se plani, i cili ka qenë “transparent” dhe se për të “është arritur konsensus i plotë midis institucioneve qëndrore, atyre lokale dhe banorëve që jetojnë në hapësirën e parkut” – “paraqet një mundësi të shkëlqyeshme për zhvillimin ekonomik të komunave përkatëse dhe promovim më të mirë të vendit tonë dhe njëkohësisht do të ndikojë dukshëm në mbrojtjen dhe përmirësimin e mjedisit”.

Lajmi i dytë pothuajse është identik me të parin: ministri është takuar përsëri me përfaqësuesit e pesë komunave të përmendura të Dukagjinit, përsëri temë është draft-plani hapësinor i parkut kombëtar “Bjeshkët e nemuna” dhe hapat që duhet ndërmarrë “për ta shtyrë përpara deri në aprovimin e tij” për çka edhe është duke u punuar “në mënyrë intensive me të gjithë akterët”.

Ajo që është e fshehur në këto dy lajme janë emrat e ministrave: në të parin është Ferid Agani, në të dytin Blerim Kuçi (ky i fundit tash i ekonomisë dhe ambientit, për shkak të fuzionimit të dy ministrive). Edhe datat: takimi i parë ka ndodhur më 12 prill të vitit 2016, i dyti më 9 korrik të vitit 2020! Mes dy takimeve kanë kaluar plot katër katër vjet e katër muaj! Madje, ka edhe vite tjera përpara qëkur ky plan "final" pret të miratohet!

Por, deri sa për pushtetarët ka ndaluar koha, të tjerëve u ka ecur si gjithmonë! Në Bjeshkët e nemuna gjatë tërë këtyre viteve janë prerë drunjtë dhe janë bërë ndërtime pa leje, duke vënë në pyetje se çfarë ka mbetur të mbrojë Ministria e ekonomisë dhe ambientit?!

3.

Megjithatë, ka edhe lëmi të cilat ministrat tonë i njohin mirë: konferencat (njëri madje ka udhëtuar deri në Dubai!) dhe, sidomos - tenderët, me gjithë çka nënkupton kjo në Kosovë! (Prej kësaj skeme duhet përjashtuar vetëm Albena Reshitajn, e cila, ndonëse nuk i ka shpjeguar deri në fund shkaqet, duket se ka qenë e pakënaqur mu me atë se si procedohen tenderët dhe ka dhënë dorëheqje). Prandaj kanë investuar kryesisht në rregullimin e shtretërve të lumejve.

Për zhgënjimin e tyre, duhet thënë se as kjo nuk ka të bëjë fare me mbrojtjen e mjedisit. Rregullimi i shtretërve të lumejve mund t'i sjellë dobi bujqësisë me përmirësimin e kushteve për ujitje, apo mund të krijojë panorama më të bukura të qyteteve, por për mbrojtjen e biodiversitetit të lumenjve dhe të fushave e pyjeve nëpër të cilat kalojnë - nuk e bën asnjë ndikim. Përkundrazi, bota e gjallë e tyre më së miri mbrohet duke i lënë në gjendjen e tyre natyrale, prandaj nga Evropa edhe bëhet thirrje që të ruhen lumenjtë e paprekur të Ballkanit, të vetmit që kanë mbetur të tillë në kontinent! Ndërsa nëse do të donin t'i mbrojnë lumenjtë, për shkak të biodiversitetit të tyre, por edhe për shkak të shëndetit të popullatës, do të duhej të bëjnë krejtësisht diçka tjetër: të ndërtojnë impiantë, që ujërat e zeza të mos derdhën në lumenj, siç derdhen edhe sot e kësaj dite në mesjetë! (Gjilani pritet ta ketë një të tillë, me investime nga BE-ja).

"Sot, lumenjtë e Kosovës, janë në gjendje të mjerueshme pa një përkujdesje institucionale. Ata janë shndërruar në deponi për hedhjen e mbeturinave inerte dhe në vend-shkarkime të ujërave të zeza dhe të mbetjeve industriale. Ata janë bërë cak i kompanive që nxjerrin zhavorr e që dëmtojnë pellgjet dhe rrjedhën natyrale të tyre, dhe shtëpi të hidrocentraleve që në përditshmëri afektojnë volumin dhe rrjedhat natyrale dhe që fusin këta lumenj në gypa për kilometra të tërë", thuhet në një raport të sivjetshëm të KDI-së për gjendjen e lumenjve.

Nga ana tjetër, ka shumë gjëra të dobishme që mund të bëhen edhe pa investime. Në qoftë se e kemi humbur hapin me ngitjen e kapaciteteve të burimeve të ripërtëritshme të energjisë, atëherë së paku do të mund të kontrolloheshin ndonjëherë ndotësit aktualë, në mos mund të bëjnë përmirësime në teknologjinë e tyre apo vetëm në mirëmbajtje për ta zvogëluar emetimin e materieve.

Apo, të ndalet ndërtimet pa plane urbanistike në qytete, të cilat, pos që po shëmtohen urbanikisht e arkitektonikisht dhe po bëhen jofunksionale, edhe po ngulfaten me ndërtesa, duke mbyllur kështu korridoret për rrymimin e ajrit dhe largimin të smogut. Apo, që të miratohet më në fund Plani hapësinore i Bjeshkëve të nemuna, i cili është i gatshëm tash e sa vjet; të miratohet harta zonale e Kosovës dhe ato të komunave, shumë prej të cilave thonë se i kanë të gatshme dhe njëherë e mirë të dihen kufijtë e tokës urbane e asaj bujqësore apo e natyrës që duhet të ruhet...

Edhe ministri aktual, Blerim Kuçi duket kontradiktor, njëherë thotë se s'kemi lumenj për hidrocentrale, por për atë në grykën e Deçanit mjaftohet me "kritere", ndërsa përsëri, për planin hapësinor të Beshkëve të nemuna thotë se do të dërgojë një rregullator...?!

Mbase po na tregon se, pasi njeriu e sheh pushtetin nga brenda, transformohet sikur ta ketë kapërdirë një vrimë të zezë, në të cilën nuk vlen asnjë ligj i njohur në botën këndej?

Apo atë që e dimë edhe nga të gjitha fushat tjera: se pushteti i Kosovës edhe më tej mbetet vrima e zezë e këtij vendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat