Marrëveshja për themelimin e Asociacionit duhet të pezullohet

Opinione

Marrëveshja për themelimin e Asociacionit duhet të pezullohet

Nga: Mr. sc Shpend Salihu Më: 24 nëntor 2020 Në ora: 16:51
Mr. sc Shpend Salihu

Si pasojë e veprimeve destruktive që Qeveria e Serbisë dhe diplomacia serbe po i zhvillon në mënyrë kontinuele, me qëllim që shteti i Kosovës të dështojë, mos të ketë njohje të reja për Kosovën dhe eventualisht të zhbëhet mëvetësia e Kosovës.

Derisa pala jonë Kosovare në negociata, rregullisht pranoi çdo kompromis të mundshëm me palën serbe me insistimin e një pjese të një komuniteti ndërkombëtar, është më se evidente se serbët në këtë drejtim, nuk ndërmorën në asnjë veprim që t’i relaksojnë relatat me Kosovën, të kërkojnë falje publike për krimet e bëra nga regjimi serb ndaj Shqipëtarëve të Kosovës gjatë luftës në Kosovë, nuk i kthyen mbetjet mortore etj, gjërat për të cilat në shume evenimente të ndryshme apostrofova dhe i shtjellova, atëherë shtrohet pyetja?

Si mund të krijohet Asociacioni i Komunave Serbe, derisa pala serbe rregullisht bën fushatë të madhe dhe të egër, ndaj shtetit sovran dhe të pavarur të Kosovës. Pavarësisht firmosjes së marrëveshjes së Asociacionit, vetë vendimi i GJND-së që e njeh legjitimitetin e aktit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, është argument ipso jure, edhe për mekanizmat ndërkombëtarë, që në parim të kalohet nga faza e pavarësisë së kushtëzuar në drejtim të pavarësisë së plotë për shtetin tonë.

Veprimet e fundit të Qeverisë serbe ku haptazi përmes çarqeve të ndryshme politike dhe mediale, proklamuan të drejtën e shtetit serb ndaj Kosovës, dhe publikisht u deklaruan se janë duke planifikuar edhe ushtarakisht të ndërhyjnë në Kosovë, me ç ‘rast në mënyrë deklarative pohuan ndjenjat e tyre shpirtërore që të përsërisin agresionin ndaj një shtetit sovran dhe të pavarur, i cili ka edhe mbështetjen e trupave të NATO-së në Kosovë, në drejtim të ruajtjes dhe konsolidimit të strukturës së sigurisë nacionale, na shpie në përfundim se ndaj një shteti të tillë, duhet të kundërveprohet me monedhë të njëjtë. Siç dihet, marrëveshjet ndërkombëtare edhe pse prodhojnë efekt erga omnes ndaj palëve kontraktuese të marrëveshjeve të firmosura, sipas praktikës të së drejtës ndërkombëtare ato marrëveshje mund të pezullohen përkohësisht ose edhe të abrogohen në mënyrë të njëanshme, nëse prishen ose acarohen marrëdhëniet ndërshtetërore.

Prishja e marrëdhënieve ndërshtetërore sipas praktikës të së drejtës ndërkombëtare, nuk ka përfillur shumë konventa dhe traktate ndërkombëtare, pasiqë ezaurimi ose tensionimi i marrëdhënieve ndërshtetërore, nënkupton të drejtën e një shteti sovran dhe të pavarur, që t’i shkëputë të gjitha relatat me atë shtet, me të cilin kishte firmosur marrëveshje të karakterit ndërkombëtar. Me vetë faktin që Serbia akoma nuk e njeh sovranitetin e shtetit të Kosovës, si dhe me atë se rregullisht kërcënohet për zhbërjen e shtetit të Kosovës, e mes tjerash lobon dhe avokon fuqishëm në rrafsh ndërkombëtar, për revokimin e njohjeve të shtetit të Kosovës, nga të gjitha ato shtete që vetë e kanë njohur Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur, është argument esencial i të drejtës ndërkombëtare që Kosovës ti jepë të drejtë jo vetëm në pezullimin e marrëveshjeve të firmosura me Serbinë, por edhe në shkëputjen e çfarëdo relate, të çfarëdo natyre me atë shtet.

Veprimet e Serbisë dhe Qeverisë Serbe, i kanë kaluar kornizat e normalitetit ndaj Kosovës, andaj argumentet e prezantuara këtu janë komponentë esenciale që në negociatat e ardhshme të pezullohet marrëveshja e Asociacionit, bile edhe shkëputja e çfarëdo relate karshi Serbisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat