Të drejtat qytetare të shtazëve

Opinione

Të drejtat qytetare të shtazëve

Nga: Fadil Lepaja Më: 25 nëntor 2020 Në ora: 11:53
Fadil Lepaja

Nuk e keni lexuar gabim. Shtazët i kanë të gjitha të drejtat "qytetare" në Kosovë edhe pse vështirë se janë të vetëdijshme për këtë. Ka mendime se falë aktivitetit për të drejtat e shtazëve, në praktikë së paku, të drejtat e tyre i tejkalojnë edhe të drejtat e qytetarëve. Zëri i qytetarëve, shoqëria civile, për dallim, janë shuar. Nuk është e qartë nëse u shuan ngase po jetojmë në kushte lufte qytetare me virusin, apo sepse nuk ka më donacione.

Ndërkohë, qenët nëpër grupe të organizuara shëtisin të papenguar nëpër sheshe. Ende nuk ka ndodhur ndonjë ndonjë konflikt përmasash të gjera mes njerëzve dhe shtazëve lidhur me atë se i kujt është sheshi, pasi për dallim prej kopeve të shumta qenësh të cilët i kanë pushtuar sheshet, qytetarët janë mbyllur nëpër shtëpi pasi kafenetë dhe qendrat e mëdha tregtare/argëtuese, me vendim të qeverisë, nuk punojnë. Madje, qentë, të cilëve të gjithë ua lëshojnë rrugën, përfshirë patrullat e policisë, duket se edhe territorin e kanë ndarë, pasi mes tyre nuk ka luftëra dhe po e respektojnë kodin.

“Covidi” ka ndikuar edhe në këtë marrëdhënie njeri-shtazë. Kohëve të fundit, sheshet “Skendërbeu”, “Ibrahim Rugova”, “Nëna Terezë”, “Sheshi i Zahirit”, në orët e vona marrin pamje apokaliptike. Vetëm patrulla të policisë dhe kope qenesh të zhurmshëm anashkalohen, pa ndonjë incident të regjistruar deri më tani. “Jemi bërë si pulat. Në mbrëmje po na mbyllin e në mëngjes po na lirojnë”, e tha dikush në rrjetet sociale dhe qeshëm. Pastaj, të gjitha orët policore janë vendosur me këtë motivacion, pra për të mirën e përgjithshme.

Sido që të jetë, kjo çfarë po flitet se ka ndodhur këto ditë në Prishtinë, duhet të nxis debate serioze në parlament apo në televizione tona nacionale, lidhur me të drejtat dhe (pa) përgjegjësitë e shtazëve në këtë vend. Këtu kemi të bëjmë me konflikt llojesh dhe parimesh dhe duhet të reagojnë patjetër jo vetëm politika por edhe ajo që ka mbijetuar nga shoqëria civile. Në rregull, mund të tolerohet kur qeni e ha ndonjë pensionist të lodhur rrugicave të errëta të kryeqytetit, apo ndonjë fëmijë të komunitetit rom, si edhe i ka toleruar politika jonë, por ajo që ndodhi këto ditë në një lagje të kryeqytetit, nuk bënë të tolerohet nga qeveria lokale e kryeqytetit. Është çështje parimi. Nëse komuna nuk reagon, duhet të ndërhyjë personalisht kryeministri, pasi presidenti i cili përkrahte shoqërinë civile, nuk ndodhet këndej pari.

Mendoj se kryeministri, apo së paku kryetari i Prishtinës, duhet të ndërhyjnë personalisht. Shtazët duhet mbrojtur, kryetar, se njeriu mbrohet vet. Duhet mbrojtur shtazët edhe nga shtazët, jo vetëm nga qytetarët. Qytetarët kanë lëshuar rrugë, duke parë aleancën joformale të politikës me grupet endacake të qenve kështu që nuk ka shpresë. Për pensionistët ka zgjidhje. Ata mund të shëtisin ditën apo të shëtisin vetëm në grupe. Mund edhe të anashkalojnë kontejnerët, sepse grupet e qeneve këtë mund të e kuptojnë si atak ndaj ushqimit të tyre. Edhe fëmijët mund të kapen përdore, apo të shoqërohen nga familjarët e tyre, që nuk frikësohen nga qentë. E kush nuk ka fikë nga qenët, sot?

Qeveria natyrisht mund të organizojë edhe kurse vrapimi, edukimi për pensionist dhe fëmijët, se si të iket nga tufa e qeneve endacak, të cilët së fundmi si duket kanë arritur shkallë të lartë vetë organizimi. Nganjëherë numri i tyre është aq i madh dhe lëvizin me drejtim dhe me udhëheqje të qartë.

Pra, njeriun mund ta hanë, por shtazët e tjera jo. Flitet se një zonjë u ankua që kopeja e qeneve, me shumë gjasë të ardhur, apo të sjellë në kryeqytet së voni, ja kishin shqyer macen e saj. Ajo paska rrëfyer për tmerrin e asaj nate. Macja e vogël, e bardhë si bora, i paska ikur nga banesa, pikërisht në kohën e orës policore dhe ajo nuk kishte guxuar të dilte për ta kërkuar.

Tash, këtu, bandat kriminale të qenëve që shëtisin të lirë dhe hanë pensionist apo fëmijë, nuk mund të mbrohen më vetëm me të drejtat e shtazëve. Kuptohet, shtazët nuk mund të kryejnë krim dhe të shpallen të fajshme por mund të parandalohen. Këtu vetëm shoqëria civile dhe debatet bëjnë punë. Duhet vetëdijesim për bashkëjetesën dhe të drejtat e shtazëve, por edhe të njerëzve.

Edhe macja ka të drejtat e saj qytetare, po aq sa qenët dhe njerëzit. Edhe macet janë shtazë. Edhe njeriu është njëlloj “shtaze politike”, prandaj ftoj shoqërinë civile, të ngritë zërin për viktimën krejtësisht të pafajshme, macen e zonjës X. Duhet të vihet rend në kryeqytet. Zonja e moshuar ka nevojë të mbrohet edhe si pensioniste, por ju duhet të reagoni fuqishëm, sikur në kohë kur ndahen donacionet, sidomos për të mbrojtur macen e saj dhe të drejtat e shtazëve të tjera për të shëtitur të lira dhe pa frikë rrugëve të kryeqytetit. Nëse jo për njerëzit, ju lutem, bëjeni për shtazët.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat