Formula e një zgjidhjeje “me dy shtete”, më realistja në gjendjen e bllokimit total ku ka hyrë Qiproja pas 50 vitesh bisedime dhe një krize të stërzgjatur diplomatike

Opinione

Formula e një zgjidhjeje “me dy shtete”, më realistja në gjendjen e bllokimit total ku ka hyrë Qiproja pas 50 vitesh bisedime dhe një krize të stërzgjatur diplomatike

Nga: Shaban Murati Më: 25 nëntor 2020 Në ora: 12:01
Shaban Murati

Një nga konfliktet diplomatike më të gjata, që ka ecur gjithnjë e më tepër drejt komplikimit se sa drejt zgjidhjes, është çështja qipriote. Një nga shkaqet kryesore është se në procesin e stërzgjatur diplomatik të përpjekjeve ndërkombëtare dhe të bisedimeve për zgjidhjen e çështjes qipriote kanë munguar idetë e reja dhe ka patur një këmbëngulje për të qëndruar në llogoret përkatëse të palëve. Ndaj ideja e re, që hodhi në datën 15 nëntor presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, për aplikimin e formulës së “dy shteteve” ka ngjallur interes në qarqet diplomatike ndërkombëtare. Gjatë vizitës së tij zyrtare në Republikën Turke të Qipros Veriore në 15 nëntor presidenti turk deklaroi se “Sot në Qipro kemi dy popuj të ndarë, dy rende demokratike të ndara dhe dy shtete të ndara. Zgjidhja me dy shtete duhet të diskutohet dhe të negociohet mbi bazën e sovranitetit të barabartë”.

Formula e zgjidhjes “me dy shtete” del si një ide e re diplomatike, që ofron një rrugë më realiste për zgjidhjen e një konflikti diplomatik që zgjat prej afër 50 vitesh. Nuk duhet harruar se kriza qipriote u krijua nga përpjekja e përbashkët e Greqisë dhe e Qipros në vitin 1974 për të bashkuar ishullin me Greqinë nëpërmjet një grushti shteti në Nikosia, gjë që detyroi Turqinë të ndërhynte ushtarakisht për të mbrojtur popullin turk të Qipros nga aneksimi grek. Ja çfarë shkruan prestigjiozja“Dojçe Vele” në datën 15 nëntor 2020:”Invazioni turk i vitit 1974 ishte në përgjigje të grushtit të shtetit të ndërmarrë në Nikosia nga junta ushtarake e Greqisë, akt që u deklarua i paligjshëm nga OKB. Marrja e pushtetit synonte që të lejonte aneksimin e tërë ishullit nga Greqia”. Athina dështoi me planin e saj ENOSIS apo bashkimit të Qipros me Greqinë, por ajo mbeti shteti, që kontrollon dhe drejton Qipron greke. Ambicia e vjetër greke e bashkimit ë ishullit me Greqinë ka plazmuar në Nikosia një qëndrim intrasigjent në bisedimet për çështjen qipriote, që ka shpënë në dështimin e gjithë odisesë së bisedimeve shumëdekadëshe diplomatike. Sepse Athina e konsideron tërë Qipron si pjesë të saj dhe po e përdor si instrument kryesor diplomatik dhe politik të ambicjes megallomane për të dominuar Mesdheun.

Përse formula e zgjidhjes “me dy shtete” është një propozim realist?

Së pari, ajo merr në konsideratë gjendjen e realitetit në terren ose gjendjen e fakteve juridike dhe politike. Ky impostim realist llogarit gjendjen dhe konfiguracionin real dhe të ri gjeopolitik, ku prej afro pesëdhjetë vitesh praktikisht kemi një Qipro të ndarë në dy shtete. Është krijuar një realitet të ri gjeopolitik, para të cilit nuk mund të mbyllësh sytë dhe as të kthehesh prapa. Kemi de facto dy shtete: Republikën e Qipros, që në të vërtetë është Republika Greke e Qipros Jugore, e cila për traditë mbeti anëtare e OKB dhe u bë në vitin 2004 anëtare e BE nga një strategji okulte e BE, e cila pranoi si anëtar një gjysmë-shtet. Kemi edhe Republikën Turke të Qipros Veriore, që është një realitet politik, që funksionon me të gjitha parametrat e shtetit, por të cilën e njeh vetëm Turqia. Pra kemi dy shtete, që funksionojnë pavarësisht nga njeri-tjetri në territorin e ishullit qipriot. Formula e “dy shteteve” pranon këtë gjendje de facto në terren dhe kërkon që ky status të shndërrohet në një realitet juridiko-politik të pranuar nga të dy shtetet qipriote dhe si subjekte të pavarura të së drejtës ndërkombëtare.

Së dyti,dështimi i të gjitha formulave dhe propozimeve të deritanishme të diskutuara në tryezën e bisedimeve për çështjen qipriote. Dështuan dekada bisedime me formulat e vjetra të zgjidhjeve bizonale, bikomunitare dhe federale midis palëve dhe garantuesve ndërkombëtarë të Qipros, që janë Turqia,Greqia dhe Britania e Madhe. Në korrik të vitit 2017 dështoi konferenca e fundit ndërkombëtare në Zvicër për çështjen e Qipros. Pengesa kryesore e rezultatit ka ardhur nga këmbëngulja e Qipros greke për të ruajtur primatin e saj mbi popullin turk të Qipros së Veriut në një federatë bizonale apo bikomunale, siç ka qenë propozuar deri tani. Qipro greke ka këmbëngulur në zgjidhjen federale, por pa i njohurpopullit turk të Qipros barazi politike. Sipas presidentit qipriot grek Anastasiades barazia politike e dy popujve në një federatë krijon një shtet disfunksional. Në fakt disfunksionale rezultoi zgjidhja federale, që i futi bisedimet në rrugë pa krye. Gazeta qipriote greke “Cyprusmail” shkruante në 26 tetor 2020 se “Është e qartë si drita e diellit se federata, siç është shtruar në të kaluarën, nuk është më një opcion që mbijeton”. Kaq e vërtetë është kjo sa që edhe vetë presidenti Anastasiades ka qenë i detyruar të pranojë që zgjidhja federale është tashmë një alternativë e kapërcyer nga koha. Në tetor të vitit 2018 presidenti qipriot grekofil për krijimin e një konfederate, që de facto është një bashkim shtetesh me lidhje të dobët varësie ndaj njeri-tjetrit. Sipas një raporti të hartuar nga fondacioni gjerman “Henrick Boll” me titull:“Qipro ndoshta nuk do të ribashkohet kurrë përsëri” shkruhet se “Oponentët politikë të Anastasiades sugjeruan që ai po e merr në konsideratë zgjidhjen “me dy shtete”. Është zbuluar se udhëheqësi qipriot grek Anastasiades dhe ministri i jashtëm turk Mevlut Çavushoglu janë takuar disa herë për të diskutuar idetë e reja, përfshirë edhe zgjidhjen me dy shtete”. Mirëpo presidenti qipriot grek nuk i ka pozitat politike aq të forta brenda Qipros greke sa të pranojë shtrimin zyrtar të formulës së zgjidhjes “me dy shtete”. Ai ve në plan të parë interesin politik dhe elektoral të tij dhe të forcës politike, që përfaqëson. Ndaj deri tani ai nuk ka guxuar të pranojë publikisht diskutimin e zgjidhjes “me dy shtete”.Madje pas propozimit të presidentit të Turqisë për këtë zgjidhje, presidenti qipriot grek në 17 nëntor 2020 publikoi një deklaratë me shkrim, ku refuzon propozimin e zgjidhjes “me dy shtete”.

Së treti, një argument që flet në favor të propozimit për një zgjidhje “me dy shtete”është çështja aktuale e hidrokarbureve. Zbulimi rezervave të mëdha të naftës dhe të gazit në detin dhe në zonën ekonomike ekskluzive të Qipros ushqeu një valë ambiciesh të madhe energjetike në Nikosia dhe në Athinë. Qeveria e Qipros greke bëri gabimin e madh strategjik, që nuk llogariti në projektet e shfrytëzimit dhe të përfitimit nga pellgjet e hidrokarbureve të drejtat e popullit të Qipros turke mbi këto pasuri. Madje sipas Qipros greke asaj i takon të shfrytëzojë edhe detin dhe zonën ekonomike ekskluzive të Republikës Turke të Qipros Veriore. Ky qëndrim absurd dhe mospërfillës ndaj interesave të Republikës Turke të Qipros Veriore e çvleftësoi edhe më shumë formulën federale. Monopolizimi nga Nikosia i të drejtës për rezervat e hidrokarbureve rreth e qark ishullit e aktualizoi më shumë nevojën e përcaktimit të kufijve juridikë të njohur midis dy administratave greke dhe turke si dy shtete të pavarura, ku secili shfrytëzon burimet dhe rezervat e zonave të veta detare.

Udhëheqja e Qipros greke e mbështetur nga Greqia insiston në kërkimin e zgjidhjes së dështuar federale, gjë që është kohë e humbur. Ajo po spekulon me statusin e saj si anëtare e BE dhe, duke përfituar nga kjo, udhëheqja e Qipros greke pretendon të legalizojë të drejtën e shfrytëzimit të pellgjeve natyrore të hidrokarbureve të ishullit vetëm nga Qipro greke. Ky pretendim i padrejtë monopolizueska krijuar tensione artificiale në Mesdheun Lindor, sepse nuk ka logjikë historike, juridike dhe diplomatike të përjashtojë popullin turk të Qipros nga e drejta e tij mbi rezervat detare të hidrokarbureve. Mbështetja, që Turqia i dha Republikës Turke të Qipros Veriore në eksplorimin e zonave të saj detare, buron nga e drejta e popullit turk të ishullit mbi pasuritë dhe mbi rezervat e tij natyrore. Është me interes të theksohet këtu se OKB po mban një qëndrim më fleksibël ndaj propozimit për një zgjidhje “me dy shtete”në krahasim me BE. Në datën 22 nëntor sekretari i përgjithshëm i OKB, Antonio Guterres, i pyetur për propozimin e presidentit turk për zgjidhjen “me dy shtete”, deklaroi:“Në kontekstin e bisedimeve dhe gjatë diskutimeve çdo palë ka të drejtë të marrë inisiativa që çdo palë dëshiron”. Kurse shefi i politikës së jashtme të BE, Josep Borrell, deklaroi në15 nëntor se BE është për zgjidhjen federale,për të cilën ekspertët e çështjes qipriote theksojnë se është një zgjidhje e dështuar gjatë dekadave bisedimesh. Duket se BE ka mbetur peng i Qipros dhe i Greqisë dhe i paragjykimeve me nuanca fetare dhe gjeografike të njërit apo tjetrit shtet mesdhetar të BE, që ka një  strategji influence në Mesdhe dhe në brigjet, që lag ai det.

Për të justifikuar insistimin alogjik në formulën e zgjidhjes federale udhëheqja e Qipros greke  argumenton se kështu e kërkojnë rezolutat e OKB. Mirëpo Qipro greke e ka humbur të drejtën t’i referohet OKB, sepse ajo ka votuar në vitin 2004 kundër planit të OKB për zgjidhjen e çështjes qipriote, në kohën që populli turk i Qipros votoi në favor të planit të OKB.

Në gjendjen e bllokimit total, ku ka hyrë kriza qipriote me gjithë 50 vite bisedimesh e formulash të pafund, formula e një zgjidhje “me dy shtete” duket më realistja. Është më realistja, sepse nuk ka zgjidhje tjetër në situatën e krijuar. Është më realistja, sepse do të mundësonte një marrëdhënie të drejtë juridike, politike dhe diplomatike të konsoliduar midis dy shteteve të ishullit dhe përfundimin e një krize të stërzgjatur dhe të lodhshme diplomatike ndërkombëtare./Dita/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat