Në politikën aktuale, referendumet si një vlerë e shtuar demokratike!?

Opinione

Në politikën aktuale, referendumet si një vlerë e shtuar demokratike!?

Nga: Lirim Begzati Më: 13 dhjetor 2020 Në ora: 21:52
Lirim Begzati

Që nga momenti kur e përdorim termin “referendum”, sa shpejt po na shkon mëndja te një shembull frymëzimi, gati se i pakopjueshëm, siç është ai i Zvicrës. Një shtet, ku jepet së paku përshtypja se demokracia lejon që të votohet gati se për gjithçka dhe nga gjithsecili!

Votohet për çështjen e multinacionaleve, të pesticideve, të çmimit të medikamenteve, të pushimeve vjetore, dhe për shumë tema të tjera, për të cilat, në disa shtete të tjera, nuk mund të imagjinohet që të kalojnë përmes rrugës së votës demokratike.

Kërkesat që dalin nga rregullat e demokracisë së këtij shteti, synojnë një përfshirje aktive të popullit, duke kërkuar nga ai që të jetë pjesë aktive në proceset e shumta vendimmarrëse. Një traditë kjo e kamotshme dhe e pacenueshme, e cila realizohet përmes instrumenteve kryesore të demokracisë zvicerane, siç janë nismat popullore dhe referendumet.

Ndërkaq, kur e përdorim termin “referendum” në vendet tona, i dëgjojmë nganjëherë thëniet “çfarë je duke folur, s’ju kuptojë, mos na lodhni me këto tema!”.

Megjithatë, edhe në shtetet e trojeve tona nuk mungon përshtypja se votohet gati se për gjithçka, por jo nga gjithsecili! Votohet vetëm nga disa persona të zgjedhur, nga ata të cilët, në momentin e caktuar i gëzohen “monopolit demokratik”, që ata kanë dëshirë t’a shijojnë, bile duke e futur atë nganjëherë në qarkullim, në përputhje me kalkulimet e kohës dhe politikën e ditës.

Ndodhë edhe ajo që të vërejmë qëllime të caktuara në hapësirat e parlamenteve tona, për shembull, dëshirën për me e votuar ligjin që iu konvenon disa partive apo individëve, të cilët nuk hezitojnë nganjëherë për me i “privilegjuar” edhe kërcitjet e grushteve, si një simbol ky shoqërimi i synimeve të larta politike, pa marrë parasysh mjetin e përdorur për arritjen e objektiveve!

Vallë, shtrohet pyetja se përse me lënë çdo gjë në duart e parlamentarëve dhe pse çalohet aq shumë në rrugëtimin e praktikave të referendumeve? Përndryshe, në Kushtetutat e vendeve tona, nuk mund të thuhet se mungojnë standardet dhe rregullat moderne kushtetuese. Aty nuk mungojnë as parimet që i vënë në pah vlerat e sovranitetit popullor, bile nuk mungojnë as alternativat e mundshme për futjen në lëvizje të referendumeve.

Duket se rregullat përkatëse kanë filluar të “ndryshkën”, të mbeten në harresë apo të zhduken diku në brendinë e depozitave kushtetuese, duke figuruar kështu vetëm si fjalë të stilistikës juridike, ndoshta për me e gëzuar vetëm kureshtjen e dikujt, sidomos të studiueseve të drejtësisë, të cilët nuk e kanë fatkeqësisht aq lehtë me e kuptuar logjikën e rregullave që nuk e shijojnë implementimin praktikë.

Referendumin, nuk duhet me e interpretuar si një instrument konkurrence ndaj mekanizmave ekzistuese demokratike (për shembull, parlamentit), pasi që ai simbolizon me siguri një vlerë të shtuar të demokracisë moderne. Aq e vlefshme kjo sidomos në vendet ku kërkohet një ripërtërije apo nevoja e një  “oksigjeni të ri demokratik”, të cilat mungojnë në masë të madhe, sidomos në vendet tona ku ende dominojnë pazarllëqet dhe lojërat e interesave të ngushta partiake apo individuale të disa akterëve politikë.

Një monopolizim në vendimmarrje mbi çështje madhore të vendit, duket së është një emërues i përbashkët i realiteteve aktuale vendimmarrëse të vendeve tona. Praktikat aktuale të cilat iu përngjajnë formulave të një rrethi vicioz, nuk meritojnë shprehjen e një lakmie ndaj tyre. Këtu e ndjejmë pikërisht nevojën e një debati serioz mbi nevojën e instrumentit të referendumeve.

Asgjë nuk është e tepruar! Kuptohet se është fjala për nevojën e aplikimit të praktikës së referendumeve për çështje madhore dhe që kanë të bëjnë me vendime të një interesi madhor për vendin. Nuk është aspak e nevojshme apo e arsyeshme që të kërkohet imitimi i pakushtëzuar i shembujve të tjerëve, siç është ai i lartpërmenduri, i Zvicrës apo i demokracive të tjera moderne.

Nëse nuk paraqitet nevoja për krahasime të pakrahasueshme, le të synohet së paku një kompromis në mes të ideales dhe gjendjes aktuale, duke mos pasur nevojë për me ëndërruar në synimin e modeleve të pakopjueshme apo të paarritshme.

Argumentet financiare, të mungesës së një tradite apo pretekste të tjera të mbështetura në analiza sipërfaqësore, nuk do të duhej aspak të përdoren si argumente mbështetës për me e lënë anësh çështjen e implementimit të referendumeve në disa shtete tona ballkanike.

Shembulli aktual i Shqipërisë, ku duket se është hapur një debat serioz dhe tejet shpresëdhënës mbi çështjen e referendumeve, sidomos pas prezantimit të projekt-ligjit mbi referendumet, me siguri se paraqet një test madhor, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vendet tjera që e rrethojnë, për me e kuptuar gatishmërinë për me avancuar në disa reforma të domosdoshme që kërkojnë ndryshime në formulat e zgjedhura demokratike, por pse jo edhe një ndryshim mentalitetesh tek aktorët e politikes së ditës.

Prania e instrumentit të referendumeve do të ishte, ndoshta, një faktor shtytës për me iu kursyer “kërcitjet e grushteve” në mes të anëtareve të parlamentit gjatë miratimit të një ligji, por gjithsesi me shpresë se aktet e tilla të dhunës nuk do të barteshin në një hapësirë tjetër të shprehjes së demokracisë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat