Trumpizmi përfundoi në të njëjtën mënyrë siç filloi – me thirrje për dhunë!

Opinione

Trumpizmi përfundoi në të njëjtën mënyrë siç filloi – me thirrje për dhunë!

Nga: Klement R. Camaj Më: 9 janar 2021 Në ora: 12:52
Klement R. Camaj

Si shqiptaro-amerikan, i cili ka shprehur mendimet e veta mbi“fenomenin” Trump, edhe më parë, nuk mund të qëndroj mënjanë sot, e të mos shprehem mbi zhvillimet e fundit në Amerikë, përfshirë këtu përpjekjen për grusht shteti, nga terroristët vendas, përpjekjen për të rrëmbyer demokracinë amerikane.

Si një person që jam rritur për të dashur gjithçka amerikane, për të admiruar gjithçka amerikane, për të respektuar gjithçka amerikane, ndihem i shqetësuar për këtë që po ndodh, sidomos kur në mesin e turmës që atakon demokracinë amerikane, shoh kaq shumë shqiptarë që mbështesin hyrjen me dhunë në tempullin e demokracisë botërore. Fillimisht të potencoj faktin se hera e fundit që dikush ka hyrë në këtë tempull, pa leje, ka qenë viti 1814, kur forcat britanike tentuan të rrënojnë idenë liridashëse të popullit amerikan. Derisa po shikoja lajmet, me pabesim, vura re flamurin shqiptar!

Flamuri shqiptar që valëvitej, para ndërtesës që po merrej nga terroristët vendas, e njëjta ndërtesë që autorizoi forcat amerikane për të ndërhyrë në Kosovë. Nuk mund të besoj se kaq shumë shqiptarë do të mbështesnin verbërisht një sulm të tillë ndaj demokracisë amerikane, do të mbështesnin një president i cili nuk ka bërë asgjë tjetër, përveçse të ndajë, jo vetëm vendin e vet, por të gjithë botën.

Nuk mund të besoj se po këta shqiptarë kishin të njëjtat bluza dhe kishin të njëjtin flamur si ultra-nacionalisti serb, Shesheli. Mendova se e vetmja gjë e përbashkët, mes nesh, si shqiptarë, dhe atyre si ultra-nacionalistë sërbë është se ndajmë të njëjtin kontinent. Por, për fat të keq, si duket, për disa shqiptarë, ata ndajnë edhe të njëjtën ideologji politike.

Unë nuk mund ta kuptoj dhe, të jam i sinqertë nuk dua të kuptoj, se si kaq shumë shqiptarë këtu në Amerikë mund të mbështesin një ideologji që mbështetet në logjikën “përçaj e sundo”, që mbështetet në politikën kundër migrimit, e vet migrimi u dha këtyre mundësinë për të jetuar ëndrrën amerikane. Për ata shqiptarë, për të cilët, lajmet dhe edukimi i vetëm  janë rrjetet sociale, u përkujtoj se fjalimi i Trumpit, sot ne Washington ishte shumë i ngjashëm me fjalimin e Sllobodan Millosheviqit, në 1989, në Gazimestan, në Kosovë. Siç bëri Millosheviqi, Trump tentoi që të shfrytëzoi nacionalizmin për të marrë pushtetin mbi Amerikën. Nacionalizmi i “bardhë” i Trumpit dhe nacionalizmi serb i Millosheviçit, janë dy anë të sënjëjtës medalje. Por pasojat nuk qenë njësoj, për faktin se këtu jeton demokracia. Përkrahësit më të mëdhenj të Trumpit, i treguan vendin, duke pohuar se fitorja i takon atij që fitoi zgjedhjet, dhe se Trumpi, me këtë gjest antiamerikan, vetëm turpëroi veten dhe tentoi të përdhosë postin e presidentit amerikan.

Për fat të keq, kjo “lëvizje trapiste” mori jetë njerëzish, të cilët do të rëndojnë në ndërgjegjen dhe shpirtin e tij, nëse ai këto i ka! Ne si shqiptarë jemi njerëz që kemi luftuar gjatë historisë; me osmanët për disa shekuj, me nacionalizmin serb, po ashtu, me shekuj, luftën e klasave, me dekada. Pastaj, vuajtëm nga papunësia, diskriminimi shoqëror dhe ekonomik – dhe mbijetuam. Por duhet pasur para sysh se në këtë të mbijetuar, aleat patëm SHBA-të.

Prandaj, të them thjesht, ideologjia dhe kuptimi i flamurit shqiptar, nuk i përkasin një tubimi të këtillë, qoftë edhe nëse deri dje e kemi pasur idhull Trumpin. Demokracia amerikane mbështetet në përqafimin e atij që fiton zgjedhjet, bile jo vetëm në SHBA, por kudo në botë, edhe në shtete me demokraci të brishtë. Në të gjitha rastet e deritashme, presidenti në shkuarje, ka përkrahur presidentin në ardhje, dhe kjo e ka bërë Amerikën të veçantë. E pra, asnjëherë ata që humbin, nuk e kanë lehtë të pranojnë humbjen. Por kjo e bënë Amerikën të veçantë.

Më në fund,  edhe Trump do t’i pranojë,  por kjo që ndodhi sot, dëshmoi Trampin e vërtet,  Trampin e shkrimeve të mëparshme, Trumpin që provoi, edhe me çmimin e gjakut të militantëve të vet, të rrijë në pushtet. Këtë skenar ai e kishte paralajmëruar disa herë,  por i  dështoi, dhe fitoi demokracia amerikane. Ne si shqiptaro amerikanë, duhet t’i drejtohemi njëri-tjetrit, dhe të kuptojmë se Trumpi nuk është parti Republikane, dhe se partia Republikane nuk është Trumpi.

Për mungesë të një fjale më të mirë, dhe për ta përfunduar këtë shqiptim të shkurtër, shqiptaro-amerikanet, thënë thjesht, nuk mund të bëjmë pjesë aty ku shprehet urrejtja, diskriminimi dhe marginalizimi. Ne nuk guxojmë te jemi pjesë e një grupi që sulmon dhe shkatërron ndërtesën e Kryeqytetit, fener i demokracisë amerikane. Ne jemi shumë më të mirë se kaq.

Klement R. Camaj, Doktorant – Migracion dhe Diplomaci Instituti i Diplomacisë Kulturore – Berlin

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat