Kah po shkon Kosova? Dikush po tenton ta kthejë rrotën prapa?

Opinione

Kah po shkon Kosova? Dikush po tenton ta kthejë rrotën prapa?

Nga: Ismail Muçiqi Më: 9 janar 2021 Në ora: 16:35
Ismail Muçiqi

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila është shndërrua në sensacion politik {juridik} përkitazi me mandatin e deputetit të Ekrem Arifit, janë çuar në këmbë analist, e opinionist, avokat e jurist, gazetar e fshatar duke i paraprirë mendimit dhe paragjykimit se a do të ketë të drejtë Albin Kurti të bëhet Deputet i Parlamentit të Kosovës.

Vetëm verbësia, xhelozia, mjerimi dhe pa dituria shprehin mendësinë dhe sadizmin ndaj rrjedhave shoqërore në politikën primitive që po e mban peng Kosovën.

Pa patur qëllime të ndërhyj apo komentoj vendimet e Gjykatës Kushtetuese, se a janë burime dhe shprehje e normave kushtetuese të aktit më të lartë juridik të një vendi në momentin e pikërishëm komentet të cilat po bëhen në mediumet, portalet dhe rrjetet sociale po shkaktojnë tensione dhe amulli para qytetareve.

Kosova decenie me radhë po vuan nga politika destruktive, nga degradimi i vlerave njerëzore dhe intelektuale, nga ngecja e sundimit të sistemit të drejtësisë, nga zhvatja e buxhetit të shtetit, dukuri këto negative të cilat kanë arritur të depërtojnë afër majës së piramidës.

Shtrohet një pyetje: A janë të vedishëm ky lloj i njerëzve "intelektualë" se sistemi i drejtësisë deri tek instanca më e lartë Gjykata Kushtetuese janë formuar si institucione të shtetit për ta ruajtur dhe mbrojtur sistemin juridik, demokracinë dhe lirinë, por gjithmonë duke i mbrojtur vlerat morale, intelektuale, shkencore, humane të njerëzve të cilët e garantojnë perspektivën, progresin dhe ndërtimin e shtetit edhe përmes veprimeve politike, të cilat e determinojnë nivelin e organizimit politikë të një shteti normal.

Pa pasur asnjë interes nga asnjë strukturë apo lider politik, shprehi mendimin dhe pikëpamjet e mija në lidhje me kandidimin apo mos kandinimin e Albin Kurtit për Deputet të Parlamentit të Kosovës.

Nëse shoqëria kosovare është ngopur nga qeverisjet e kaluara, atëherë disponimi gjithandej Kosovës dhe më gjerë është në përkrahje të Albin Kurtit për t'u bërë Kryeministër i Kosovës.

Këtij entuziazëm dhe vullneti nuk ka të drejtë askush në Kosovë t'i paraqes pengesë apo sanksione Albin Kurtit, të cilin populli po e kërkon në krye të institucioneve të Kosovës si i vetmi, i cili mund ta nxjerr Kosovën nga kaosi shumë vjeçar.

Nëse Gjykata Kushtetuese element kryesor e kishte vetingun e njerëzve të pastër, të pa korruptuar e me integritet, atëherë Albin Kurti është model pozitiv i politikës kosovare.

Veprimi i Kurtit dhe të disa bashkëpunëtoreve të tij duke hedhur gaz lotsjellës në Parlamentin e Kosovës sado që dukej veprim i vrazhdë për kohën, mendoj se së pari duhet analizuar motivin, qëllimin dhe rezultatin e ngjarjes.

Nuk ka dyshime se në Parlamentin e Kosovës gazi lotsjellës kishte qëllime ruajtjen e territorit, të kufirit të Kosovës me Malin e Zi, ku më vonë kapitulluan institucionet e shtetit e këtë e vërtetojë edhe komisioni profesional, shkencor, qeveritar për shënimin e vijës kufitare.

Mendojë se kalkulimet politike dhe marrja e vendimeve nga ana e institucioneve të drejtësisë at-hok dhe të pa menduara mirë, mund të shkaktojnë probleme të natyrave të ndryshme në rrjedhën e procesit zgjedhor dhe në stabilizimin e vendit.

Institucionet e shtetit dhe njerëzit që udhëheqin me të duhet të kenë sensin dhe guximin që në momentet e caktuara duhet të matin pulsin e popullit, edhe nëse reflekton ngjyra dhe kahja politike nganjëherë.

Kjo është mençuri për të krijuar shoqëri demokratike dhe për t'i hapë rrugë proceseve politike për t'i zgjedhur institucionet kredibile të shtetit të Kosovës, vetëm kështu vjen ndryshimi duke e respektuar vullnetin dhe kërkesat e qytetarëve.

Prandaj, është koha e fundit që shoqëria të lirohet nga ndjenja e xhelozisë, dhe e sadizmit e cila ka depërtuar thellë në shpirtin dhe mendjen e një pjese të njerëzve, të cilët janë bërë të neveritshëm për audiencën e gjerë.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat