Ende politika amerikane nuk e ka kuptuar që i gjithë korrupsioni i lartë shtetëror në Shqipëri është i bashkuar kundër reformës antikorrupsion?

Opinione

Ende politika amerikane nuk e ka kuptuar që i gjithë korrupsioni i lartë shtetëror në Shqipëri është i bashkuar kundër reformës antikorrupsion?

Nga: Spartak Ngjela Më: 19 janar 2021 Në ora: 14:52
Spartak Ngjela

Po pse janë bashkë? Çfarë po e bashkon krimin shtetëror të të dy krahëve të politikës, në Tiranë?

Nuk janë bërë bashkë për pushtet. Të gjithë liderët e korruptuar duan të shkallmojnë reformën në drejtësi, dhe as që duan t'ia dinë për zgjedhjet dhe pushtetin mes tyre, se nuk ka rëndësi për ta kush e ka pushtetin, mjafton që të shpëtojnë pronat dhe paratë nga reforma dhe nga akuza që duhet t'u ngrerë SPAK -u.

Tmerrin e kanë te Byroja Kombëtare e Hetimit; prandaj kjo duhet të dalë sa më shpejt. Në këtë kohë pritjeje, shqiptarët po presin ambasadoren Yuri Kim, që ajo t'u japë një fakt real në lidhje me këtë Byro...

l.

Të korruptuarit kanë pushtet, dhe, me përkrahjen e tyre segmentare në popull, kanë vënë në lojë gjithçka për të shpëtuar gjënë e vjedhur. Kanë milionat e vjedhura, shuma të mëdha parash dhe prona pa fund, të grabitura të gjitha me përqindje të larta gjobëvënësish për lejet shtetërore që kanë dhënë, apo edhe për lehtësirat që kanë bërë, duke grabitur shtetin, në dobi të klientelës së tyre. Por, a do t'i shpëtojnë dot paratë dhe pronat? Po krimi i organizuar a është i skeduar nga ekspertiza ndërkombëtare antikrim?

ll.

I gjithë ky sistem korruptiv ka bllokuar plotësisht zhvillimin shoqëror në Shqipëri. Në fakt, kjo është edhe arsyeja pse ka ngrirë procesi demokratik në të gjitha aspektet e jetës shoqërore në Shqipëri.

Kjo është arsyeja që ka ndaluar procesi zgjedhor në kuptimin e plotë demokratik, sepse korrupsioni në pushtet, në 30 vjet, nuk e ka lejuar asnjëherë që ky proces të kthehet në një sistem strikt ligjor me drejtësi në procesin e votimit.

Në Shqipëri asnjëherë nuk ka pasur votim të lirë. Prandaj nuk mund të flitet për demokraci në funksion të pushtetit politik. Por, në të njëjtën kohë duhet të theksojmë se, pa pushtet gjyqësor të pavarur, nuk ka drejtësi; pa drejtësi nuk ka zgjedhje të lira dhe me drejtësi të korruptuar sundon gjithmonë korrupsioni shtetëror.

lll.

Në Shqipëri nuk ka zhvillim demokratik në funksion të pushtetit politik, prandaj nuk ka as zhvillime ekonomike. Pse? Sepse uzurpimi i pushtetit ka pushtuar tregun në funksion të korrupsionit. Korrupsioni i lartë shtetëror kërkon para për t'u pasuruar dhe për të mbajtur pushtetin me këtë pasuri; kurse, kjo kërkesë për para ka ngrirë tregun nëpërmjet klientelës dhe krimit të organizuar.

E gjithë kjo tablo me abuzim tërësor të pushtetin politik, ka krijuar një shtet, i cili në një mënyrë apo në një tjetër, drejtohet nga krimi.

Për të gjithë këtë dhe në funksion të këtij fakti, ky krim i gjerë politik i të dy krahëve, tani kuptohet qartë se është bashkuar.

Prandaj duhet të kuptohemi: në Shqipëri sot nuk është bashkuar politika, por vetë krimi shtetëror si politikë; dhe krimi i organizuar si kriminalitet i specializuar.

Realisht, ky është bashkimi i korrupsionit të lartë shtetëror, sepse ky e bashkon sot të gjithë konglomeratin kriminal në Shqipëri.

Por në fakt, të gjithë këta po i drejton mendjelehtësia e tyre, sepse pyetja është kjo: për këtë reformë që po e drejton politika amerikane me fakte të provuara: vërtet mendojnë këta se do ta mundin provën amerikane për pronësinë e tyre të paligjshme? Vërtet mendojnë këta se mund ta ndalojnë funksionin historik të SPAK?

lV.

Shpresën deri tani e kanë pasur te Rusia, dhe te bllokimi i reformës antikorrupsion në Shqipëri me idenë se, presidenti amerikan Donald Trump do të tërhiqej nga Ballkani Perëndimor në favor të Rusisë. Por Donald Trump u mposht në Shtetet e Bashkuara, dhe tani po shihet se korrupsioni ka humbur çdo shpresë.

Kjo sepse dihet që presidenti i zgjedhur, Joe Biden është europianist dhe kundër politikës antiperëndimore të Trump-it.

Por, të gjithë të korruptuarit, ndërkohë, duke i ditur të gjitha këto, janë hedhur kundër SPAK-ut, por pa ndonjë shpresë konkrete, sepse e dinë që tani, politika e re amerikane do të ndërhyjë përsëri fort në Ballkanin Perëndimor, dhe me të vetmin aleat të saj, që janë shqiptarët në të dy shtetet e tyre, Shqipëri dhe Kosovë.

V.

Këta e kanë drejtuar Shqipërinë në tridhjet vjet, mediokër dhe të korruptuar, që kanë bllokuar zhvillimin, dhe tani po kërkojnë shkatërrimin e saj. Në fakt, kjo ka qenë gjithmonë sëmundja e korrupsionit edhe në historinë e Evropës: të korrupruarit e kapur nga drejtësia, janë bashkuar me krimin e organizuar për të krijuar destabilitetin e vendit. Por, Shqipëria është e sigurt. Nuk e kërcënon dot askush nga brenda dhe nga jashtë saj.

Në fakt, korrupsionin e lartë shtetëror tani e tremb Uashingtoni, sepse i ka kapur me fakte. Shërbimet ua dinë me fakte edhe paratë edhe pronat, në Shqipëri dhe jashtë saj. Kurse politika amerikane iu është zotuar shqiptarëve kur ka thënë: "ne do ta luftojmë me fakte dhe proces të rregullt gjyqësor korrupsionin në Shqipëri".

Por, a do t'ua bëjnë të qarta shqiptarëve faktet korruptive dhe ato të shitjes së interesit kombëtar, që janë të faktuara tani edhe si prova gjyqësore?

Dhe, a ka vërtet të tilla fakte politika amerikane?

Po. Ka shumë të tilla, por ia ka vënë dhe do t'i dorëzojë në dispozicion të SPAK-ut..

Koha është në segmentin e saj për ndëshkimin e korrupsionit të lartë në Shqipëri.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat