Shkulaku: Si iu refuzua shtetësia gruas time, shqiptare e Kosovës. E urren Kosovën Qeveria Rama?

Opinione

Shkulaku: Si iu refuzua shtetësia gruas time, shqiptare e Kosovës. E urren Kosovën Qeveria Rama?

Nga: Ervin Shkulaku Më: 5 shkurt 2021 Në ora: 12:21
Ervin Shkulaku

Kjo Qeveri, Edi Rama dhe njerëzit të bindur të tij erdhi në pushtet si një fotografi “Fake Instagrami”, e cila të mashtron për bukurinë e saj, por e vërteta është se është shkrepur në një pellg me ujë që kundërmon erë.

Dhe njëra nga Fake-t e shumta të Ramës dhe njerëzit e tij është fotografia sikur këta e duan Kosovën dhe shqiptarët e Kosovës, por është një mashtrim, përkundrazi kundërmon Kosovo-fobi.

Bashkëshortja ime është shqiptare e Kosovës dhe lidhëm martesë para disa vjetësh në Pogradec. Dhe ajo si shumë të tjerë u mashtrua nga bukuria e kësaj fotografie që Rama me shokët e tij e ekspozojnë. Dëshironte të merrte shtetësinë shqiptare pasi kishte ëndërr të votonte në Shqipëri, si shumë shqiptarë të Kosovës që ëndërrojnë për Shqipërinë, por për fatin tonë të zi shumë herë udhëhiqemi nga njerëz që bëjnë cdo gjë që të na largojnë.

E për këtë duhej fillimisht të aplikomim për leje qëndrim, por unë i thashë mos e nis këtë udhëtim pasi aty vlon korrupsioni i zi dhe pa dhënë lekë nuk merr asnjë shërbim. Por, ajo me tha jo se aty është Shqipëri dhe administrata, neve shqiptarëve të Kosovës na trajton me dinjitet, jemi shqiptarë mo.

Dhe nisëm aplikimin për leje qëndrim. Ishte një tmerr i vërtetë, por ia dolëm dhe aplikuam për 1-vjeçar. Në e-albania erdhi konfirmimi se aplikimi është pranuar dhe përfunduar.

Por kartela kurrë nuk erdhi, pritëm me muaj, por na jepnin shpjegime të ndryshme, si Covidi, personi që shtyp kartelat është në pushim etj. Kaluan muaj të tërë dhe ende nuk e dime asgjë për fatin e saj.

Gjithsesi, leje qëndrimi ishte dhe nisëm aplikimin për fitim të shtetësisë. E dorëzuam kontratën e shtëpisë, llogarinë bankare, dokumentat nga Kosova me vule apostile dhe kjo kërkesë u refuzua me arsye të cuditshme pasi unë nuk kam dhënë deklarata te noteri se do ta mbaj gruan time (nga ana tjetër Rama del në media e thotë që burri e gruaja janë të barabartë) apo leja e qëndrimit ka skaduar në nëntor që na habiti, pasi, le që nuk e morëm atë 1 vjecaren por kur skadoi kaq shpejt. Gjithsesi, ne shqiptarët e dime tashmë që shteti kur do të gjejë arsye, ta thur bukur. Dhe vërteta është që shqiptarët vazhdojnë të jenë të ndarë falë këtyre udhëheqësve, këta të ndajnë edhe nga gruaja, të lenë beqar pasi nuk duan të dinë që ke edhe fëmijë.

Por e vërteta tjetër e hidhur është se kjo qeveri e Edi Ramës nuk i do shqiptarët e Kosovës. Tani e kuptoj pse u vërsulen te presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta kur mësuan se shqiptarë nga Kosova po bëheshin edhe shqiptarë në Shqipëri.

Por, le të shohim pak marrëdhëniet e Edi Ramës dhe liderët shqiptarë të Kosovës. Me Ramush Haradinajn është në gjyq pasi ky i fundit e mbrojti Kosovën nga ndarja, me Albin Kurtin ishte plot inat pasi ky i fundit nuk pranonte që Kosova të ishte pjese e Mini-shengen. Edhe me LDK-në e dini si i ka. Ndërsa nga ana tjetër marrëdhëniet me Serbinë po lulëzojnë. Mund të shkohet atje vetëm me kartë identiteti dhe ju tashmë i dini marrëdhëniet e Ramës dhe Aleksandër Vuçiqin.

Prandaj, shqiptarë po ju bëj një thirrje, kjo qeveri është mashtrim, mos i besoni më tutje pasi edhe në këto kohë të turbullta për shkak të virusit mund të kalojë në totalitarizëm. Ju të rinj, pyetni nënat dhe baballarët tuaj se sa kanë vuajtur në kohën e diktatorit të egër Enver Hoxha.

Këtë herë vota është shumë e rëndësishme mos e shpërdoroni. Shikoni faktet dhe jo fotografinë e Instagramit. Mendoni si darkonin te Nusret-i apo turp që një shtet i huaj vjen e na ndërton spital, mendoni si iku marrëveshja me Greqinë. Ose më lehtë mendoni ku jeni tani që po e lexoni këtë shkrim, a jeni në emigracionin e zi duke vuajtur, a jeni në Shqipëri të papunë apo me një rrogë qesharake. Krahasojeni veten tuaj me qytetarët evropianë, ku janë ata e ku jemi ne. Pra detajet e vogla kanë rëndësi pasi të sjellin mendime më të thella.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat