T’u konfiskohet pasuria atyre që kanë blerë tokë nga 1 euro ari

Opinione

T’u konfiskohet pasuria atyre që kanë blerë tokë nga 1 euro ari

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 14 prill 2021 Në ora: 18:10
Foto ilustrim

Së fundi Qeveria e Kosovës, respektivisht këtë të martë, miratoi koncept-dokumentin që do të mundësojë konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Kështu, Ministrisë së Drejtësisë, tash i është hapur rruga të nis hartimin e ligjit të njohur si antimafia. Pasuria, përmes tij, mund t`iu konfiskohet të gjithëve, prej qytetarëve të thjeshtë, liderëve politikë e institucional, e deri edhe zyrtarëve e tjerë të zgjedhur në institucione të ndryshme të rëndësishme, ATK, Polici, Doganë, FSK e AKI. Madje kjo mund të bëhet pa e pritur fare aktgjykimin dënues.

Besoj se konfiskimi duhet të bëhet edhe tek procesi i privatizimit, një proces krejtësisht korruptiv dhe zhvatës. Përmes këtij procesi tokat janë blerë edhe nga 0.50 deri në 1 euro, e nga kjo nuk kanë përfituar qytetarët dhe as shteti por njerëz të lidhur me politikën. Pikërisht këta njerëz pastaj të njëjtën tokë e kanë shitur me çmim 500 herë më shtrenjtë, duke rezultuar kështu një skemë korruptive, nga e cila pasuria e vendit është përdorur si mjet për t’u pasuruar.

Në kuadër të koncept dokumentit, që duhet të bëhet edhe ligj, duhet të futet edhe përvetësim i të gjithë atyre që pasurinë e kanë fituar përmes kësaj skeme. Lidhur me ketë gjë u deklarua edhe deputeti i PDK-së Xhavit Haliti, pasuria e paluajtshme e të cilit është 1 milionë e 200 mijë euro. Kjo pasuri nuk është bëre me djersë, megjithatë Xhaviti u shpreh “Po çka ka m`u tut more unë (qeshë)”. Le të qesh, por nëse ky dokument jetësohet dhe implementohet edhe Xhavitit dhe të gjithë atyre që s’kanë si e arsyetojnë pasurinë e tyre, ose e arsyetojnë përmes procesit të privatizimit me toka nga 1 euro, duhet t’u merret pasuria.

Kjo pasuri është e Kosovës dhe të gjithë ata që e kanë zhvatur për këto 20 vjet duhet të japin llogari, përveç konfisikimit. Duhet të hetohet njëherë e përgjithmonë procesi i privatizimit, të gjithë atyre që e kane zhvatur pasurinë e vendit t’ia rikthejnë popullit atë pasuri, këtë e kanë deklaruar edhe vet të përfshirët në këtë proces, kryesisht njerëz të PDK-së.

Pavarësisht se kush është, në cilën parti apo nga i ka dajtë, shteti të veprojë me forcën e ligjit. Një herë e përgjithmonë të rikthehet shteti në rrugën e drejtë, nga ku pasuria nuk është turp nëse fitohet me djersë dhe zotësi. Ata që janë përfitues të pasurisë me skema kriminale, korruptive, të japin përgjegjësi. Nëse ky koncept dokument nuk përfshinë edhe këtë aspekt, pra konfiskimin e pasurisë nga procesi i privatizimit të tokave nga 0.50-1 euro, atëherë s’do të ketë efektin që duhet dhe për të cilën është miratuar në qeveri. Shkatërrimi i themeleve të ekonomisë ka ndodhur në procesin e privatizimit, aty ky shteti në vend se të forconte bazat e saj të ngritjes ekonomike për vite, dekada me radhë, ato vetëm sa u dobësuan edhe më shumë, në fakt u shkatërruan për interesa të ca njerëzve të lidhur me politikën.

Ky është krimi më i madh që i ka ndodhur vendit, për të cilën dikush duhet të jap përgjegjësi. Nuk ka më krim të madh se tokat e vendit tënd t’i shesësh për pasurim të disa njerëzve në dëm të shtetit. Ato toka s’janë përdorur për ndërtime të fabrikave, për zhvillim ekonomik, janë përdorur për t’u shitur pastaj tek shteti, të cilët me paratë e popullit janë pasuruar.

Dua të besoj se ky koncept dokument është serioz dhe ka qëllim për t’u zbatuar në tërësi, mos të jetë vetëm për konsum të politikave ditore të brendshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat