Mos i financoni ata që akuzohen për vrasje të shqiptarëve

Opinione

Mos i financoni ata që akuzohen për vrasje të shqiptarëve

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 25 prill 2021 Në ora: 17:21
Foto ilustrim “Bota sot”

Qeveria aktuale duhet të rishikojë me çdo kusht dhe në mënyrë të menjëhershme, mbështetjen financiare ndaj të akuzuarve nga Gjykata Speciale në Hagë. Deri tani janë alokuar mbi 464 mijë euro nga buxheti i Kosovës janë shpenzuar për mbështetjen financiare për avokatët për mbrojtjen e të akuzuarve nga Dhomat e Specializuar me seli në Hagë. Kjo ka ndodhur pasi në Ministrinë e Drejtësisë janë shqyrtuar katër kërkesa të avokatëve mbrojtës të të akuzuarve për krime lufte nga Gjykata Speciale.

Në bazë të Ligjit për mbrojtjen juridike dhe financiare të personave të cilët mund të jenë akuzuar nga Gjykata Speciale, i miratuar nga Kuvendi Kosovës në vitin 2015, ku thuhet se “ata kanë të drejtën e kërkesës për asistencë në mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes dhe të angazhimit të mbrojtësve të pavarur”. Ligji u garanton mbulimin e shpenzimeve për avokatë personave të akuzuar.

Qeveria e Republikës së Kosovës, konkretisht Ministria e Drejtësisë kanë ndarë tanimë një shumë të parave prej 20 milionë euro për mbrojtjen e të akuzuarve në Gjykatën Speciale në Hagë. Kjo shumë e madhe, duhet të rishikohet edhe njëherë, duke ditur faktin se disa nga të akuzuarit vetëm se kanë hapur fonde private për të kërkuar mbështetje financiare, edhe përkundër që marrin para nga buxheti i shtetit.

Për më tepër, të akuzuarit, respektivisht Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, akuzohen për krime të pretenduara lufte dhe krime të supozuara kundër njerëzimit. Në akuzë, pos tjerave akuzohen dhe të dyshuar për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë. Kjo e fundit është më e rënda dhe e cila duhet të merret parasysh nga qeveria aktuale.

Si mund të financosh dike që është i akuzuar se ka vrarë shqiptarë, për më tepër kundërshtarë politikë. Mund të financohen ata që janë të akuzuar për krime ndaj serbëve dhe për të cilat jemi të bindur se nuk kanë ndodhur, jo në raste të cilat mund të kenë ndodhur ndaj shqiptarëve. Bashkëpunëtorët më të ngushtë të presidentit Rugova janë vrarë, ata ishin elita e Kosovës e të cilët u etiketuan si kundërshtarë politikë, prandaj edhe u eliminuan.

Qeveria aktuale nuk guxon dhe s'ka pse shpenzon miliona për njerëz që vetëm dëme i kanë bërë vendit, e të cilët janë të dyshuar kryesorë për vrasje të shqiptarëve. Të kujtojmë se për vitin 2021 buxheti është i paraparë me Ligjin mbi ndarjet buxhetore për këtë vit dhe është gjithsej 17 milionë euro, të cilat duhet të rishikohen sa më shpejt që është e mundur. Jo vetëm të akuzuarit, por edhe familjet e tyre financohen. Realisht, s'jam kundër që kjo të ndodhë, por jo për ata që akuzohen për vrasje të shqiptarëve.

Nëse në fund dalin të pafajshëm, atëherë edhe duhet të kompensohen. Deri atëherë shteti duhet të anulojë mbështetjen për ta akuzuarit ndaj shqiptarëve, konkretisht kundërshtarëve politikë. Kjo gjë, duhet të ndodhë sa më shpejt dhe sa më parë që është e mundur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat