Nuk kishte si mos të ishte interesante seanca e Parlamentit të Kosovës

Opinione

Nuk kishte si mos të ishte interesante seanca e Parlamentit të Kosovës

Nga: Adem Bytyçi Më: 27 prill 2021 Në ora: 16:10
Adem Bytyçi

Në këtë seancë me të "drejtë" është sulmuar Qeveria Kurti, për shumëçka, nga ata të cilët që 20 vite në pushtet i sollën vendit dhe qytetarëve të Kosovës "mrekullira".

Partitë e opozitës, e vajtonin popullatën e Kosovës, duke derdhur një "det" me lotë, se si e kishte lënë Qeveria Kurti, në "mjerim" edhe pse nuk kishte më shumë se 2 muaj që kishte filluar qeverisjen e vendit dhe sipas partive të opozitës edhe për 2 muaj qeverisje duhej ta bënte Kosovën shtetin më të zhvilluar në botë dhe qytetarët e Kosovës më të lumturit në rajon dhe më gjerë.

Qeveria aktuale Kurti, në këtë seancë të Parlamentit ,u sulmua në mënyrë të ashpër për të kaluarën e saj, protestat të cilat i kishte organizuar për t'i mbrojtur interesat e Kosovës, e jo me qëllim që në të ardhmen të fitonte pushtetin për të pasur në shfrytëzim ndonjë Terminal Doganor, për të blerë tokë për vete me çmime qesharake, për të blerë vila e banesa brenda dhe jashtë vendit dhe për të krijuar pasuri marramendëse, siç kanë vepruar disa politikanë të partive opozitare.

Më të zëshmit në kritika ndaj Kryemistrit z.Kurti ishin Arben Gashi i LDK-së, Enver Hoxhaj i PDK-së, dhe shumë bashke partiakë të tyre.

Gashi i LDK-së, e akuzonte z. Kurtin, se kishte protestuar kundër Planit të Martih Ahtisarit, i cili e kishte sjellë pavarësinë e Kosovës, duke harruar, se partia e z.Arben Gashit, dhe partia e z. Enver Hoxhaj, e kishin shkelur ligjërisht Planin e Martih Ahtisarit, duke e tejkaluar këtë planë në dëm të shtetit të Kosovës.

Nuk ishte z.Kurti, ai që e kishte pranuar Marrëveshjen e Brukselit për Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, e nga e cila Marrëveshje Serbia thotë se nuk do të hjek dorë.

Z.Kurti, e kishte kundërshtuar edhe formimin e Gjykatës Speciale si një gjykatë raciste, mono- etnike dhe e padrejtë ndaj një populli, i cili ishte viktimë e gjenocidit, dhe krimeve më makabre të shtetit serb, është e turpshme kur dëgjon sot të thonë ata që ngritën dorën në Parlamentin e Kosovës, për themelimin e Gjykatës Speciale për dënimin e krimeve të luftës në Kosovë, se z.Kurti i gëzohej themelimit të kësaj gjykate.

Madje, madje asnjëherë zoti Kurti, nuk është dëgjuar në prononcimet e tij për ndryshim të kufijve, apo në ndonjë mënyrë tjetër të viheshin në pikëpyetje kufijtë ekzistuese të Republikës së Kosovës, për dallim nga disa politikanë tjerë të Kosovës...

E drejta e opozitës është për t'i denoncuar anomalit e pozitës gjatë qeverisjes së vendit, por jo duke harruar edhe shumë të këqija të cilat i'a kishte shkaktuar vendit kur vetë e kishte qeverisur ...

Dëshira e opozitës për t'iu kthyer përsëri qeverisjes së vendit sa më shpejtë është tepër e madhe, por kësaj radhe e ka shumë të vështirë të ndodh para katër vitesh.

Madje, kjo mund të mos ndodhë fare, nëse Qeveria aktuale Kurti, do të jetë në gjendje t'i përmbush premtimet dhënë qytetarëve para se t'i fitonte zgjedhjet për ta qeverisur vendin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat