Malcolm: Serbia kurrë nuk është njohur ndërkombëtarisht me Kosovën si pjesë të saj

Opinione

Malcolm: Serbia kurrë nuk është njohur ndërkombëtarisht me Kosovën si pjesë të saj

Ismet Azizi Nga Ismet Azizi Më 2 qershor 2021 Në ora: 15:24
Malcolm

“Kur një territor kalon nga një shtet në tjetrin me ndihmën e okupimit dhe atë gjatë kohës së luftës, ai akt pas luftës duhet të njihet me marrëveshje midis dy palëve ndërluftuese.”

Gjatë tetorit të vitit 1918, ushtria serbe, me ndihmën e aleatës të saj, ushtrisë franceze, ia doli t’i ripushtojë trojet verilindore shqiptare, që i kishte pushtuar më 1912 dhe që iuu njohën nga Konferenca e Londrës. Për të evituar qëndresën e shqiptarëve, komanda e kësaj ushtrie, më 29 shtator 1918, hidhte me aeroplan qindra proklamata, në disa qytet të këtyre trevave (Kumanovë, Shkup, Prizren, Gjakovë, Prishtinë, Mitrovicë, Novi Pazar, Plavë, Guci ). Me anë të atyre ftoheshin shqiptarët të luftonin kundër ushtrisë austro-hungareze e të viheshin në mbrojtje të minoritetit serb. Tërhiqej vërejtja se nëse kërkesa do të përfillej, atyre do t’u ofrohej “ miqësia”, që do të thoshte që ata do të bëheshin pjesë e pushtimit të tokave të tyre.

Shteti i ri Jugosllavi u shpall më 1 dhjetor të vitit 1918. Ai zyrtarisht u quajt "Mbretëria e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve" (SKS) dhe u formua Mbretëria Serbe, Mbretëria e Malit të Zi (me ç’gjë Nikolla dhe dinastia e tij u përmbysën) dhe nga disa pjesë të të Austro-Hungarisë, përfshirë Slloveninë dhe territoret kroate. Serbia ishte elementi mbizotërues, jo vetëm për shkak të madhësisë së saj dhe ushtrisë ngadhënjyese, por edhe për shkak se sundimtari i Serbisë, princi i kurorës, Aleksandër Karagjorgjeviq (i cili u bë regjent në vend t’et, më 1914), u shpall mbret i shtetit të ri.

Sa i përket Kosovës, ajo u përfshi vetvetiu në këtë proces, sepse konsiderohej një pjesë integrale e Mbretërisë së Serbisë. Të gjithë komentatorët e asaj kohe si dhe të gjithë historianët e mëvonshëm, si duket e kanë pranuar këtë ide si një fakt të qartë dhe legjitim. Macolm beson se e vërteta- sa u përket fakteve legjitime- është ndryshe. Kosova (përfshirë edhe Sanxhakun I.A.), sipas tij, ligjërisht kurrë s’ka qenë e bashkuar me shtetin serb. Malcolm shton : Mirëpo, e vërteta e çuditshme është se Kosova nuk është inkorporuar legalisht në Serbi as në bazë të standardeve të ligjit ndërkombëtar.

Kur Kosova u okupua në vitet 1912-13, Në Serbi ishte akoma në fuqi kushtetuta e vitit 190. Neni 4 i kësaj kushtetute e bën të qartë se asnjë ndryshim në kufijtë e Serbisë nuk mund të jetë i vlefshëm pa pëlqimin e Asamblesë së Madhe Kombëtare dhe jo "Asambleja e Zakonshme "ose parlamenti. Pra, fjala është për një asamble më e gjerë që duhej të mblidhej për të shqyrtuar posaçërisht çështjet kushtetuese dhe një asamble e tillë nuk u mbajt kurrë për të diskutuar ose ratifikuar zgjerimin e kufijve të Serbisë, që do të përfshinte Kosovën dhe Maqedoninë.

Nga pikëpamja serbe, pretendohet se, megjithëse nuk u respektua procedura korrekte e brendshme kushtetuese e Serbisë, territoret u aneksuan në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe falë fuqisë për të lidhur marrëveshjet që mbreti kishte. Sidoqoftë, e vërteta dhe faktet tregojnë se Kosova nuk i përkiste Serbisë për asnjë kriter. Për më tepër, Kosova nuk është e inkorporuar ligjërisht në Serbi as sipas ligjit të brendshëm ose në përputhje me ligjet dhe standardet ndërkombëtare. Sepse, sipas Zef Mirdite, (U povodu knjige Noela Malcolma "Kosovo. A Short History" ) autori argumenton, kur një territor kalon nga një shtet në tjetrin me ndihmën e okupimit dhe at gjatë kohës së luftës, ai akt pas luftës duhet të njihet me marrëveshje midis dy palëve ndërluftuese. Kjo i referohet marrëveshjes së Londrës që u nënshkrua pas luftës midis aleatëve ballkanikë (përfshirë Serbinë) dhe shtetit osman. Sidoqoftë, Serbia kurrë nuk e ka ratifikuar atë. E njëjta gjë është e vërtetë për Traktatin e Kostandinopojës, të lidhur në Mars 1914 midis Serbisë dhe shtetit Osman, sipas të cilit Traktati i Londrës konsiderohej i ratifikuar. As Serbia kurrë nuk e ka bërë atë. E njëjta gjë është rasti me marrëveshjen në Sevres në 1920, dhe madje edhe me atë në Ankara në 1925, e cila mbeti e pavlefshme dhe joefektive në lidhje me aktin e aneksimit të Kosovës në Serbi. Gjegjësisht, me marrëveshjen në Ankara në 1925, Turqia e konsideroi Kosovën një pjesë të Jugosllavisë, dhe jo Serbisë.

Me formimin e Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve, (sipas autorit Rexhep Shkrijel), filloi rrëmbimi dhe shkatërrimi i pronave myslimane - "të aga dhe bejlerëve, të cilët u plaçkitën dhe u dogjën, dhe një numri aga dhe bejlerësh dhe shërbëtorët e tyre u vranë". Këto grabitje u kryen nga fshatarët serbë (kmetët) sepse ata besonin se kishin të drejtë në tokën që kishin dhënë me qira për kultivim. Siç dihet, shërbëtorët ishin qiramarrës të tokës, ndërsa pronarët e saj të vërtetë ishin agallarit dhe bejlerët.

Përveç në Sanxhakut, Kosovë dhe Maqedonisë, shumë Myslimanë jetuan në Mbretërinë e re. Mbretëria e sllavëve të jugut e serbëve, kroatëve dhe sllovenëve u përpoq të heqë qafe popullsinë jo lojale shqiptare, e cila konsiderohej si një faktor shpërbërës, dhe në atë mënyrë të fitonte tokë të përshtatshme për kolonizim. Një seri masash direkte dhe indirekte inkurajuan myslimanët e pavendosur të migrojnë dhe për atë qëllim u përdorën institucionet shtetërore të Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve (Jugosllavia).

Menjëherë pas themelimit të Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve, popullimi i Kosovës, Dukagjinit dhe Maqedonisë me serbë, malazezë dhe sllavë ishte detyrë me prioritet. Për shumë politikanë serbë dhe disa shkencëtarë, popullata shqiptare ka qenë gjithmonë një problem serioz që duhej zgjidhur. Në artikullin "Problemet e kolonizimit tonë të brendshëm"(«Problemi naše unutrašnje kolonizacije»), i cili u botua në revistën Letopis Matice srpske (Novi Sad, 1925, libri 303, vëll.3). ...Anton Melik deklaron se atje “Arnautët, në disa zona, arritën një shumicë absolute, sepse, sipas statistikave tona nga viti 1920, ata përbëjnë 63.9% në rrethin e Kosovës, 60.5% në rrethin e Zveçanit, 65.9% në rrethin e Prizrenit , dhe Dukagjini deri në 80.8%…..Detyra kryesore "duhet të jetë prishja e unitetit të Arnautëve të banuar, në atë mënyrë duhet kolonizuar në radhë të parë Fushën e Kosovës dhe Dukagjinin".

Në disertacionin e doktoratës Reforma Agrare dhe Kolonizimi në Kosovë (1919-1941) (Prishtinë, 1981), Mi. Obradoviq shkruan autori Petrit Imami, (2016, Serbët dhe shqiptarët..,) vëren se një nga shkaqet që krijoi tension dhe shkaktoi pakënaqësi tek shqiptarët në Kosovë ishte mënyra në të cilën qeveria ushtroi zgjidhjen serbe "Borgjezia serbomadhe dëshironte të thyejë kompaktësinë e fshatrave shqiptare duke sjellë kolonë tek ata. Shqiptari krenar nuk mund të toleronte poshtërimin nga kolonët agresivë, kështu që ky ishte shkaku i vrasjeve dhe krijimit e kaçakëve të rinj. (…) Xhandarët gjithashtu kontribuuan në marrëdhëniet e këqija midis kolonëve dhe shqiptarëve. Në krye të detyrës, ata kryen abuzime, nxitën kolonët kundër shqiptarëve, plaçkitën gjithçka që u pëlqente dhe vranë pa ndonjë arsye…

Pasi Serbia krijoi një administratë pushtuese përmes një regjimi ushtarak dhe policor, ajo kreu terror dhe gjenocid ndaj shqiptarëve, duke përdorur forma të ndryshme të dhunës. Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, më 1 maj 1918, në Shkodër u krijua Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës. Programi i këtij komiteti parashikonte zgjidhjen e dy detyrave kryesore: sigurimin e pavarësisë dhe integritetit territorial të shtetit shqiptar dhe aneksimin e Kosovës dhe të gjitha rajoneve të okupuara shqiptare me Shqipërinë, në një shtet të vetëm komb, si një kusht i domosdoshëm për zhvillim politik, ekonomik dhe kulturor të popullit shqiptar. Duke shpresuar, si organizatat e tjera patriotike, që Konferenca e Paqes në Paris do të zgjidhte çështjen shqiptare, Komiteti i Kosovës i dërgoi asaj memorandume të njëpasnjëshme duke kërkuar që të respektohet pavarësia e shtetit shqiptar dhe të ndreqen padrejtësitë që i bëhen Shqipërisë në Konferencën e Londrës.

Komiteti, i cili kishte në programin e tij çlirimin e Kosovës dhe rajoneve të tjera shqiptare, mbrojtjen e shtetit të pavarur shqiptar dhe demokratizimin e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat