Nëse vazhdohet kështu do të na duhet që të angazhojmë përkthyes shqip-shqip?!

Opinione

Nëse vazhdohet kështu do të na duhet që të angazhojmë përkthyes shqip-shqip?!

Nga: Dibran Demaku Më: 18 qershor 2021 Në ora: 10:51
Dibran Demaku

Ditë më parë shkoi në amshim progesori i nderuar dhe studiuesi i gjuhës shqipe Dr.Sadri Fetiu.

Dr.Sadri Fetiun e kisha njohur që në vitin e largët 1971. Ai ligjëronte gjuhën shqipe në shkollën e mesme teknike të Prishtinës. Dhe profesionin e vetë e bënte me pasion dhe dashuri të pashoqe.

Ishte i dashur me ne nxënësit e tij, por nganjëherë edhe bëhej nervoz me „bëmat“ e ne nxënësve. Por, ajo që e nervozonte më shumë ishte kur ne nxënësit flisnim (apo edhe shkruanim) ndonjë fjalë a shprehje që nuk i përkiste gjuhës letrare shqipe.

Në një rast kur njëri nga shokët e klasës nuk e kishte mësuar poezinë „Anës lumenjëve“ të Nolit të madh, ai, pra profesori Sadri, do të reagonte në mënyrë të dhimbshme deri në dëshpërim.

Edhe pas kaq vitesh sikur ende më ushtojnë në vesh fjalët e tij: “Eh, nxënësit e mij të dashur. Ne në kohën tonë e kishim të ndaluar të mësonim poezitë e Nolit të madh, e ne megjithatë i mësonim fshehtas.

Ndërkaq kur tash na është lejuar, ne nuk i mësojmë. Kjo gjë nuk është vetëm e dhimbshme, por edhe dëshpëruese!

Dhe sikur e humbi toruan. Endej nëpër klasë me shikimin përdhe. Dikur u ul në karrigen e tij që ishte në ballë të klasës dhe vazhdoi: Gjuha është ai mjeti kryesor që i dallon kombet. Ne duhet ta mësojmë dhe ta ruajmë gjuhën tonë. Sepse po e humbëm gjuhën tonë, atëherë ne kemi humbur gjithçka.

Kujtesën për këto inserte për profesorin ma zgjoi një emision i sotëm në një nga televizionet tona. Sajuesit e emisionit kishin ftuar në studio dy të ashtuquajtur „intelektualë“ të cilët po bënin përpjekje të bënin tradicional një iniciativë të tyre me titull: Dita e baballarëve.

Në këtë shkrim nuk do të shkruajmë për iniciativën e tyre, por për gjuhën që flisnin ata dy „intelektualë“. Aq e mjerë ishte gjuha e tyre saqë ty si shikues të bënin të ndjeje dhimbje për ta.T‘i thuash vetës intelektual dhe me fakultet të kryer(?!) dhe të mos dish se si bën shumësi për baballarët në gjuhën që flet, është një mjerim i llojit të vetë?!

Njëri nga bashkëbiseduesit disa herë do të shprehej në stilin: Dita e babave?!
Dhe moderatorja në vend si t‘i përmirësonte, qeshej si një fëmijë i pafajshëm?!

Ato që po e shëmtojnë më së shumti gjuhën tonë janë qendrat televizive. Qendrat televizive angazhojnë në rolin e moderatorëve analfabetë që gjuhën e flasin më keq se fëmijët në klasat e para të fillores!

Është koha e fundit që Kuvendi i Kosovës ta miratojë ligjin për gjuhën, përndryshe nëse zgjatë kjo anarki vizavi gjuhës nuk do të kalojë shumë kohë kur do të na duhet që të angazhojmë përkthyes shqip-shqip?!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat