Sami Lushtaku kundër Bekim Jasharit, cili do të fitojë në Skenderaj?

Opinione

Sami Lushtaku kundër Bekim Jasharit, cili do të fitojë në Skenderaj?

Faton Mehmeti, Bota sot Nga Faton Mehmeti, Bota sot Më 22 korrik 2021 Në ora: 18:47
Bekim Jashari, Sami Lushtaku; foto ilustrim nga "Bota sot"

Mjafton të përmendesh emrin e Sami Lushtakut për të kuptuar më së miri se për kë bëhet fjalë. Njeriu i cili në kohën kur Adem Jashari po luftonte, Samiu kishte hallin si të blinte tokë. Njeriu i përfshirë në aferën “Pronto” që deklaronte se “po të ishte edhe djali i Adem Jasharit nuk e la pa ja...nanën”, duket se nuk i ka pasur vetëm fjalë. Samiu po sfidon jo djalin, por nipin e Ademit, djalin e heroit Hamëz Jashari, kryetarin aktual të Skenderajt, Bekim Jasharin.

Samiu vetëm duke qenë në pushtet ka mundësi që të ruajë pasurinë që e ka bërë, të përfitojë tenderë dhe forma të tjera të abuzimit me pushtetin. Duke qenë larg natyrisht se i mungojnë këto, kështu që kjo edhe e bën atë të i shtohet urrejtja për atë që i pengon. Samiu nuk e urren Bekimin si njeri, por si kryetar komune, të cilin e sheh si pengesën e vetme për të vazhduar qëndrimin në pushtet. Në këtë kuptim edhe ka dalë përballë Bekimit në garën për kryetar komune. Ndonëse Samiu doli si kandidat përballë Bekimit, dua të besoj shumë dhe fort se drenicasit, njerëzit e pushkës dhe fjalës do e votojnë Bekimin, djalin e heroit që nuk mori asgjë nga Kosova, por i dha asaj të gjitha që kishin, edhe jetën.

Të krahasosh Bekimin me Samiun është si dita me natë, dallim shumë i madh për të cilin s'ka pse të mendohet dikush dy herë se kë duhet ta mbështes. Një njeri që ka dinjitet, që ka respekt për familjen Jashari, mbi të gjitha që nuk ka vjedhur kurrë vendin e tij, është i përgjegjshëm dhe njeri i ndershëm s'ka si mos të votojë Bekim Jasharin.

Samiu, në momentin që u zyrtarizua si kandidat nga PDK premtoi “se do ia kthejë namin Skenderajt”, edhe unë besoj se do ia kthejë namin e zi, këtë nuk e vë ne dyshim. Ajo që është në dyshim ka të bëjë me qytetarët e Skenderajt, se a do lejojnë ata dikë që iu kthen namin, nga i cili mezi që janë liruar. Do habitem shumë nëse qytetarët e Skenderajt e votojnë Samiun, njeriu që sa ishte kryetar i tyre më shumë është shquar për telashe me gazetarë se për punët e mira që ka bërë.

Mos të harrojnë qytetarët e Skenderajt se kush është Samiu, njeriu që sa ishte me Ademin kishte hallin si të blinte toka. Po me toka vazhdoi edhe paslufte duke i blerë për 50 euro e duke ia shitur shteti mbi 5000 euro arin. Nuk bën kështu kurrë një luftëtar që ka luftuar me zemër dhe shpirt të sinqertë, kështu bëjnë vetëm mashtruesit, ata që luftën e kanë përdorur si mburojë për qëllimet e tyre të errëta. Beteja pritet të jetë e ashpër, me Samiun që çdo ditë e më shumë tregon se Familjen Jashari e ka përdorur vetëm si emër për qëllimet e tija dhe se kurrë nuk e ka dashur ashtu siç e thoshte.

Sami Lushtaku është e keqja e Skenderajt dhe si i tillë ai nuk duhet të gjejë mbështetje nga qytetarët atje. Drenicasit duhet të mbështesin Bekimin, njeriun që ka dëshmuar se nuk ka ardhur në pushtet vetëm për interesat e tija por për tu shërbyer atyre. Shto këtu pastaj se është djali i Hamzës, janë të mjaftueshme për të votuar Bekimin.

Gjithsesi, në fund u mbetet qytetarëve të Skenderajt për të dhënë votën e tyre me 17 tetor, që do të jetë jo vetëm një ditë se kush do të fitojë Bekimi aspo Samiu, por edhe një tregues për orientimin e qytetarëve të Skenderajt në mes të mirës dhe të keqes, mes nderit dhe jo nderit, mes dinjitetit dhe nëpërkëmbjes. Këto dhe të tjerat janë ato që drenicasit do të tregojnë me 17 tetor.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat