Nga politika dhe politikanët varet se sa një vend do të jetë demokratik, i pasur apo i varfër dhe i korruptuar

Opinione

Nga politika dhe politikanët varet se sa një vend do të jetë demokratik, i pasur apo i varfër dhe i korruptuar

Nga: Adem Bytyçi Më: 14 gusht 2021 Në ora: 23:17
Adem Bytyçi

Unë them se shumica e politikanëve të Kosovës e kanë gabuar rrugën në politikë.

Jo pse në politikë kanë hyrë me qëllim për ta ndihmuar vendin dhe kontribuar për t'iu përmirësuar jetën e qytetarëve, por A-ja e tyre në politikë është interesi privat, se si ta bëjnë një pasuri që nuk e ka askush, si ta ndërtojnë një shtëpi për ta lakmuar të tjerët, për të thënë “ah sa shtëpi të bukur paska ky politikan - ministër, kryeministër, president, deputet, drejtor agjencie, kryeprokuror, prokuror, gjyqtar", etj.

Madje për vilat luksoze brenda dhe jashtë vendit numri i tyre është i madh - është e pamundur të arsyetohen burimet e ligjshme financiare, nga të cilat i kanë blerë gjithë ato alamet vila në bregdetin shqiptar e gjetiu.

Politikanët e Kosovës kanë më shumë toka se cilido bujk, i cili bujqësinë e ka pasur traditë.

Mbase tokat i kanë blerë jo për tu marrë me bujqësi, por për t'i shitur e stërshitur, i kanë blerë me çmime qesharake e i kanë shitur me çmime astronomike për interesa të gjepave të tyre sikur këto toka të kishin qenë tokë: Terra nullius, apo edhe të ndonjë shteti tjetër e jo të shtetit të Kosovës.

Gjatë procesit të privatizimit të tokave dhe aseteve tjera kombëtare ekonomike janë bërë aq keqpërdorime nga politikanët saqë ekonomisë se vendit i janë shkaktuar dëme ekonomike të pariparueshme.

Të gjitha këto të këqija vendit ia kanë shkaktuar ata politikanë, të cilët nuk e kanë merituar të ishin në politikë, ndërkaq tmerri edhe më i madh dhe e keqja më e madhe për qytetarët e Kosovës është kur dëgjojnë se të njëjtit politikanë nuk lënë guri pa rrokullisë, propagandë pa bërë që përsëri t'i kthehen pushtetit për ta vazhduar të njëjtën rrugë të politikës së të keqes në dëm të së ardhmes së vendit dhe mirëqenies së qytetarëve.

Se a mund t'i godit një e keqe e tillë qytetarët e Kosovës, kjo varet se sa janë të vetëdijshëm qytetarët për t'iu përballuar rrenave dhe premtimeve boshe të politikanëve të korruptuar kur e kërkojnë votën e tyre për të ardhur përsëri në pushtet.

Kosova nuk mund të përparojë si shtet dhe qytetarët e sajë të kenë një nivel të jetesës që e meritojnë , përderisa Kosovën e udhëheqin politikanët, të cilët më shumë i marrin se sa i japin Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat