Parashikim: Vetëvendosje 35 %, PDK 22 %, LDK 19, AAK 14 %, 10 % të tjerët

Opinione

Parashikim: Vetëvendosje 35 %, PDK 22 %, LDK 19, AAK 14 %, 10 % të tjerët

Faton Mehmeti, Bota sot Nga Faton Mehmeti, Bota sot Më 7 tetor 2021 Në ora: 08:22
Foto ilustrim

Tanimë që zgjedhjet lokale po afrohen, kureshtja sa vjen e shtohet për fituesit në 38 komuna të vendit tonë.

Secila parti, por edhe secili kandidat nga partitë e mëdha ka shpresa dhe besim se do të fitojë, shto këtu faktin se ndryshe nga zgjedhjet nacionale në ato lokale më tepër preferohet kandidati se sa partia, kjo edhe e bën garën më të paparashikuar dhe më interesante.

Rast konkret është në vitin 2017 ku në atë vit u mbajtën edhe zgjedhjet nacionale edhe ato lokale.

Në zgjedhjet nacionale fituese doli Vetëvendosje, ndërsa në ato lokale fituese për nga numri i përgjithshëm i votave doli të ishte LDK.

Në nivel vendi, LDK, kishte marrë gjithsej 173.967 vota, me gjithsej 8 komuna nën qeverisje lokale, gjë që e bën atë partinë fituese të zgjedhjeve lokale.

Partia e dytë për nga numri i komunave doli Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ku arriti të ketë një ngritje të madhe duke marrë 7 komuna.

Po ashtu edhe Lëvizja Vetëvendosje shënoi rritje edhe në nivel lokal ku përveç Komunës së Prishtinës, arriti që në ato zgjedhje të fitojë edhe komunën e Prizrenit dhe Dardanën.

PDK kishte fituar vetëm 5 komuna, për nga numri votave ishte keq.

Kjo bën të kuptueshme se elektorati di të bën dallimin mes zgjedhjeve nacionale dhe atyre lokale.

Fushata po hyn në ditët e fundit të saj, për partitë politike fushatat zgjedhore qoftë në nivel lokal apo qendror krijojnë shpenzime por edhe për kandidatët që garojnë për deputet apo kryetar komunash.

Subjektet politike kanë të drejtë të shpenzojnë 0.50 cent për votues, apo afër 1 milion euro për një fushatë zgjedhore.

Këtë po e cekim për të thënë se fushata nuk është e lirë krahasuar me përfitimet që kanë nëse fitojnë zgjedhjet, kujtojmë se kemi fjalën për partitë që nuk e shohin pushtetin si favor por si obligim për të shërbyer.

Pikërisht se nuk e shohin kështu partitë politike, por edhe kandidatët bëjnë çmos për të fituar një vend në një komunë të Kosovës.

Ka shumë kandidatë që nuk dinë të bëjnë asnjë njoftim për kandidaturën e tyre, mëtojnë të përfaqësojnë interesat e qytetarëve.

Ta lëmë këtë për një shkrim tjetër, tani fokusi të mbetet tek ethet që kanë partitë, po edhe qytetarët se kush do të fitojë më shumë komuna, fokusi tek shtatë komunat e mëdha të vendit.

Pavarësisht se Vetëvendosje është e para në nivel vendi, kjo s’do të thotë se do të jetë përsëri.

Marr parasysh komunat e mëdha, votat aty, për nga numri i përgjithshëm i votave mendoj se pak a shumë kjo do të jetë përqindja që do të fitojnë partitë politike: Vetëvendosje do të marr 35 %, PDK 22 %, LDK 19, AAK 14, të tjerët do të marrin 10 %.

Pak a shumë ky është parashikimi im.

Nuk e marrë përsipër të parashikojë sa komuna do të fitojnë pasi në vitin 2017, nga 20 komuna që kanë shkuar në balotazh, në 6 prej tyre ka pasur përmbysje të rezultatit krahasuar me raundin e parë, madje edhe në raste kur në raundin e parë kandidati fitues ka pasur diferencë prej gati dyfishin e votave me kandidatit të dytë.

Kjo e bën më të paparashikuar më numër komuna, në përqindje pak a shumë pres që këto të jenë rezultatet në nivel të vendit.

Të presim 17 tetorit për të parë a jemi afruar sado pak apo jo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat