Ramush Haradinaj iu paska drejtuar opinionit me një sqarim!

Opinione

Ramush Haradinaj iu paska drejtuar opinionit me një sqarim!

Nga: Adem Bytyçi Më: 21 tetor 2021 Në ora: 12:18
Adem Bytyçi

Ndër të tjera paska pohuar se, qytetarët gabimisht e qortojnë pse e kritikon z.Kryeministrin Kurti, që dërgoi Policinë Speciale në Veriun e Kosovës për ta luftuar kontrabandën dhe krimin ekonomik në atë pjesë të Kosovës.

Sipas gjykimit "logjik" dhe diskursit politik të z. Haradinaj, Kurti gaboi sepse me këtë nuk arriti asgjë përveçse e dërgoj KFOR-in në atë pjesë të Kosovës për ta kontrolluar përderisa nuk arrihet një marrëveshje tjetër në mes Kosovës, Serbisë dhe BE së, për të vendosur definitivisht paqen dhe sigurinë në atë pjesë të territorit të Kosovës të banuar me shumicë të pakicës serbe.

Z.Ramush Haradinaj në opinionin e tij të publikuar në Bota Sot, paska harruar për të pohuar se BE, dhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor e ka përkrahur z.Kryeministrin Kurti, në luftimin e krimit dhe kontrabandës me mallra në çdo pjesë të Kosovës edhe në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe të pakicës serbe në Kosovë.

Madje SHBA, e ka vlerësuar si të papranueshëm sulmin e forcave rebele serbe atje kundër Policisë së Kosovës dhe gazetarëve ...

Gjithashtu, z.Haradinaj në opinionin e tij është orvatur të arsyetohej se e kishte ratifikuar marrëveshjen për kufirin me Malin e Zi, pasi që ndërkombëtarët i paskan premtuar liberalizimin e vizave, por e paskan gënjyer.. z.Haradinaj, duhej ta dinte se territori i Kosovës nuk do të duhej të tjetërsohej për asnjë çmim...

Z.Haradinaj arsyetohet se si opozitë detyrimisht duhet kritikuar Qeverinë, por kur bëhej fjalë për interesa madhore të vendit opozita dhe Qeveria duhet të flasin me të njëjtën gjuhë.

Më në fund as z.Ramush Haradinaj dhe as një politikan tjetër i Kosovës, i cilido rang qofshin nuk duhet të mërziten në raportin e qytetarëve me ta, sepse qytetarët e Kosovës kanë të dhëna të bollshme për ta ditur se kush është z .Ramush Haradinaj, z .Albin Kurti dhe secili politikan tjetër, madje me shumë interesim dhe vëmendje i përcjellin sjelljet dhe kontributin e tyre në raport me qytetarët dhe vendin, qytetarët armën kryesore për t'i ndëshkuar ata politikanë që veprojnë kundër interesave të tyre dhe të Kosovës e kanë votën, prandaj me votë ia tregojnë se ku e kanë vendin secili politikan dhe secila parti politike, pa i hy në hak askujt .

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat