Ndezja e “Motorëve të Diasporës”, shpresë apo mashtrim për LVV-në?!

Opinione

Ndezja e “Motorëve të Diasporës”, shpresë apo mashtrim për LVV-në?!

Nga: Florim Zeqa Më: 22 tetor 2021 Në ora: 10:45
Florim Zeqa

Rezultati i dobët i LVV-së në zgjedhjet komunale, përveq rënjes enorme në vota i ka ulur prestigjin dhe lëkundur imazhin e Albin Kurtit në qeverisjen qendrore, për arsye se pushteti lokal paraqet bazamentin dhe stabilitetin e pushtetit qendor.

Prishtina “nyja gordiane” e fatit të LVV-së

Fitorja eventuale e balotazhit në Prishtinë dhe në ndonjërën nga komunat e mëdha do ta mbante në këmbë dhe të fuqishme në pushtetin qendror LVV-në. Në të kundërtën do të ketë probleme të theksuara me qeverisjen e vendin pa mbështetjen dhe bashkëpunimin me  pushtetin lokal.

Përmbysje të rezultateve mund të ndodhin në shumicën e komunave dhe për gjitha partitë që kanë dal të parat në raundin e parë. Prandaj, marrëveshjet mes partive politike janë të pashmangshme, në këtë rast edhe për LVV-në, e cila nuk mund të vazhdoj tutje e vetme me slloganin “drejt dhe krejt” apo krejt ose asgjë!

Përveq rezultatit të dobët zgjedhor të LVV-së, zgjedhjet lokale të 17 tetorit e nxoren në pah edhe fuqinë e vogël dhe të papërfillshme të listës inekzistente “Guxo”, e cila nuk e la asnjë gjurmë pozitive me paraqitjen e saj përmes iniciativave qytetare! 

Zgjedhjet lokale rehabilituan partitë opozitare

Në anën tjetër, për partitë opozitare (LDK, PDK, LVV e NISMA), këto zgjedhje ishin një rast i mirë për të dëshmuar forcën elektorale, e cila dallon shumë nga zgjedhjet e paraprake parlamentare. Në këto zgjedhje ndodhi ngritja dhe rikthimi i partive opozitare, në disa raste edhe përtej parashikimeve dhe pritjeve të tyre!

Kur jemi në këtë segment, deklarata e nënkryetarit të LDK-së dhe kandidatit për kryetar të Gjilanit, Lutfi Haziri, se nuk do të ketë marrëveshje politike në bllok me askënd, më shumë e dëmton sesa e ndihmon LDK-në dhe Gjilanin në veçanti!

Anulimi i zgjedhjeve nga PZAP-ja në Han të Elezit pas ankesave të kandidatit të pavarur Refki Suma, nën dyshimin për shit-blerje të votave, e vë në sprovë të re PDK-në këtë komunë dhe jo vetëm!

AAK-ja e vogël nga zgjedhjet parlamentare na doli të jetë më e madhe me fitore në zgjedhjet lokale, kurse NISMA duhet medeomos ta fitojë Malishevën për ruajtur imazhin e ngritjes reale!

Me garimin e kandidatëve anonim, pa përvojë politike dhe pa kredibilitet qytetarë, LVV-së i kushtojë rëndë me mosfitore në asnjë komunë të vetme në raundin e parë, anipse është në balotazh në 12 komuna!

Për shkak se, në shumicën e komunave në balotazh pritet ta fitojnë partitë opozitare. Pa dyshim, rezultati final i zgjedhjeve komunale do të ndikojë në situatën e përgjithshme politike dhe nuk do të mbetet pa ndikim edhe në qeverisjen qendrore.

Heqja e “vijave të kuqe”, shpëton LVV-në

Kjo situatë, pashmangshëm do t’ia imponon LVV-së heqjen e “vijave të kuqe” për lidhjen e koalicioneve në nivel lokal me partitë opozitare, të cilat do të prodhonin një situatë krejtë tjetër sa i përket qeverisjes qendrore.

Ngase shtrirja e pushtetit lokal është determinuese për mbarëvajtjen e pushtetit qendror dhe jo vetëm. Nga bashkëqeverisja në nivelet komunale do të varen sukseset dhe jetëgjatësia e Qeverisë Kurti 2.

Anashkalimi i bashkëpunimit me partitë opozitare në nivelin lokal dhe mbështetja vetëm tek “Motorët e Diasporës” apo vota e mërgatës sonë, mund t’i kthehet bumerang Albin Kurtit, për shkak se, jo e gjithë mërgata janë me LVV-në!

Arsye se tjetër e gabimit potencial të LVV-së është fakti se, edhe po t’ju sigurohen gratis biletat e udhëtimit dhe akomodimi në hotele, jo çdo herë mërgimtarët e kanë mundësinë e ardhjes për votime në Kosovë!

Ndryshe nga zgjedhjet parlamentare, vota e Diasporës nuk do të jetë unike për një listë zgjedhore, por e fragmentuar në 22 komuna dhe e ndarë në disa lista zgjedhore.

Mbështetja e LVV-së tek “Motorët e Diasporës”, do të motivon fuqishëm lidhjen e koalicioneve dhe bashkimin e të gjitha partive opozitare në Prishtinë, Prizrenë, Podujevë, Gjilan e gjetiu, për çka mund ta lënë Albin Kurtin duarthatë edhe në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat