Pensionistët e Malësisë duan një pleqëri sa më të rehatshme

Opinione

Pensionistët e Malësisë duan një pleqëri sa më të rehatshme

Nga: Gjekë Gjonaj Më: 28 tetor 2021 Në ora: 11:48
Gjekë Gjonaj

Pak ditë më parë dëgjova në emisionin “ Aktuale” të thuhej se pensionistët e Malësisë nuk kanë kushte të mira për të kaluar kohën e lirë dhe se objekti ( klubi) i tyre në qendër të Tuzit, ka disa kohë që nuk ka rrymë elektrike. Arsyeja e mungesës së rrymës, siç dëgjuam nga pensionistët, nuk është ndonjë defekt në prishjen e kabllove, por një borxh i papaguar nga disa subjekte politike të cilat e kanë shfrytëzuar atë një kohë.

e pensionistëve se në mungesë të energjisë elektrike nuk mund të tubohen kur është e shi e të ftohtë, sepse mërdhasin, se objekti i tyre nuk është në gjendje të mirë dhe kërkon rinovim , se inventari është i vjetruar dhe i pamjaftueshëm për nevojat e tyre, se është i parregulluar oborri para objektit e ankesa të tjera reale ishin prekëse, për të mos thënë trishtuase e tronditëse. Ata nuk kërkojnë shumë. Duan kushte më të përshtatshme për t’ua lehtësuar sadopak jetën. Duan një lokal funksional, ku mund të pushojnë, të bisedojnë njëri me tjetrin , të zbaviten, argëtohen dhe të organizojnë ndonjë aktivitet për ta thyer monotoninë e përditshmërisë së tyre. E, jo siç ndodh aktualisht me këta pensionistë të cilët kur fillon shiu dhe gjatë stinës së dimrit janë të detyruar të mbyllen dhe të rrinë në shtëpi. Duan më tepër vëmendje institucionale . Kujdes e mirënjohje. Duan stola ( karrige) e tavolina më të mira. Të ketë njerëz që interesohen për ta, t’i mbrojnë e t’i shërbejnë. Kërkojnë nga komuna e qeveria t’u sigurojnë një vend të ngrohtë të luajnë domino, të çlodhen, të heqin mërzinë, sepse dita është e gjatë kur nuk ke ku ta kalosh kohën.

Ankesat e secilit prej tyre janë pothuajse të njëjta. Kërkojnë më shumë përkujdesje shtetërore. Thonë se kanë kontribuar në ndërtimin e këtij vendi dhe se meritojnë të kenë një jetë më të dinjitetshme. Pleq janë. Jetën e kanë të shkurtër. Pensionet e tyre janë shumë të ulëta. Dikush prej tyre ka më pak halle e dikush më shumë. Dikush ndihmohet nga familja e dikush pret vetëm pensionin. Ka edhe të atillë që janë të vetmuar, shpesh herë larg të afërmve të vet. Problemet e tyre shëndetësore dihen se cilat janë. Pa mbështetje të duhur , me pensione të ulëta, me shëndet të rënduar, me mungesën e nevojshme nga shteti pensionistët e Malësisë ndihen të harruar.

Si shoqëri, por edhe si individ kemi përgjegjësi morale të tregojmë mirënjohje për kontributin e dhënë dhe të kujdesemi që pensionistët të kenë pleqëri sa më të rehatshme. Pensionistët nuk kanë nevojë për lëmoshë. Ata nuk duhet t’i përdorim e të solidarizohemi me ta vetëm gjatë fushatave parazgjedhore, duke u premtuar rritje të pensioneve e mirëqenie. Dinjiteti i pensionistëve , të cilët e kanë ngritur shtetin dhe komunën ku jetojnë nga shpatullat e tyre nuk mund e nuk do të duhej të cenohet nga askush. A është e hijshme dhe e pranueshme që pensionistët të jenë sot në mesin e grupeve shoqërore të lëna në hije? A është kjo njerëzore e humane ?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat