Me votimin për bashkim kombëtar, Kurti po e provokon Serbinë!

Opinione

Me votimin për bashkim kombëtar, Kurti po e provokon Serbinë!

Nga: Sherif Ramabaja Më: 23 nëntor 2021 Në ora: 14:34
Sherif Ramabaja

Derisa ishim të pushtuar nga Serbisa për më shumë se 100 vite, për një deklaratë të tillë denoheshe 15 - 20 vite burg, sepse rrezikoje sistemin kushtetues shtetëror serb.

Ndiqeshin, burgoseshin dhe torturoheshin familjarët, të afërmit, shokët dhe të gjithë ata që kishin pasur kontakt dhe e njihnin të akuzuarin.

Ky ishte sistemi i dhunës serbe ndaj shqiptarëve për të mbjellur frikë, por fatkeqësisht, po i njejti sistem serb ushtrohet edhe sot ndaj shqiptarëve të Luginës.

Sot kryeministri Kurti, sikur kur han bukë e djathë, haptas deklarohet se do të votonte pro Bashkimit Kombëtar, po të organizohej një referendum i tillë.

Ende pa u publikua mirë qëndrimi i kryeministrit Kurti e tërë Serbia u ngrit në këmbë, u mobilizuan Vuçiqat, Daçiqat, Vulinat... ( rreziku të niseshin edhe me ushtri ) për ta kundërshtuar një ide të tillë.

 Po të kishin pasur mundësi më me dëshirë do të ishin nisur që ta burgosnin kryeministrin për një deklaratë të tillë, po fatmirësisht sot nuk e kanë një fuqi të tillë.

Kryetari i Bjellorusisë Lukashenko këto ditë për krizën e refugjatëve, të cilën vetë e ka krijuar, në një kontekst të një pyetje të një gazetari deklaroi : ” Ne jemi popull sllav, ne kemi zemër”.

Prandaj Kurtit për referendumin për të votuar pro Bashkimit Kombëtar, nuk llogariti fare se si ndihej Serbia, apo nuk mendoi fare se ky është një provokim, për ta krijuar Shqipërinë e Madhe.

 Në të ardhmen kryeministri Kurti dhe të gjithë të tjerët, duhet të kenë kujdes  ndaj deklaratave të tyre, në mënyrë që mos ta lëndojnë edhe ashtu mjaft të lënduar popullin dhe shtetin Serb.

Lëndimi më i madh po ashtu po iu bëhet këto ditë me kritikat ndaj kriminelit Mladiq në Muralet nëpër rrugët e Beogradit, që për ta është një hero i vërtetë sepse është kujdesur ta pastroi Bosnën nga jo serbët.

Sportistët po ashtu në publik duhet të kenë kujdes, mos ta bëjnë shqiponjën dykrenare me duar, sepse edhe ky është provokim ndaj shtetit dhe popullit serb.

 Më së miri do të ishte që shqiptarët të deklaroheshin se i takojnë ndonjë populli tjetër, ngase emri shqiptar po ngjall frikë te ky popull i shenjtë.

 Ndoshta po ua kujton tmerret që i kanë bërë ndaj shqiptarëve, e ata janë një popull sensibël dhe të prekshëm.

Mund të jetë që këto gjëra si duket bëhen qëllimisht nga shqiptarët duke e lënduar në këtë mënyrë sedrën e popullit serb, pa llogaritur se ata janë një popull të cilët kanë zemër.

Serbët nuk mund ta paramendojnë ndarjen, nga dashuria e madhe që kanë për ne. Kur dështuan në të gjitha përpjekjet për të qëndruar nën një kulm, e shpikën Minishengenin Ballkanik, po kur e vërejtën se ky emërtim nuk na pëlqente e emëruan Open Ballkan. Merrene me mend vetëm për ne.

Kryeministri Rama i entuziazmua me një propozim dhe emërtim të ri, Serbinë dhe presidentin Vuçiq po mendon t´i propozoi për çmimin Nobel për Paqe.

Prandaj kryeministri Kurti në të ardhmen duhet të ketë kujdes me deklarata publike dhe po deshi që Serbia dhe populli serb të jenë në anën tonë, do të duhej të deklarohej pro Open Ballkan, apo në një formë që ne sërish të bashkoheshim me Serbinë.

Ndoshta do të ishte mirë që të ktheheshim në kohën e Luftës së dytë Botërore dhe t´i japim rast Serbisë, që ajo ta përgadiste referendumin vetë:  duam ne të bashkoheshim me Serbinë apo me Shqipërinë. Pse jo edhe një konferencë të Bujanit, në të cilën delegatët do t´i propozonte vetë Serbia.

Ose të vendosnim vullnetarisht pa referendum, që t´i bashkoheshim Serbisë! Ç´farë dite do të ishte kjo për Popullin serb dhe Serbinë?

Ndoshta publikisht do të distancoheshin nga Elaborati i Çubrilloviqit për shfarosjen e shqiptarëve.

 Do të distancoheshin ndoshta edhe nga veprimet e Miloseviqit, dhe do të na premtonin që që këto kohë tash e tutje, kurrë nuk do të përsëriteshin më.

Ish presidenti Thaçi thoshte se marrëveshja me Serbinë do të jetë e dhimbshme, prandaj që mos të kemi marrëveshje të dhimbshme, të pajtohemi që Serbia të futet në Kosovë me ushtri, milici e krejt çka ka.

Ata janë popull sallav dhe kanë zemër, së paku mjekësia mund ta vërtetoj këtë.

Shkrim i botuar në Mars - Rover.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat