Ku dhe kush janë vrasësit e Xhemail Mustafës?

Opinione

Ku dhe kush janë vrasësit e Xhemail Mustafës?

Nga: Faton Mehmeti Më: 23 nëntor 2021 Në ora: 21:35
Autori

Isha nxënës i shkollës së mesme, kur po kthehesha në mbrëmje në shtëpi, u futa në një market afër shtëpisë, fqiu im më tha “e vranë Xhemail Mustafën”, mbeta i shtangur.

Ishte data 23 nëntor e vitit 2000. Vrasja e Xhemail Mustafës është nga më tronditëset, sepse ishte bashkëpunëtori më i afërt i Presidentit historik Ibrahim Rugova dhe zëdhënësi më besnik i idealeve rugoviane. Prandaj, vrasja e Xhemës ka qenë e dyfishtë, sepse ia ka dobësuar krahun personalisht Presidentit Rugova.

Njeriu i dijes, i cili ishte edhe gazetar, politikan, publicist, shkrimtar dhe këshilltar politik i Presidentit Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.

U vra mizorisht në hyrje të apartamentit të tij, ku u qëllua për vdekje nga dy sulmues, të cilët kurrë nuk u arrestuan. Vrasja e tij tronditi Kosovën e pasluftës dhe skenën politike të atëhershme. Sigurisht se vrasja e tij mbetet një nga çështjet e pazgjidhura dhe misterioze në vrasjet e pasluftës në Kosovë.

Ditën e varrimit para mijëra të pranishmëve, zyrtarë të lartë të Kosovës, parlamentit dhe të partisë, por edhe të UNMIK-ut lexuan telegrame dhe jetëshkrime mbi veprimtarinë e bujshme politike të tij.

Ata u zotuan se nuk do të shkon larg dita kur para drejtësisë do të gjenden ata që ngrehën gishtin e krimit dhe e bënë këtë vrasje mizore. Mirëpo, me sa u pa, që nga ajo kohë e gjer më sot, premtimet mbetën boshe dhe dhimbja për Xhemën i mbeti Familjes dhe farefisit.

Ishte koha e qeverisë së Hashim Thaçit, gjatë së cilës janë vrarë 456 persona. Në 20 vjetorin e vdekjes së tij, akoma nuk është zbuluar se kush qëndron pas vrasjes së tij.

Aktualisht në Hagë janë të arrestuar disa nga njerëzit e luftës, mes tyre edhe kreu i ShIK-ut, nga gjykimi i të cilit mund të ketë informacione të reja rreth vrasjes së njeriut më të afër të dr. Rugovës.

Me vrasjen e Xhemës, presidentit Rugova iu është thyer njëri krah, krahu i djathtë i tij. Natyrisht se Xhemajl Mustafa mbetet njëri nder intelektualët më të mëdhenj që ka pasur Kosova, burrë i ditur dhe i urtë.

Mbesim me shpresën që ky të jetë përvjetori i fundit pa identifikimin dhe arrestimin e vrasësve, urdhërdhënësve të Xhemajl Mustafës.

Vrasja e Xhemës dhe të tjerëvë shënoi një pikë kthese në Kosovë, me plagën e hapur të vrasje të pasluftës, me autorët që akoma nuk janë dënuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat