Masat urgjente janë të pashmangshme

Opinione

Masat urgjente janë të pashmangshme

Nga: Lirim Gashi Më: 24 nëntor 2021 Në ora: 17:23
Lirim Gashi

Merrni masa urgjente sepse nuk ju kemi zgjedhur që t'ju adhurojmë sikur të ishit guru të besimtarëve hindus.

Është turp që Kosova që fle mbi thëngjill importon rrymë.

E di që ju nuk keni faj për situatën, por punësoni njerëz që nxjerrin qymyr nëse është nevoja me lopata, sepse çmimi i qymyrit është shumë i lartë në tregjet botërore, ndërsa ne kemi aq shumë qymyr saqë sikur të eksportonim në harmoni me resurset që i kemi do të shkaktonin kollaps ekologjik global.

Unë e urrej qymyrin po aq sa djallin por në këtë krizë emergjente nuk kemi alternativë tjetër.

Kuptojeni një herë e përgjithmonë:

Vetëm vendimet e guximshme ndihmojnë në këtë krizë globale energjetike dhe pandemike.

Nuk është turp të pezullohet përkohësisht tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH) në shitjen e mallrave sepse rezulton me çmime më të ulëta dhe konsum më të lartë.

Sepse konsumi i shtuar kompenson paratë që ju mungojnë nga pezullimi i përkohshëm i vlerës së shtuar.

Sepse ato para mbeten në qarkullim në Kosovë.

Si kundër-masë mund t'i pezulloni përkohësisht akcizat e dyfishta dhe në këtë mënyrë ta bëni më të lirë importin e mallrave.

Sepse mallrat e importuara me çmime më të lira mund të shiten më lirë.

Pyes veten pse paguani këshilltarët ekonomik dhe financiarë kur ata nuk po e bëjnë punën e tyre siç duhet.

Vetëm për të ulur numrin e të papunëve me paratë e taksapaguesve?

Ku mund të demonstrohen dhe promovohen më mirë vlerat e demokracisë sociale sesa në kohë krizash lokale dhe globale?

Pse nuk e shihni krizën si një shans për të dalë nga korja e politikës që nuk i ngjan as mishit as peshkut?

Pse po tregoni tani që nuk keni mjaft ekspertë dhe jo kur kërkuat votat e qytetarëve.

Çfarë është një iluzion optik nëse jo ky veprim?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat