“Biografitë e 18 Veteranëve të Durrësit”

Opinione

“Biografitë e 18 Veteranëve të Durrësit”

Nga: Nasho Bakalli Më: 27 nëntor 2021 Në ora: 23:37
Nasho Bakalli

Nr.8, në listën e jetshkrimeve të 18 veteranëve të Durrësit, është emëri: "Kristaq Rama, lindi në Kozare, Berat më 20 Dhjetor 1866, dhe vdiq në Durrës në vitin 1924. Mësimet fillestar i bëri në shkollën e Kristaq Zografit në Qestorat, pastaj kreu shkollën e normale (didaskalin) Greke, duke marrë titullin mësues. Kthehet në Durrës dhe meret me botimet gazetat dhe revistat Shqipe, që shtypeshin jashtë Shqipërisë: si “Bashkimi i Kombit” në Manastir, “Lirija” e Selanikut etj. Mori pjesë në çeljen e klubeve nacionaliste 1908-1909 në Durrës. Bashkë me Sali Nivicën, Mytesim Këlliçin (atë kohë myfti), Aleks Dukën etj, mori pjesë në komisionin për futjen e mësimit të gjuhës Shqipe në shkollat Osmane të vendit tone. Në 1914 mbas ikjes së Princ Vidit nga Durrësi kapet nga rebelat dhe burgoset për 5 muaj. Që nga shpallja e pavarsisë shërbeu me detyra të ndryshme në doganën e Durrësit, duke e filluar si arkëtar e duke e mbyllur si drejtor kur vdiq në 1924."

Kristaq Rama është stërgjyshi i Edi Rama. Jemi këtu para një fakti të rrallë historik, po qe se pëlqejmë të krahasojmë biografitë e stërgjyshërve të të gjithë kryeministrave të Shqipërisë, në periudhën 1912-2021, me atë të stërgjyshit të Edi Rama.

Biografitë e 18 Veteranëve të Durrësit janë të mbrujtura me një simpati që të impresionon, me cfarë? me guximin dhe veprimet e rrepta e të papërkulura të 18 Veteranëve në dobi të mbrojtjes të çështjes kombëtare. Vepra e tyre është e shkëlqyer për nga patosi përparashpënës, për nga mllefi i urrejtjes për fajtorët e prapambetjes vëndit. Janë 18 shqiptarë që ngjallin nderim të lartë, gjer edhe mbretit të Shqipërisë.

Po cili është fakti historik që më shtyti të dal në përfundimet e sipërme?

Në fillim të vitit 1937 nisi punën komisioni kombëtar me emërin “Komision për Kremtimin e 25-vjetorit të Vet-qeverimit”.

Komisioni Prefektural i Durrësit, për Kremtimin e 25-vjetorit të Vet-qeverimit, përbëhej nga: zv.Prefekti i Durrësit, Mahmut Golemi, me anëtarë Kristaq Zaguridha, Shefqet Çelkupa, Hysen Çela, Harrilla Bakalli.

Ky komision përpiloi një listë me 18 patriotë, si vijon: Abaz Çelkupa, Aleks Duka, Gjergj Lezhja, Afiz Ali Podgorica, Haxhi Met Rama, Jahja Ballhysa, Kasem Durrësi, Kristaq Rama, Hysen Halimi, Mustafa Ali Ibrahimi, Osman Mustafa Ibrahimi, Panajot Becka, Dr. Neki Libohova, Seid Hysen Kërtusha, Sabri Dermani, Sotir Margariti, Sotir Vevecka, Ziver-Muhamed Ismail Myderizi, të cilët, sa qenë gjallë ndihmesuan në çështjet kombëtare të qytetit të Durrësit. Komisioni prefektural i Durrësit në përfundim të punës së vet doli me një vendim, ku, pasqyroheshin edhe “Biografitë e 18 Veteranëve të Durrësit”.

Vendim

“Komisioni Prefektural i Durrësit për Kremtimin e 25-vjetorit të Vet-qeverimit, në mbledhjen e tij të sotshëm, lexoi për herën e fundit, në formën e tyne të plotsueme, jetëshkrimet e 18 (tetëmbëdhetë) veteranëve të vdekun të këtij qyteti, të përmbajtuna në 5 (pesë) fletë të daktilografueme, të cilat, mbassi i gjeti në rregull dhe i aprovoi, vendosi me ia bashkëngjitë këtij vendimi dhe me ia paraqitë për kopetencë Komisionit Qendruer të Tiranës.

Sikurse do të kuptohet lehtë nga nji lexim i këtyne biografive, Komisioni asht mundue me u-shprehë sa ma shkrurtimisht e ma objektivisht mbi patriotët e vdekun, dhe hollësinat e përshkrueme në to janë fryt i nji interesimi të kujdesshëm e hetimesh të shumta. Vetëm aty-këtu janë konsultue biografitë e paraqituna nga familjet e farë e fisi i të ndierëve; për-ndryshej, Komisioni asht bazue n’informata të besueshme të vetat.

Në lidhje me dokumentat e kërkueme nga Komisioni Qendruer me telin (telegramin) nr.170 datë 19.8.1937, të tilla mjerisht nuk jemi në gjendje me paraqitë për asnjanin nga veteranët tonë (përveç nji letre-njoftimi të shoqnis “Burimi” të të ndierit Ziver-Muhamed Myderrizi). Shkaku asht se, nga turbullimet e shumta që ka hjekë qyteti i ynë sidomos gjatë kryengritjes 1914-1915 dhe në kohën e Luftës së Madhe, edhe ata që i kanë pasë janë detyrue t’i djegin vetë (për të shpëtue nga komprometimi) ase u a kanë djegë të tjerët: posaçërisht rebelat. Nga ana tjetër, disa prej këtyne patriotëve kanë kryer vepra, që s’asht e mundun të vërtetohen me dokumenta të shkrueme (Për shembëll: Sotir Veveçka, që mësonte Shqip tinëz, e Sotir Margariti që shtinte libra e fletore neper topat e basmeve).

Komisioni Prefektural ka konviksion të plotë për çka shkrue dhe i lutet edhe Komisionit Qendruer që të ketë mirësin me sjellë bindje mbi vlerën e arsyetimeve të ma-sipërme e, si rrjedhim, me mos i lane këta (si dhe dy të tjerë: Dom Nikoll Kaçorri e Ernest Kolanda që, për arsye se biografitë e tyne nuk janë ende gati, do të dërgohen ma vonë) jashtë grupit të veteranëve të vdekun që do të nderohen me botim në librin e posaçëm.

Kryetar i Komisionit Prefektural Zav. PREFEKTI

Kapiten i I-rë (Mahmut Golemi)

Anëtarë

Kristaq Zaguridha

Shefqet Çelkupa

Hysen Çela

Harrilla Bakalli.”

Nga Nasho Bakalli.

Referenca për sa më sipër, studiuar nga historiani Aleksandër Cangonja, është: Arkivi Qëndror i Shtetit, Fondi 170, viti 1937, dosja 47 (Komisioni i 25 Vjetorit të Vetqeverimit).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat