Dita e Flamurit

Opinione

Dita e Flamurit

Më: 28 nëntor 2021 Në ora: 18:47
Ilustrim

109 vjet më parë, më 28 Nëntor 1912 Ismail Qemali në krye të një Kuvendi Kombëtar të mbledhur në Vlorë, shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Kjo ngjarje me rëndësi jetike në historinë e kombit shqiptar, ishte rezultati i përpjekjeve të Rilindjes Kombëtare të shekullit të XIX dhe i Lidhjes së Prizrenit e themeluar më 10 qershor 1878 në kohën kur tokat shqiptare rrezikoheshin të ndaheshin mes fqinjëve sllavë dhe grekë pas luftës ruso-turke , traktatit të Shën-Stefanit dhe Kongresit të Berlinit. Lidhja e Prizrenit u përpoq që të bashkonte katër vilajetet e pernadorisë osmane ku jetonin shqiptarët (vilajeti i Janinës, Shkodrës, Kosovës dhe Manastirit) në një njësi politike dhe administrative autonome shqiptare e cila do të hidhte bazat e një shteti të pavarur shqiptar.

28 Nëntori 1912 ishte pikërisht dita që i hapi rrugën krijimit të shtetit të pavarur shqiptar. Por për fat të keq pavarësia erdhi shumë vonë. Ajo u shpall në momentin më të fundit, kur një pjesë e mirë e tokave shqiptare ishin pushtuar ushtarakisht nga fqinjët sebë dhe grekë. Si rezultat, megjithëse Pavarësia u shpall për të gjitha tokat shqiptare, ashtu siç e kishte kërkuar Lidhja e Prizrenit, shteti i ri shqiptar u cungua nga të gjitha anët dhe Kosova, Camëria, Dibra e madhe e toka të tjera shqiptare mbetën jashtë kufijve të shtetit shqiptar, megjithëse këto krahina shqiptare patën luftuar më shumë nga të gjithë për Pavarësinë me armikun që e kishin përballë. Me shumë se gjysma e tokave shqiptare mbetën jashtë shtetit shqiptar sipas kufijve që i njohu Traktati i Londrës më 29 korrik 1913.

Shqiptarët e mbetur jashtë shtetit shqiptar nuk reshtën kurrë së luftuari për t’u bashkuar me shtetin amë. Falë përpjekjeve të tyre shekullore, shqiptarët e Kosovës, pas shumë përpjekjesh dhe sakrificash, arritën më 12 qershor 1999 të çliroheshin nga pushtimi i Serbisë. Më 17 shkurt 2008 Kosova shpalli Pavarësinë duke i hapur rrugën krijimit të shtetit të dytë të pavarur shqiptar, 130 vjet pas Lidhjes së Prizrenit dhe 96 vjet pas shtetit të parë shqiptar. Shteti i ri kosovar është njohur nga Fuqitë e Mëdha perëndimore dhe nga shumica e vendeve demokratike, por ende nuk është njohur nga Serbia dhe aleatët e saj, Rusia dhe Kina.
Serbia, fëmija i përkëdhelur i Rusisë, me mentalitetin e saj shovinist dhe kolonialist ende synon ta ripushtojë Kosovën pasi për njëqind vjet me radhë iu punoi një mijë e një të zezat shqiptarëve të Kosovës derisa më në fund tentoi t’i zhdukte me rrënjë e me farë. Por për fat të mirë forcat e gjalla të kombit shqiptar i dolën përballë Serbisë dhe i vunë gjoksin armëve të saj, duke ngjallur simpatinë dhe duke marrë përkrahjen e të gjithë botës demokratike që beson tek drejtësia, humanizmi dhe e drejta e kombeve dhe popujve të jetojnë të lirë dhe në paqe.

Bashkimi i Kosovës dhe Shqipërisë në një një entitet të vetëm politik është rrjedha llogjike e historisë së kombit shqiptar. Nuk duhet të kemi asnjë dyshim se kjo është zgjidhja e vetme për çështjen kombëtare shqiptare, se kjo është rruga e vetme për mbijetesën e kombit shqiptar dhe për vendosjen e paqes në rajon. Dy shtete të ndara shqiptare nuk kanë kuptim dhe e dobësojnë pozitën e shqiptarëve në rajon përballë fqinjve. Vetëm të bashkuar Shqiptarët mund të ndalojnë synimet ekspansioniste të fqinjve dhe te evitojnë luftra të tjera për pushtimin e tokave të tyre.

Por sa më shumë afrohet dita e bashkimit kombëtar, aq më i fortë bëhet reagimi i fqinjve tanë shovinistë të cilët tremben se nuk do të mund të vazhdojnë planet e tyre ekspansioniste në kurriz të tokave shqiptare.

Aq më të mëdha bëhen kërcënimet e tyre, aq më i ethshëm bëhet aktiviteti i tyre anti-shqiptar, aq më të çuditshme bëhen përrallat e tyre, por edhe aq më i madh bëhet rreziku për kombin shqiptar.

Prandaj shqiptarët, si në Kosovë dhe në Shqipëri dhe tjetërkund, duhet të tregohen shumë të kujdesshëm dhe të matur. Të mos tremben dhe të mos dekurajohen, por të bashkuar t’i përballojnë situatat me qetësi, guxim dhe vendosmëri.
Në listën e përpjekjeve anti-shqiptare sot bëjnë pjesë projekti serbomadh i « Ballkanit të hapur » dhe ultimatumi serb për « Asociacionin e Komunave Serbe » në Kosovë të cilat shteti i ri kosovar i ka kundërshtuar me plotë të drejtë, duke u bërë mbrojtësi më i madh i kombit shqiptar sot. Por ndryshe qëndron puna me Shqipërinë, kryeministri i së cilës, i cili vjen nga kasta komuniste e Tiranës e krijuar nga partia komuniste jugosllave, ashtu si Don Kishoti i Servantesit , kërkon ta kthejë historinë prapa dhe të bëhet pjesë e një Jugosllavie të re, të bazuar në idenë serbomadhe të «  botës serbe » . Por kjo tentativë nuk do të ketë sukses, sepse Shqiptarët në Shqipëri, Kosovë dhe kudo ndodhen nuk e dëshirojnë dhe nuk pranojnë të ndjekin rrugën e « Ballkanit të hapur » serbosllav që do t’i rifuste nën sundimin serb.

Përkundrazi Shqiptarët e ndiejnë se rruga e vetme është bashkimi kombëtar, dhe ata dëshirojnë të jetojnë në një shtet të përbashkët shqiptar. Por bashkimi kombëtar nuk është thjesht një dëshirë apo një tekë. Bashkimi kombëtar është një nevojë absolute për kombin shqiptar, por edhe një domosdoshmëri për ekuilibrin dhe paqen në rajon. Fuqitë e mëdha e kuptojnë këtë, dhe megjithëse nuk e nxisin, nuk do ta pengojnë. Prandaj shqiptarët duhet të punojnë në këtë drejtim dhe të mos bëhen vetë ata pengesë. Tek shqiptarët ekzistojnë shpesh mendime që mbivlerësojnë rolin e Fuqive të Mëdha, iu atribojnë atyre qëllime dhe fuqi imagjinare dhe nuk e kuptojnë si funksionojnë ato. Fuqitë e Mëdha kanë interesat e tyre, por ato nuk mund të shkojnë kundër vullnetit të popujve dhe kombeve. Janë vetë shqiptarët dhe askush tjetër që përcaktojnë fatin dhe të ardhmen e tyre. Janë vetë shqiptarët që përcaktojnë fatin e kombit shqiptar, nëse ai do t’i nënshtrohet armiqve të tij shekullorë, apo nëse do t’iu bëjë ballë dhe do të ngrihet lart dhe do të arrijë bashkimin kombëtar për të cilin kanë luftuar, sakrifikuar dhe derdhur gjakun dëshmorët e kombit shqiptar, që nga Lidhja e Prizrenit e deri më sot.

Në këtë përvjetor të 109-të të Ditës së Flamurit, Shqiptarët janë më pranë se kurrë më parë realizimit të ëndrrës së Bashkimit Kombëtar. Është koha që të gjithë Shqiptarët, kudo ndodhen, të bëjnë të gjitha përpjekjet që kjo ëndërr të bëhet realitet sa më parë. Shqiptarët u detyrohen për këtë jo vetëm mijëra dëshmorëve të sakrifikuar për kombin shqiptar, por edhe vetë fëmijve të tyre, të cilëve e kanë për detyrë t’iu lënë një vend të plotë, të bashkuar, të begatë dhe në paqe me fqinjët dhe me botën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat