Parlamenti i Kosovës duhet të korrigjojë vetveten në mënyrë që të funksionojë në interes të popullit

Opinione

Parlamenti i Kosovës duhet të korrigjojë vetveten në mënyrë që të funksionojë në interes të popullit

Luz Tomaj Nga Luz Tomaj Më 29 nëntor 2021 Në ora: 16:28
Kuvendi i Kosovës

Kushtetuta e Kosovës, e miratuar urgjentisht, nën presionin e z. Ahtissari, përmban mjaft të meta, të cilat shprehen edhe në procesin e funksionimit të shtetit. Kosova hyn në radhën e shteteve të sistemit parlamentar dhe mu kështu, është e regjistruar në listën e OKB. Megjithatë, kur bëhet fjalë për kompetencat e institucioneve të shtetit, Kushtetuta përmban edhe dispozita, të cilat e pretendojnë edhe sistemin presidencial. Procesi për ndonjë ndryshim është i vështirë ngase kërkohen edhe votat e minoriteteve e në veçanti të Listës serbe. Vite me radhë, nuk ndodhi asnjë përpjekje, qoftë edhe amandamentare, për ndonjë korrigjim, e drejtë kjo e cila iu përket Presidentit dhe Qeverisë.

Parlamenti është institucioni legjislativ dhe më i lartë i shtetit nga se, përveç tjerash, vendos për zgjedhjen e Presidentit të Republikës dhe Qeverisë.

Kushtetuta (neni 74), në mënyrë decidive, flet se deputetët e Kuvendit të Kosoves, ushtrojnë funksionimin e tyre në interesin më të mirë të republikës – popullit. Në vazhdim (neni 76), parasheh se Kuvendi i miraton rregullat e punës, me të cilat përcaktohet organizimi i brendshëm dhe vet mënyra e punës së Kuvendit.

Deputetët e anashkalojnë interesin e popullit

Jam në dilemë a të them fatbardhësisht apo mjerisht, puna e Kuvendit zhvillohet në formë publike, pra, në sy të popullit. Kur flitet për interesin e popullit, nënkuptojmë interesin gjithpopullor apo të shumicës së popullit. Në Kuvend apo Parlament, mjerisht dominon përfaqësimi dhe mbrojtja e interesave të subjekteve politike. Prandaj, në debate, nuk ndodh këmbimi i mendimeve, por zakonisht zhvillohen beteja, të cilat nuk i përngjajnë punes së një institucioni, çfarë është Kuvendi.

Akti normativ – Rregullorja e punes së Kuvendit, i sanksionon sjelljet e pahijshme, të palejueshme, e sankcionon gjuhën joparlamentare dhe pretendon në definimin e integritetit moral, objektivitetit, përgjegjësisë, ndershmërisë...por, kur e shikoi seancën, në rrjetin TV, shpesh herë, ndodh që, ta fiku TV ose së paku e ndërroi kanalin. Thjeshtë, nuk aplikohet një terminologji parlamentare, por terminologji rrugaqore.

Një gjë që është, tejet e pakuptueshme – se si Rregullorja e punes së Kuvendit e lejon që grupet apo individët, deputetë të Kuvendit, aq lehtë dhe thjeshtë e bojkotonë seancën e Kuvendit, gjatë seancës hyjnë dhe dalin kur të duan! Një gjë e tillë është e paimagjinueshme. E kam shpreh edhe më parë, kur e kishte dëgjuar një mundësi dhe gjest të tillë, miku im, Senatori nga shteti im CT – SHBA, ishte befasuar dhe hiqte keq duke shpjeguar domethënien e bojkotimit.

Disa fjalë rreth kompensimit - të ardhurave

Duke e shikuar Rregulloren e kuvendit, rezultonte kompensimi i të ardhurave mujore të deputetëve. Lartësia nuk figuronte. Bëhej fjalë edhe për kompenzimet shtesë. Ndoshta nga fakti se gjendem në SHBA, u befasova dhe nuk e kuptoja kompensimin shtesë. Çdo deputet, për pjesëmarrje në seancë të rregullt të Kuvendit ose të ndonjë Komisioni e inkason kompensimin shtesë - meditjen. Pyetja shumë e thjeshtë - çdo deputet e merr rrogën mujore. Puna e deputetit dhe vendi i punës janë Kuvendi, qoftë në seancë të Kuvendit, qoftë të ndonjë komisioni. Me çfarë të drejte apo arsye paguhet mqditja!!! E kuptoj se komparimi, në mes Kosovës dhe SHBA-ve nuk është i preferuar. Megjithatë, jo për herë të parë, po e them se këtë çështje e kam diskutuar edhe me zonjën - anëtare e Kongresit, nga regjioni i vendbanimit tim e, në veçanti me Senatorin, nga shteti im. Që te dy, vazhdimisht, lëvizin në relacionin Ëashington – shteti amë. Rregullisht marrin pjesë në mbledhjet e institucioneve – Senatit dhe Kongresit por, nuk ekziston kurrëfare kompensimi shtesë - meditje. Për më tepër, z. Senator, i cili dy herë e ka vizituar Kosovën, më shpjegonte: udhëtoi edhe jashtë SHBA-ve. Dy herë isha edhe në Kosovë. Shteti apo Senati i paguan shpenzimet e rrugës. Kur të arrijmë në shtetin që e vizitojmë, na pret Ambasada e SHBA-ve, na siguron fjetjen dhe ushqimin ndërsa neve, nuk marrim kurrëfarë kompensimi shtesë - mëditje.

Për përfundim

Kuvendi duhet urgjentisht të merr vendim se pjesëmarrja e çdo deputeti, në seanca është e obligueshme. Për mungesat eventuale, të definohet forma e arsyetimit.

Çdo përpjekje e bojkotimit të seancave dhe hyrjet e daljet nga seancat, rreptësisht të ndalohen.

Nuk pretendoj që të bëhet ndonjë komparim me Senatin Amerikan, por, pjesëmarrja e çdo deputeti në seanca të rregullta apo të komisioneve, duhet të konsiderohet si punë e rregullt e çdo deputeti, pa kompensim shtesë, nga se çfarëdo kompensimi shtesë nuk është në interes, por në dëm të popullit.

Ishin këto vetëm disa nga ato, të cilat, sipas mendimit tim, Kuvendi duhet të reagojë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat