Zëri i Milojko Pantiçit për aspiratat shoviniste gllabëruese vuçiqiane: Indikacione për rezultatet e negociatave

Opinione

Zëri i Milojko Pantiçit për aspiratat shoviniste gllabëruese vuçiqiane: Indikacione për rezultatet e negociatave

Nga: Prof.Dr.Jahja Kokaj Më: 1 dhjetor 2021 Në ora: 14:29
Foto: Jahja Kokaj, deputet

Negociatat shumëvjeçare me Serbinë Vuçiqiane janë një vend numërimi statik diplomatik ose një shërbim për të përmirësuar imazhin e Serbisë agresive shoviniste. Qëllimet shoviniste okupuese t këtilla, kanë qenë në të kaluarën pothuajse njëqind vjeçare dhe kështu do të jetë edhe në të ardhmen. Synimi-caku që Serbina arrin përmes negociatave është vetëm një pikënisje për qëllimet e tjera gëllaberuese të territorit të Kosovës apo erozionit të saj administrativo-kushtetues.

Miku shekullor Amerika, me NATO-n dhe me miqtë e demokracisë, ndaloi krimet, persekutimet dhe sundimin njëqindvjeçar të Serbisë mbi popullin e Kosovës. Edhe infantilet politike duhet të kuptojnë se pa një vendim "mjaft është mjaft" (enouph is enouph) si ai i Presidentit Bush dhe presidentëve të tjerë amerikanë, në historinë tonë, nuk do të ketë asnjë zgjidhje fatlume përfundimtare.

Ajo që theksuam më lart konfirmohet nga z. Milojko Pantiç, ish-gazetar sportiv i RTS.

Me zërin e tij ndërkombëtarisht human ai pranon krimet dhe gjenocidin e Serbisë ndaj Kosovës. Ai tregon fuqishëm se politika Vuçiqiane, si vazhdimësi e asaj, të presidentëve serb, si Millosheviqit dhe të tjerëve, para dhe pas ardhjes së tij, në vijimësi, nuk do të heqin dorë nga synimet gellabëruese shoviniste.

Makina informative shoviniste serbe ka futur masivisht ideologjinë shoviniste dhe antishqiptare në rininë dhe popullin serb gjithandej. Fakti që në ballë të qeverisë dhe politikës serbe është ish-ministri i Milosheviqit, Vuçiq apo të ngjashëm si ai, që janë pjesa dërrmuese në parlamentin serb, si Shesheli dhe shovinistët e ngjashëm, vërteton përcaktimin shovinist të pjesës më të madhe të elektoratit serb.

Ndaj zëri i zotit Pantiq dhe të ngjashëm në Serbi, del se ata janë një fraksion shumë i vogël margjinal, që nuk mund të sjellin ndryshime në qëllimet gllabëruese ideologjike në Serbi. Kjo duhet të kuptohet!

Bisedime për marrëveshje fqinjësore, jo negociata

Nga morfologjia dinamike e përmendur më sipër, ngjarjet që zbulohen edhe me pamfletet e zotit Pantiç, duhet të mësojmë njëherë e mirë, se si të sillemi në biseda. Nga kjo morfologji dalin matricat udhëzuese të qëndrueshme të bisedimeve diplomatike: Meqenëse miqtë amerikanë na thonë të flasim, duhet të vazhdojmë bisedimet me Serbinë për lëvizjen e qytetarëve dhe për shumë çështje të marrëdhënieve fqinjësore. Por, kurrsesi për kufijtë tanë dhe rregullimin tonë kushtetues.

Nëse duan negociata territoriale, atëherë të përfshihen në negociata edhe territoret rreth Toplicës dhe territoret që na i patën okupuar me zjarr e gjak. Përndryshe ne kemi shpallur pavarësinë, kemi kushtetutën dhe GJND-ja ka vulosur në mënyrë të arsyeshme tërësinë legale të territoreve aktuale.

Fryma ahtisariane siguron stabilizimin e pavarësisë së Kosovës dhe jo copëtimin ose shkatërrim të saj

Pakoja, e diplomatit gjenial Ahtisaari, ka mundësuar stabilitet në ditët e pas luftës së përgjakshme, të paraprira me vrasjet e tmerrshme, krimet dhe dhunimet e serbëve. Presidenti Clinton, gjatë intervenimit të NATOS-s pas gjenocidit serb mbi Kosovën, pat thënë se: “nënat dhe motrat që kanë parë me sytë e tyre masakra nga fqinjët serbë, mund të reagojnë dhunshëm, shpesh jashtë kontrollit. Edhe pse thotë se këto janë të paligjshme, ato janë psikologjikisht normale pas skenave të trishta që kanë përjetuar shqiptarët nën barbarinë serbe”.

Në pakon e tij, Ahtisaari parasheh që pavarësia e kontrolluar nga KFOR-i dhe të ngjashme t'i jepet kohë procesit për tu ftohur gjakrat, për tu ftohur nga imazhet e krimeve makabre që kanë ndodhur në Kosovë, kohë për tu ndëshkuar në mënyrë ligjore fajtorët. Kështu pastaj do të arrihet paqja dhe lëvizja e lirë e minoritetit serb dhe pakicave të tjera në territorin e Kosovës.

Shpallja e mëvonshme e pavarësisë nënkuptonte se procesi duhej të shkonte në kahje me AHTISARIN - (minus). Kjo do të thotë se marrja e kompetencave nga vendorët dhe formimi i një shteti stabil në Kosovën e pavarur është një proces që nënkupton parimet e dokumentit të Ahtisaarit. Kjo do të thotë se diskriminimi pozitiv, siç është prania numerikisht e imponuar e deputetëve serbë, duhet të hiqet. Për sa kohë që ato të kontrolluara nga Beogradi nuk zëvendësohen nga një numër demokratik, proporcional me pakicën serbe vendase këtu, Kosova dhe parlamenti i saj do të kontrollohet nga Beogradi. Çfarë pavarësie është kjo?

Natyrisht, kjo nënkupton se pakoja e Ahtisaarit parasheh heqjen e pavarësisë së kontrolluar ndërkombëtarisht, por edhe nga Serbia, arritjen e një shteti demokratik, ku pakicat të kenë një trajtim me standarde ndërkombëtare demokratike.

Injoranca e krerëve tonë politik dhe shtetëror ka bërë që të mos vazhdohet drejt Ahtisaarit-(minus). Atrofia e tyre intelektuale e politike dhe duke u ngatërruar ata me nepotizëm dhe korrupsion, që kishte rrjedhim mos zhvillimin demokratik në Kosovë, ka mundësuar vakumin e futjes së Ahtisaarit +, ka mundësuar futjen e “pikave” dhe fusnotës.

Pavarësia tashmë e pakontrolluar duhet të pasohet nga realizimi i reciprocitetit dhe fqinjësisë së mirë me Serbinë. Heqja e kontrollit të Beogradit mbi Parlamentin e Kosovës duhet të pasojë zëvendësimin e numrit “të garantuar” të deputetëve serbë me numër që rezulton nga numri i pakicës serbe në Kosovë.

Sigurisht që këto ndryshime absolutisht nuk duhet ti flasim apo negociojmë me Serbinë, por me miqtë tanë amerikanë. Për këtë qëllim duhet që me vigjilencë e persistencë të lobojmë te miqtë tanë në Amerikë, në mënyrë që presidentet apo faktorët e rinjë që zgjidhen, të informohen me realitetin objektiv të Ballkanit dhe Kosovës. Të kuptojnë këtë realitet ashtu siç e kuptojnë presidentët Klinton, Bush. Ta kuptojnë realitetin në fjalë, në mënyrë të paanshme e jo sipas lobimit të diplomacisë serbe.

Konsiderojmë se edhe procedura e përmendur është rrjedhë historike, kronologjike, konform të drejtës ndërkombëtare. Kjo absolutisht përjashton alternativat se duhet të na “amputohet syri i majtë apo i djathtë” për të hequr dorë nga veriu apo për të pranuar një mini-serbi brenda territorit tonë, si në Bosnje. Çuditërisht kjo mendësi ka arritë të penetrojnë edhe në mendësinë e disa politikanëve dhe analistëve tanë politik. Por, kronologjia e lartshënuar, që rrjedhe me një kauzalitet shkencor objektiv, nxjerr në pah se kjo është mendësi artificiale të cilën arritën misionarët dhe ideologët serb, ta penetrojnë nga jashtë dhe nga brenda sistemit tonë, aty ku ishte një mentalitet infantil politik dhe atrofi e emancipimit intelektual qytetar e demokratik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat