"Komedia "Prefekti", jashtë kohës për të sotmen

Opinione

"Komedia "Prefekti", jashtë kohës për të sotmen

Nga: Xhevat Mustafa Më: 3 dhjetor 2021 Në ora: 10:25
Xhevat Mustafa

Ka disa ditë që rivënia në skenë (në formën e leximit artistik)  nga trupa e Teatrit “Turbina”, e komedisë “Prefekti”, me autor Besim Levonjën, ka shkaktuar kundërshtime masive në media dhe rrjete publike jo vetëm nga Shoqata “Tirana”, nga familja e madhe dhe e nderuar Mulleti, por edhe nga qytetarë nga mbarë Shqipëria dhe përtej, shumica edhe pa asnjë lidhje familjare me këtë figurë historike komplekse...Ashtu si prej 77 vjetësh, plot “të majtë”, enveristo-edramistë, të bashkuar për nostalgji, ligësi dhe provokime, edhe në parlament e jashtë tij, për të reabilituar tmerret dhe turpet e diktaturës komuniste dhe “arkitektin”apo “timonierin” e saj, Enver Hoxha, vazhdojnë ta shikojnë “epokën” e tij si dhe kundërshtarët apo armiqtë e saj, përfshirë edhe Qazim Mulletin, me sytë dhe syzat e Enverit të tyre të mendjes e të zemrës. Për të qenë sa më të saktë ndihmon së tepërmi evidentimi i “detit” që ndan Qazim Mulletin e vërtetë, historik, nga ai i sajuar apo “artistik” i Besim Levonjës. Pra, së pari, cili ishte Qazim Mulleti i vërtetë, historik?                                                                                                                                                                              

Qazim Mulleti, i lindur  në Tiranë 20 dhjetor 1893, ka studiuar në Manastir, Zosimea, Kolegjin Elitar të Perandorisë Turke, Gallatasaraj. Ndryshe nga Enver Hoxha dhe Besim Levonja, ish prefekti Qazim Mulleti dinte disa gjuhë të huaja, si  turqisht, gjermanisht, italisht, serbo-kroatisht... Në 1914-ën është një ndër katër adjutantët e Princ Vidit. Largohen së bashku në Vjenë, ku jetoi aty deri në vitin 1920. Aty vijoi studime specializimi shtesë në fushën e diplomacisë ushtarake të luftës. Në vitin 1920 merr pjesë në Kongresin e Lushnjës.

Në shtator të vitit 1920, është Komandant i Forcave Vullnetare kundër Serbisë. Më 25 prill – 3 maj 1921, ai merr pjesë në Kongresin për Bashkimin Kombëtar në Vlorë, si përfaqësues i Tiranës...Në qeverinë e Fan Nolit shërbeu si prefekt në Dibër. Mbas dështimit të qeverisë së Lëvizjes së qershorit, si antizogist, largohet nga Shqipëria. Në fillim vendoset në Zara të Kroacisë, asokohe territor italian, ndërsa më vonë në Vjenë... Më pas u largua drejt Parisit.

Në qershor të 1939 u kthye në Shqipërinë e pushtuar nga italianët dhe më pas u zgjodh kryetar i bashkisë së Tiranës... Shumë plane të nisura në kohën e Zogut, si godina e korpusit universitar, kolonadat apo sot Muzeu i Arkeologjisë, Akademia e Arteve, ku në atë kohë u vendos edhe opera, Kryeministria dhe hotel “Dajti” morën drejtim në kohën e kryebashkiakut Mulleti. Më 1944, me marrjen e pushtetit nga komunistët, të kryesuar, për të zezat dhe gjëmat e Shqipërisë e të kombit shqiptar nga Enver Hoxha, u largua nga Shqipëria dhe u vendos në Itali, ku vdiq më 28 gusht 1956...                                                                                                                                          Ja Qazim Mulleti i shpërfytyruar dhe denigruar nga Besim Levonja, borxhli deri në fyt ndaj tij:

“Komedia “Prefekti” tallet me prefektin e Tiranës gjatë kohës së pushtimit fashist, Qazim Mulletin dhe një vartës të tij që ishte drejtues i policisë së Tiranës po në atë kohë, Mon Kukaleshi. Të dy paraqiten krejt ndryshe nga si ishin, si drejtues mediokër, turkoshakë, të korruptuar...” Sipas një kritiku teatror të paanshëm politikisht “kjo komedi bazohet në stereotipa dhe krijon vetëm të tilla.Tiranasit e vjetër apo autoktonë paraqiten si injorantë, të korruptuar, fetarë ...Fshatarët që banonin afër Tiranës paraqiteshin si të trashë, fanatikë etj.  Edhe një personazh nga Luma (veriu) që arrestohet gabimisht, paraqitet në mënyrën më të keqe, si analfabet, që shiste salep me ibrikë në duar dhe ishte gati të denonconte këdo para autoriteteve. E folura në dialekt  e personazheve është bërë për të stigmatizuar grupet shoqërore nga vinin personazhet e komedisë. Këto stereotipa gjenden edhe në filmat e tjerë të prodhuar gjatë kësaj kohe...”

Të rivësh tani, në fund të vitit 2021, në skenë komedinë "Prefekti", sajuar mbi bazën e të pavërtetave historike, të shtrembërimit të paturpshëm dhe denigrues të figurave dinjitoze historike të Qazim Mulletit dhe të bashkëshortes së tij, shprehet jo vetëm konseguencë ndaj enverizmit, por edhe vullnet e dëshirë për të cënuar edukimin kombëtar të brezave të rinj të sotëm...! Prandaj, do të ishte turp e veprim i dënueshëm për ata që do ta rivënë në skenë. Si një vepër e tillë meriton bojkotim masiv qytetar! Mjaft më, me përrallat dhe gënjeshtrat e Enverit, të bashkëpunëtorëve dhe besnikëve të tij të moçëm e më të rinj!!! Nëse ekipi realizues i kësaj rivënieje, pas shembjes nga Rama- Veliaj të TK- së, ka hall dhe interes të marrë një dorë të mirë me lekë nga "bujaria" e Edi Ramës, Erion Veliajt, ministres së kulturës...dhe sponsorëve, është tjetër mesele. Por, gjithësesi: më shumë do të humbnin në sytë dhe mendjet e shumicës së shqiptarëve artdashës të artit të vërtetë dhe jo me politizim ekstrem, të patolerueshëm e të kapërcyer nga koha! Pastaj, a nuk ia kanë kaluar me shumëfish shumica e prefektëve dhe e kryetarëve të bashkive, përfshirë edhe këta të sotmit, pra, edhe Erion Veliajn, në këta rreth 30 vjet???

Disa mbrojtës të rivënies në skenë apo të leximit, si justifikohet më kot Hervin Çuli, drejtori i  teatrit”Turbina” dhe një “avokat mbrojtës vullnetar” i  tij, kapen si i mbyturi në fije bari tek “cilësia e lartë artistike”e komedisë “Prefekti apo duke u bërë vetë qesharakë, kur thonë e shkruajnë “se të bën shumë për të qeshur”. Teksti dhe interpretimi deri në kohën para 1990- tës janë pëlqyer, sidomos nga interpretimet dhe batutat e Mihal Popit, Nikolin Xhojës, Robert Ndrenikës...! Por, kjo vepër është sajuar dhe ndërtuar mbi të pavërteta, shtrembërime dhe denigrime të qëllimta, për motive krejt politike, jo vetëm të personazhit kryesor, Qazim Mulletit dhe bashkëshortes së tij, Hajrie, por edhe të klasës shoqërore dhe të gjithë komunitetit  tiranas, që ata i përkasin. Nuk do shumë vramendje për të kuptuar se edhe kjo vepër i shërbente strategjisë së propagandës enveriste për nxitjen e ndarjes krahinore, duke baltosur krahinat  e Shqipërisë së Mesme e të Veriut...Ajo është pëlqyer dhe miratuar  nga shkollëmesmi dhe perversi Enver Hoxha dhe propaganda e tij, me shtylla kryesore luftën e klasave, urrejtjen histerike ndaj klasës së përmbysur dhe ndaj përfaqësuesve të saj kryesorë, elitarë për nga diplomat e universiteteve prestigjioze të Perëndimit dhe kultura,  duke hedhur baltë të pamerituar ndaj tyre.Pas vitit 1990 kjo vepër mund të ruhet në arkivin e TK, me shënimin e përafërt: “vetëm për arkiv dhe qëllime studimore, pa të drejtë transmetimi në radio-televizione dhe rivënie në skenë!:

Po ky rrogëtar kulture socialisto-rilindas këmbëngul në subjektivizmin e tij, duke shkruar se “ Prefekti është një vepër që të ben të qeshësh me zyrtarin, jo me Qazimin,,,,Qazimi ishte sebepi....”

Në të vërtetë, tek komedia e Besim Levonjës, shprehet dhe kuptohet se Qazimi nuk është sebepi, por si individ, familje dhe klasë, është objektivi, qëllimi, interesi politik...Të majtët që duan të qeshin edhe pas 77 vjetësh me mashtrimet, gënjeshtrat, trillimet...e Enver Hoxhës kanë nevojë të reflektojnë e të binden se duke e idealizuar atë i janë kundërvënë plot të vërtetave historike, demokratizimit të vërtetë të vendit, interesave kombëtare...

Për të qenë sa më objektiv, marrë nga media dhe rrjete sociale, po citoj të shkurtuar disa opinione:  

Robert Ndrenika, (Nga intervista në gazeta TEMA, , 09/10/2012): “...Duhet të them se përveç emrit, ai rol ka pak të përbashkëta me personazhin historik...”

SHOQATA TIRANA: ...”Kjo komedi synon denigrimin dhe fyerjen e komunitetit Tironas, mohimin e kontributin që Tironasit kanë dhënë gjatë gjithë historisë së kombit tonë. Kjo shfaqje ndikon në prishjen e harmonisë sociale dhe nxit urrejtjen ndërkomunitare dhe na rikthen në atë epokë të urryer për të gjithë shqiptarët. Respekt dhe nderim për figurat intelektuale dhe patriotët Tironas...”

Besforta Mulleti: “PAÇI FAQEN E ZEZE, peng-'artista'!!! ...Ne jemi nga ata familje qe u shpronesuan “per te miren e interesit publik” nga Bashkia e Tiranes para pak vitesh per te ndertuar nje shesh rekreativ, te cilit minimalisht duhet t’i kishin vene emrin “Qazim Mulleti”. Te gjitha keto durohen, por te vazhdohet te pertallet mbiemri yne ne vitin 2021 eshte e tepert!”

Dr.Shqipe Saraçi:”Sa bukur ja ka gjet..peng-artista! Jane po ata artista qe “gjemonin” per prishjen e Teatrit dhe kane sot e tre-kater vjet qe marrin rrogat dhe s’jane ne gjendje te vejne nje pjese te re… S’kane as teater, sepse “fiku”, qe i genjeu me nje kocke, nuk ka bere nje teater ne kryeqytet..., ka bere veç kulla!”

Hektor Leka:”Rivënia në skenë e një "komedie" të tillë tregon jo vetëm boshllëkun krijues dhe shpirtëror të ideatorëve dhe realizuesve, por edhe mjerimin intelektual në të cilin dergjet arti shqiptar në këto momente...Kot nuk thonë që peshku qelbet nga koka dhe kam frikë që në Shqipëri i ka hyrë gangrena edhe bishtit, mjeresisht....”

Dr. Ciu Linda: “Meqe trupa  e teatrit paska problem te gjeje tematike per komedi te reja...,personalisht do te sugjeroja per drejtorin artistik, qe te ulet dhe te shikoje nje video pleniumi te partise se punes, ku jam e bindur se do gjeje material me bollek , duke filluar nga koka e rrjedhur e deri tek pupacet, ish karrociere apo  me kuoficient inteligjence nen 85...bile vetem te kopjoje dialoget dhe ka ne dore nje komedi tragjike!”

Sami   Milloshi (gazetar, poet, piktor) : “Zotëri Culi, e  para çfarë do të thotë " ...tekst i rikonceptuar"? Nese ju i ndryshoni tekstin ju beni nje mëkat ndaj autorit. Teksti është i tiji. Dhe dihet çfarë teksti është: totalisht të shkaterrojë me mjete propagande Qazim Mulletin. Ti mund të besh nje rikonceptim regjisorial, por tekstin absolutisht nuk mund ta prekesh. Për çfarë shërben xhanëm, se ai tekst vetëm art nuk ka...”

Sevim Arbana( shkrimtare dhe kritike letrare)”Jam shumë dakort të vihet në skenë komedia “Prefekti” Jo me figurën intelektuale të Qazim Mulletit, po të disa bashkiakëve të këtyre 30 viteve dhe me ‘Bukrat’ e tyre.Madje dhe djemve të tyre me Ferrari, drogë dhe femra.Sa material na jep ky realitet, s ka penë që të përshkruajë!”

Behar Gjoka, kritik letrar- teatri, studiues...(Flasshqip):  “Tentativa për ta rikthyer “Prefektin”, tregon se jetojmë në të djeshmen, pa të sotme. Në kushtet e reja, politiko-shoqërore, ai tekst dhe realizimet e shfaqjeve, mirë është të mbyllen në muze, si relike e të djeshmes, kur arti, teatri i shërbente partisë dhe ideologjisë, sepse tjetërsimi i tekstit, me gjasë përshtatje për këtë kohë, është dhunim i të drejtës së autorit!...”

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat