Marrëzia e Liderëve

Opinione

Marrëzia e Liderëve

Nga: Nasho Bakalli Më: 7 dhjetor 2021 Në ora: 23:26
Nasho Bakalli

Përderisa, edhe në kohë lufte bisedohet për paqen nuk ka se si Berisha dhe Basha të mos ulen të gjejnë mirëkuptim.

Shqipëria për arsye të shumta, duke përfshirë mungesën e respektimit serioz të vlerave demokratike, ka mbetur prapa në fushat kryesore të zhvillimit dhe krijimit të një shoqërie të qëndrueshme. Imazhi i liderëve tanë e ka pësuar keq, deri “non grata”, dhe kjo lëndon egon tonë kolektive. Ndërkohë që populli është i aftë dhe i pirur t’iu përmbahet vlerave të duhura. Ai e di e di se kjo sjellje do të krijojë një mjedis shoqërisht të drejtë dhe humanitar.

Liderët supozohet të jenë të përkushtuar, ndaj pritet të jenë të parët që promovojnë me shembullin personal vlerat e duhura. Këto të fundit me kalimin e kohës bëhen vlera të përbashkëta udhëheqësie. Kur populli dhe udhëheqësi përthithin vlera të njëllojta ato bëhen tok sepse mpleksen natyrshëm. Në këtë çështje nisma duhet të vijë nga lart - presidenti, kryeministri, krerët e partive politike, anëtarët e parlamentit, zyrtarët e lartë, komandantët ushtarakë, biznesi i  madh, gjykatësit, prokurorët…

Mirë, le të themi, deri këtu; po pastaj kush del të na thotë shkoqur se sa prej këtyre shtetarëve të lartë kanë shërbyer e shërbejnë si frymëzim mbarësie për popullin? Asnjeri. Dhe në daltë dikush, e bën sa për të larë gojën - siç thotë populli. Kurse ironia më e madhe qëndron te fakti se liderët, ndonëse mbahen si demokratë të thekur, nuk e duan popullin; ata me vetëdije nuk duan  ti japin atij atë i takon. Ndërkaq u japin atë që nuk u takon, kujt? Flitet edhe në media se grupe paramilitare të PD ekzistojnë prej vitesh, dhe, “nuk u hyn gjemb në këmbë”, sepse, liderët e tre pushteteve shtetërore janë dorëzuar para tyre! Gjithashtu dihet fare mirë se  individë të caktuar, pavarësisht rekordeve të tyre kriminale, vazhdojnë të zgjidhen në Kuvend, apo të emërohen në administratën shtetërore. Këto janë vetëm dy nga shumë shembuj të tjerë, që lexuesi i di më mirë se unë, të cilët pasqyrojnë rrëshqitjen e paprerë drejt humnerës të vlerave morale-politike të udhëheqësisë. Mania diktatoriale e lidershipit vazhdon ta tërheqë poshtë e më poshtë kombin tonë.

Në këto rrethana ka arsye të pyesim: Përse janë të tillë liderët tanë? A janë ata të vetëdijshëm se sa shumë kanë devijuar nga kursi i nisur tre dekada më parë? kur populli u frymëzua masivisht prej tyre. 

Sigurisht që ka në të gjitha shtresat e popullsisë një debat të  familjar dhe publik, i cili vazhdon prej dekadash. Nga një skaner global - me avancim të shpejtë në teknologjinë e komunikimit dhe në përzierjen e kulturave, që i ofron bota moderne - del se perceptimi real i vlerës të liderit ka fituar një shkallë fleksibiliteti negativ tejet befasues. Domethënë: liderët na dolën ashtu sic kurrë nuk i prisnim! Lamë pas një grusht liderësh të diktaturës të proletariatit, dhe po “gëzojmë” një grusht tjetër liderësh që nuk kanë lidhje me parimet themelore të demokracisë!

Ja konkretisht. Berisha dhe Bashan, pa nënvleftësuar sejmenët e tyre, na lodhën duke thënë se do të mbajnë dy Kuvende të kundërta, dhe pavarësisht nga njëri tjetër. Njëri lider kërkon të bëjë revolucion, kurse tjetri ofron reformim paqësor! U daltë për hair. Ndërkaq, ndryshe qëndron puna me bazat përkatëse të anëtarësisë të PD. Idealet demokratike të anëtarësisë, të dy Kuvendeve, nuk ndryshojnë nga njëra tjetra. Sepse demokracia në parti nënkupton: unitet, në drejtimin dhe në mbrojtjen e vlerave të PD. Jo shkatërrim.  Anëtarësia e PD nuk kanë çfarë të ndajnë me njëri tjetrin edhe sepse - siç theksojnë me të drejtë studiuesit e sigurisë bashkohore ndërkombëtare - “…standardet dhe parimet morale-politike që shumica dërmuese e qytetarëve i konsiderojnë të rëndësisë kapitale në jetën e tyre, dhe në jetën e vendit duhet të jenë motori lëvizës  i  partive politike, dhe i tërë shoqërisë”. Dhe anëtarësia e PD është një goxha pjesë vitale e shoqërisë.

Po cili është problemi atëherë? Çështja është se dëshira e shthurur e Berishës dhe Bashës për pushtet vetjak bën që doktrina universale e kontrollit dhe ekuilibrit të forcave të hyjë në lojë vetëm atëherë kur interesat të konvertojnë dhe jetësojnë sundimin e tyre.  Me fjalë të tjera: ata janë patriarkë të PD - në aparencë. Sepse në fakt ata nuk e udhëheqin PD. Prej nëntë vitesh ata thjeshtë menaxhojnë në opozitë interesat e gjithfarëllojshme personale dhe të oborrtarëve të tyre. Kurse në planin e jashtëm  atyre u duhet me domosdo që të mbështeten fort te fuqitë e mëdha - SHBA, BE, ose, Rusia - për mbijetesë morale, politike.

SHBA dhe Rusia, Baiden dhe Putin, sot biseduan virtualish  për uljen e tensioneve në Ukrahinë dhe Taivan, edhe në gadishullin tonë… Ata demonstruan përmbajtje dhe përkushtim të ndërsjellët për ngritjen dhe zgjidhjen e problemeve.

 Përderisa edhe superfuqitë botërore bisedojnë për paqen nuk ka se si Berisha dhe Basha, mikropolitikanë, të mos ulen të gjejnë mirëkuptim. Përndryshe, ata vlejnë të damkosen si antivlera kombëtare. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat