Foltorja dhe Kuvendi i 11 dhjetorit

Opinione

Foltorja dhe Kuvendi i 11 dhjetorit

Nga: Asllan Bushati Më: 8 dhjetor 2021 Në ora: 19:29
Asllan Bushati

Kohët e fundit foltorja, është bërë çështja më e rëndësishme  politike në Shqipëri dhe në diasporën shqiptare. Për të patur një panoramë më të gjerë se çfarë shfaq dhe mbart ajo, le ta shikojmë atë nga këndshikime të ndryshme.

Fillimisht nga Vatra në të cilën unë jam anëtar. Mendoj se heshtja e saj deri më 5 dhjetor 2021, ishte veprimi i duhur dhe më i drejti duke qëndruar kështu  e baraslarguar nga  të dyja palët në PD.  Me këtë qëndrim Vatra  mendoi se do të gjendet një zgjidhje që do ti afronte palët dhe partia do të shëndoshej e forcohej. Por duke qenë se  zgjidhja nuk u gjend dhe Kuvendi i thirrur nga anëtarësia ishte vetëm 6 ditë larg, një grup drejtuesish e ish drejtuesish u shprehën hapur në foltoren e Nju Xhersit e në Syri TV në mbështetje të foltores  dhe veprimtarisë së Zotit Sali Berisha (përfshi edhe mu personalisht).

Parë nga këndshikimi i qëndrimit  amerikan, në gjykimin tim, mendoj  se në Shqipëri ka shumë  hamendësime boshe, diletantizëm, frikësim të qëllimshëm të njerëzve të pa informuar, keqpërdorim të termit antiamerikanizëm i PD-së etj. Kur është e kundërta sepse PD-ja është krijuar si parti antikomuniste e lirive e të drejtave njerëzore dhe në hyrje të Statutit është theksuar se:  ”marrëdhëniet me SHBA janë të pacenueshme”.

Unë si taksapagues amerikan dhe si shqiptar (e kam deklaruar në shtyp disa herë), dhe po e përsëris se: kam papajtueshmëri të plotë me disa qëndrime jo diplomatike  të DASH (Sekretarit Blinke, Methju Palmer, ambasadoreve, Lu e Kim etj). E them këtë se vetëm në 2021 janë bërë tri gafa diplomatike ku: 1. Pa përfunduar procesi zgjedhor i 25 prillit u shpallën zgjedhjet elektorale të lira e të ndershme kur ato ishin tërësisht të vjedhura e të manipuluara (vërtetuar kjo nga OSBE – Odihri). 2.Shpallja non grata i Sali Berishës për korrupsion (pa asnjë fakt) kur ai kishte 8 vite pa asnjë funksion shtetëror e partiak përveçse atë të deputetit. 3.Dhe së fundi urimi i Ambasadores Kim për 29 Nëntorin.

Për këto lajthitje (kështu po i quaj), më 7 dhjetor 2021 bisedova me Nënkryetarin e Partisë Republikane në NY Zotin Brain, ku veç sa më lart i thashë se situate në Ballkan është shumë e trazuar nga ndërhyrjet ruse e kineze. Shqiptarët në rajon janë faktori më pro amerikan,  kështu kush është i interesuar të prodhojë  antiamerikanizëm në Shqipëri e veçanërisht në PD? A mendojnë drejtuesit e DASH  se ata janë  kthyer në një shoqatë të miliarderit George Soros e jo në një instrument shtetëror miqësie e bashkëpunimi?

 Këtu në SHBA- i thashë- jetojnë më shumë se një milion shqiptarë nga trojet etnike, e me këto që po bëhet me PD-në, ata si kundërpërgjigje të këtyre lajthitjeve  mendoj se do  të transferojnë 350 deri në 400 mijë vota nga e majta liberale tek konservatorët?

Ai qeshi me të madhe dhe më tha se: ky qenka lajm dhe një subjekt për tu parë në nivelet më të larta republikane. Njëkohësisht më premtoi se gjithçka do ta përcillte tek strukturat qendrore dhe se do ta bëjmë objekt  diskutimi në sektorin e politikës jashtme në Parlament dhe në Senat. (Shpresoj që edhe shqiptaro-amerikanë të tjerë të bisedojnë në këtë drejtim)

Parë nga këndshikimi i foltores. Zoti Berisha ka gjeneruar energji të mëdha kombëtare e demokratike. Në takimet me demokratët ka shpalosur ide për riformatimin (ri themelimin) e PD-së sipas modelit republikan amerikan.  Ide për ta bërë atë forcë të parë dhe për ta rikthyer në pushtet parakohe. Ka bërë autokritikë për heshtjen ndaj gabimeve e pazotësisë së Zotit Basha (katër humbjet e PD-së nën drejtimin e tij), duke ndjellë përgjegjësi mbi vete, por në të njëjtën kohë,  ka premtuar ndryshime të thella statutore, organizative e vendim marrëse që e çlirojnë partinë  nga kthetrat e burokracisë. Ka përvijuar idenë, përmbajtjen, instrumentet e vendimet shumë të rëndësishme të Kuvendit të 11 Dhjetorit, duke  bërë që të sigurohet pjesëmarrje e madhe  dhe shpresë për një faqe të re në historinë e PD-së. Shpresojmë të mos zhgënjehemi.

Lulzim Basha bëri  një gabim fatal me përjashtimin e Zotit Sali Berisha nga grupi parlamentar i PD-së me një vendim personal, pa e votuar atë më parë  në strukturat e partisë. Më pas nuk doli as në bazën e Partisë  e as nuk u përball me foltoren për idetë që kishte, por u fsheh pas  termit “jam proamerikan”. Humbi rastin që duke djegur veten, të realizonte largimin e Zotit Berisha  nga rizgjedhja Kryetar i PD-së duke vënë si kusht klauzolën se : në këtë kuvend ndalohet të kandidojnë për kryetar: Sali Berisha, Eduard Selami, Tritan Shehu dhe Lulzim Basha.

Në vazhdën e gabimeve , njoftoi se Kuvendi i PD-së (lexo kundër kuvendi) do të bëhet më 18 Dhjetor, duke e future PD-në  në rrugën e ndarjes. Kjo (ndarja), në qoftë se nuk do të ndalet, do të mbetet si një nga njollat më të zeza të historisë së saj dhe si vepra më e shëmtuar e Lulzim Bashës,  i cili mundësoi qëndrimin e Edi Ramës në pushtet pa asnjë meritë.

Duke qenë se anëtarësia e kërkoi mbledhjen e Kuvendit para Zotit Basha, është tërësisht në të drejtën e saj ta realizojë atë më 11 Dhjetor. Në se Zoti Basha dhe stafi i tij drejtues, ndjejnë përgjegjësi të plotë  para PD-së dhe historisë së saj, gjykoj se duhet të shkojnë në Kuvendin e 11 Dhjetorit, të shtrojnë platformën e tyre për diskutim, ta hedhin në votë  dhe me durim të presin rezultatin e votës. Vota e fshehtë është  mekanizmi që përcakton të drejtën dhe mazhorancën  (shumicën) udhëheqëse. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat