Mjerimi intelektual

Opinione

Mjerimi intelektual

Nga: Leonora Laçi Më: 5 janar 2022 Në ora: 22:44
Leonora Laçi

Na ishte njëherë një Universitet që gëlonte korridoreve, auditorëve nga konglomerat studentësh me kapacitete të ndryshme inteligjence, nga më të zgjuarit e deri tek më të paditurit.

Por tok bashkëjetonin, në të njëjtin auditor me të njëjtat vlerësime, me të njëjtin trajtim, me të njëjtin çmim për të paguar, pa asnjë dallim përpara profesorëve, thjesht numra pa gojë, pa të drejta. Vetëm numra, vetëm nota, spektatorë, dëgjues pasivë.

Ky universitet na kishte dhe profesorë të kallajisur, të lëpirë, të sekserosur, të parfumosur, të lustruar, të iluminuar, krenarë, arrogantë, por, kishte dhe nga ata që me përulësi vlerësuan studentët siç ata e merituan... Eh, njerëzit nuk janë të përjetshëm dhe ata që e meritonin emrin “profesor”  shkuan me kohën.

Po ky Universitet kishte shumë histori, shumëkush kishte dal krenar nga ato dyer dhe kishte kapur majat. Tashmë epoka e artë kishte kapitulluar dhe studentët e dekadës së fundit dilnin kokulur, të fyer, dinjitet-grisur.

Edhe pse Universiteti fasadën lyen vit për vit, në ballë të tij shkruan çdo fillimtetori:- “Mirë se vini”, karriget rrotulluese shijeve iu përshtaten, dyert vajosur e brava që shkëlqenin xixe, por vaji s’kishte mjaftuar për ingranazhin e mendjeve të mykura  të profesorëve, e rrotacioni s’ekziston në fjalorin e tyre të varfër.

Vitet kaluan dhe universiteti nuk ishte më ai që kishte qenë, kur nëpër auditorët e tejmbushura me vitparista, profesorët gajaseshin e talleshin e me ironi pyesnin: -“Për çfarë keni ardhur këtu?!

E studentët naivë që me gëzim quheshin universitarë, gëzimi i zgjaste fare pak e i ngrihej në fytyrë, të gjendur përballë një realiteti të hidhur e naftën i bënin pa e filluar.

Profesorët gazplotë menduan se ditë të tilla kurrë s’do vinin që reston studentët t’i kthenin. Kriza studentore i shkundi e ia përplasi të vërtetën që vetë e kishin përpunuar prej vitesh, ndërkohë vetëbesimi, moskokëçarja, arroganca iu venitën për t’i bërë vend frikës, të futur në mendime se s’dinë tjetër punë të bëjnë, kur në rrugë të hidhen. Ky ishte shkëlqimi dhe rënia e një Universiteti, e një diplome që nuk të çon askund.

U zgjova e trumhasur, kisha parë një ëndërr të keqe, por që mu duk aq e prekshme, aq reale sikur të kishte ndodhur vërtetë..

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat