Sa më shumë po zbulohen skandalet, aq më e zëshme është opozita për rrëzimin e qeverisë

Opinione

Sa më shumë po zbulohen skandalet, aq më e zëshme është opozita për rrëzimin e qeverisë

Hafiz Shala - New York Nga Hafiz Shala - New York Më 8 janar 2022 Në ora: 23:51
Qeveria e Kosovës, foto ilustrim

Nuk po mund të besoj se Dardania është vend i varfër e në anën tjetër iu rezistoi të gjitha këtyre hajnive, keqpërdorimeve, pasurimeve të pa justifikuara nga të gjithë ata që erdhën në pushtet, nga bashkëpunëtorët e të devotshmit e tyre, nga ata të cilët pranuan të hynë në vallen e hajdutëvd të shtëpisë së vetë.

Ish udhëheqësit e shtetit të të gjitha niveleve, të degjueshmit dhe servilët, ata të cilët pranuan t’i bëhen shërbëtorë të së keqës, të pa drejtës, por e gjithë kjo në emër të pushtetit, të pasurimit të jashtëligjshëm, të përfitimeve marramendëse, pa menduar se një ditë do të zbulohen, do të ndëshkohen dhe pasuria e tyre mund t’u konfiskohet.

Vërtetë, këtë kurrë nuk e kanë menduar, sepse kanë marrë aq shumë pushtet e fuqi sa që kanë qenë të bindur se kurrë nuk do të zbritin nga kolltuqet të “fituara me meritë, nën një, të luftës dhe nën dy, aftësisë dhe përkrahjës në bazë të vullnetit të popullit”.

I shtroj pyetje vetes dhe i pyes edhe të tjerët, po si paskan “sakrifikuar” këta udhëheqës kryesisht të krahut të luftës të cilët, “për moralin e tyre në mbrojtje të atdheut” e harruan dhe filluan ta rjepin po atë atdhe sikur të ishte i huaj.

Nga barkcullakët vishkull nga paslufta, të gjithë me vila, shtëpi, banesa, tokë me qindra hektarësh, pushimore, jo vetëm në Brezovicë, por edhe në bregdet, përflitet, çak edhe në Dubai.

Dardani, nuk po mund të besoj se je aq e varfër kur të gjithë këta korba të zi t’u kanë lëshuar mbi trupin tënd mbi të cilin u hodhën hordhitë dhe soldateskat serbo-sllave për t’i pushtuar pasuritë tuaja dhe duke ushtruar gjenocid me shekuj, deshën ta shfarosin dhe ta djegin me themel, por, ja që ende toka dardane është aty anipse qyqet e natës e të mjerët e këtyre trojeve u lëshuan si bishat për ta hangër mishin deri te kockat.

Më shkon mendja se po të konfiskohej e tërë pasuria e tundshme dhe e pa tundshme, nuk do të gaboj se Dardanisë mund t’i rritet buxheti edhe deri në pesë miliardë euro.

Qeveria po lavdërohet se është rrit prodhimi. Ndoshta ka indikacione pozitive kryesisht nga doganat, sepse nuk e di se çka prodhohet nëse prodhohet diçka, por se është ndal hajnia, në këtë më shumë do të besoja.

Kur flasim pér moralin e udhëheqësit, ish luftëtarit të lirisë, siç po rrahin gjoks “komadantaët çlirimtarë të akuzuar disa nga ata edhe si vrastarë”, si mund të ndodhë që po ata të “ndershmit e të moralshmit” ranë në provim të imoralitetit, “patriotizmit” në njërën anë, e në anën tjetër, ai patriotizëm u shkri në vlerat e pasurimit dhe përfitimit në kurriz të po të atij populli “të cilin e çliruan, e udhëheqën me nder dh ia dhanë kahjen e turpshme drejtë gërmines”.

A ka ndonjë komunë në Dardani, e cila nuk është e përfshirë në skandale e afera të llojllojshme si ato, korruptive, në ndarjen e drejtësisë, në  gjyqësi, prokurori, hetuesi, nepotizëm, pabarazi sociale, dhe po të njëjtit sot, pa kurrfarë pafytyrësie publikisht akuzojnë të ndershmit dhe të pa korruptuarit, luftëtarët e këtyre sulmeve e përdorin si filozofi dhe metodë perfide e mbrojtjes duke e sulmuar qeverinë, para se ajo t’i sulmojë me të drejtë dhe me fakte keqbërësit e asaj që duket e nuk mund të mbrohet apo justifikohet.

Kudo që të hapësh një derë për të zbuluar diçka që është grumbulluar me vite, dalin të pa besueshmet dhe të paparamenduarat qe të shokojnë, sepse po mos të ndodhte ky ndryshim, i cili tmerrësisht sulmohet nga opozita e korruptuar deri në fyt si rezultat i qëndrimit në pushtet për njëzet vite, e cila ishte dorë e zgjatur e pushtetit dhe bashkëpunuese, njëherit edhe bashkëfajtore e bashkëpërgjegjëse për të gjitha këto skandale e afera që po dalin në shesh përditë e që janë shokante.

Merreni me mend, ata të cilët ishin përgjegjës për t’i parandaluar këto dukuri, në të vërtetë, përmes mitos, i  ndihmuan këto dukuri të cilat vërtetë nuk dihet se kur do t’u vie fundi, sepse fatkeqësisht është përfshirë një pjesë e gjerë e shoqërisë, kryesisht të pamoralshmit që u pajtuan që përjetësisht mbi supet e imoralitetit të tyre ta bartin këtë dëmkë deri në amshim, por edhe pas.

Kjo qeveri, në mandatin e parë të saj, i bie që asgjë tjetër mos të punojë vetëm duke tentuar, t’i pastrojë bërllogjet e të gjitha mbeturinave njëzet vjeçare, e tek në mandatin e dytë, t’ia fillojë punës së saj në realizimin e premtimeve, të cilat, tani po e vërejnë se sa ishin “naive” pasi, nuk e kanë pasur idenë se në çka do të hasin.

Kjo është e “mirëseardhur” për opozitën, e cila don “ta bind” popullin se janë të mashtruar. Harrojnë se për njëzet vjet, i mashtruan, i vodhën, ua nxinë jetën dhe përseri “mburrën” me qeverisjen e tyre.

Tani, miku i ynë, kampioni i demokracise dhe luftëtari i dukurive shëmtuese e të dëmshme për shoqëritë në tranzicion, për udhëheqësit autokratë e gjakpirës ndaj popullit të vetë dhe të rrezikshmit për fqinjët dhe popujt tjerë në Ballkan, filloi fortunë me listat e zeza si masë parandaluese dhe ndëshkuese për t’u ndihmuar atyre vendeve në të cilat, nuk funksionon demokracia, sundimi i ligjit dhë institucioni i përgjegjësisë, pa marrë parasysh postin, pozitën apo edhe vendin e thjeshtë të punës, duke ua bërë me dije se para drejtësisë nuk bëhen seleksionime. Seleksionimi do të bëhet vetëm për formën, peshën dhe lartësinë e peshës së përgjegjësisë.

Fatkeqësisht, para syve të popullit të cilit ia mbyllën me dhunë, kërcënime e shantazhime jo humane e jo njerëzore, shantazhimi social si metodë më brutale për t’i mbajtur nën dhunë e kontrolł, ishte ajo siç e theksonte Gandi se “skamja ndaj njeriut, është terrori më i madh”.

Tani, kullakët e “çlirimtarët”me pagesë pasi po ua fakturojnë “pjesëmarrjën në luftë“ duke ua kërkuar që ta heshtin dhe pranojnë pasurimin e tyre të vjedhur si normal, sepse ata atë “e meritojnë”.

Po të tjerët që ranë hero, ata që janë invalidë të luftës, të cilët jetojnë në kufij të ekzistencës deri te vetëvrasja ose vetëvarja.

Pse u harruan dhe u lanë pas dore? Thjeshtë u injoruan po nga ata që erdhën në pushtet me dhunë duke vrarë oponentë politikë, njëherit “eprorë” të tyre, iu shua morali i atdhatarisë, i lirisë e i pavarësisë, ama qëllimi ishte pushteti, pasurimi me metoda më të vrazhta edhe përmes haraqit vetëm të sendërrohen në milionerë e ta shfaqin diturinë e tyre naive e fshatareske pa i përfill ligjet, kushtetutën dhe detyrat, për të cilat gjoja idhin ardhur në pushtet me “votën e lirë”, e cila u doli për hunde.

Kur e gjithë bota demokratike i sheh këto deformime megalomane në një shtet të vogël si Dardania, si të mos hezitojnë të na i liberalizojnë vizat që të jemi të barabartë me popujt tjerë për të lëvizur të lirë, për t’u arsimuar e punuar atje ku mund ta ngrisin standardin e dëmtuar tash e njëzet vite.

Qeveria, për t’ia arritur këtij qëllimi hyjnor, duhet t’i pastrojë prokuroritë në nivel të shtetit, Këshillin Prokurorial, gjithashtu në nivel të shtetit, sepse, ata po paraqiten pengesa kryesore për zbatimin e ligjit, për realizimin e vetingut, sepse, po këta ishin të vendosur në ato poste për të heshtur ndaj këtyre deformimeve, për të penguar zbulimin e tyre dhe për të ndërmarr masa të duhura ligjore.

Se këta ishin bashkëpunëtorë dhe bashkë autorë në të gjitha këto dukuri fatale për shtetin e shoqërinë, do ta vërtetoni tani kur të zbulohen vilat dhe pasuritë tjera që i përfituan si bashkëpunues në metodat deformative shoqërore.

Qeveria, duhet të jetë e pa mëshirshme në përdorimin e ligjit ndaj kësaj kategorie të pushtetarëve si hallka kryesore e zingjirit shtetëror të mundësimit të këtyre devijime vet shkatërruese.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat