Politikanë, çdo mëngjes kujtojeni Reçakun!!!

Opinione

Politikanë, çdo mëngjes kujtojeni Reçakun!!!

Faton Mehmeti, Bota sot Nga Faton Mehmeti, Bota sot Më 16 janar 2022 Në ora: 13:41
Foto ilustrim

Çdo herë kur vjen 15 janari kuntohet Reçaku. Ishte po 15 janari i vitit 1999, me të filluar viti i ri, Serbia kreu njërin ndër krimet më të tmerrshme. Mëngjesi i 15 janarit e gdhiu Reçakun nën rrethim të ushtrisë dhe paramilitarëve serbë. Nuk kursyen askënd, të rinj e fëmijë, të tërbuar nga betejat e humbura me çlirimtarët në malet e Kosovës, korbat u vërsulën mbi fëmijët, pleqtë, duke vrarë 45 civilë shqiptarë. Këtë mund të bëjë vetëm barbaria e Serbisë, që paturpësisht s'ka as ndërgjegjen minimale të pranojë një realitet që gjithë bota e di.

Kjo ngjarje do të kthehet në njërën ndër krimet më çnjerëzore që kanë ndodhur në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Pas krimit, barbarët serbë ishin munduar që të fshihnin ngjarjen sikur s'ka ndodhur asgjë, me tendenca maksimale për ta paraqitur si “vrasje e terroristëve”.

Kjo propagandë e tyre edhe mund të ishte besuar qoftë pjesërisht nëse ish shefi i OSBE-së William Walker s'do të arrinte në kohë rekord në vendin e krimit. Tanimë miku i madh i shqiptarëve, mbi të gjitha zëri i të vërtetës z.Walker, i trishtuar nga ajo që pa, ngriti sirenat e alarmit për krimin çnjerëzor që kishte ndodhur. Bota reagoi fuqishëm çka solli edhe bombardimet e NATO-s.

Edhe pas 23 viteve të kësaj ngjarje, Serbia ende nuk ka reflektuar. Për më tepër, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, para pak kohësh masakrën e Reçakut e cilësoi fabrikim të shqiptarëve. Të njejtën gjë e përsëriti edhe ministri i Vuçiqit,  Aleksander Vulin. Për një deklaratë të tillë një gjykatë në Kosovë e dënoi me dy vjet burg ish-ministrin në qeverinë e Kosovës Ivan Todosijeviq, nga Lista “Srpska”, i cili në një tubim në veri të Mitrovicës, po ashtu masakrën e Reçakut e cilësoi trillim të shqiptarëve dhe bashkësisë ndërkombëtare.

“Të gjithë anëtarët e Listës Serbe do të përsërisin të njëjtën gjë dhe unë e përsëris tani, krimin e fabrikuar në Reçak, ku gjithçka u falsifikua nga ai mashtrues me flokë të bardhë, William Walker”, kishte deklaruar në Beograd Vuçiq.

Wiliam Walker i cili ia ka kërkuar që presidenti serb të zgjohet, duke thënë se ai e di të vërtetën për atë se çka ka ndodhur gjatë luftës.

“Nuk e di se ku bazohet ai. Më duket e çuditshme, se si 21 vjet pas flasin ende për mua në Beograd. Në ato mënyra më ka përshkruar edhe Millosheviq. Besoj se ishte ministër i informimit apo diçka e tillë në kohën e Millosheviqit. Pra, ai është politikan i llojit të Millosheviqit”, thotë Walker. I njëjti tutje, ka ironizuar me Vuçiqin, duke e krahasuar atë me njerëzit që besojnë se toka është e rrafshët.

“Ka njerëz në këtë botë, që përkundër të gjitha provave apo shkencës, besojnë që toka është e rrafshët. Ne ishim në Hënë dhe pastaj filluan të dyshojnë se ne kemi shkuar atje. Ky për mua është Vuçiq”.

Këto deklarata tregojnë shumë mirë se kush është Vuçiqi i cili me Hashimin dhe Edi Ramën bënin pazare për të shitur vendin tonë. Edhe vetë presidenti serb si dhe krejt bota e dinë të vërtetën e kësaj ngjarje, e cila ende kullon gjak. Duhet theksuar atë që edhe miku ynë Walker deklaroi se “Ai ishte pjesë e komandës” duke aluduar në Vuçiqin, dhe këtë nuk duhet të harrojë askush që do të shkojë të bisedojë në Bruksel, s’duhet të harrojë se Vuçiqi ishte pjesë e qeverisë së Millosheviçit.

Reçaku është e vërteta e Serbisë dhe cilido shqiptar nga Kosova që duhet të shkojë në bisedime me Serbinë së pari duhet të kujtojë Reçakun, ato atë që z. Walker e cilëson “një akt makabër nga forcat Serbe”.

Gjaku i fëmijëve të kësaj masakre, por edhe të të tjerave, duhet të jetë zëdhënës i ecjes tonë përpara. Nuk duhet të hakmerremi por as të harrojmë, gjaku nuk humbet kurrë.

Edhe me të dhimbshme Masakrën e Reçakut e bën keqqeverisja e politikanëve shqiptarë me vendin, ata nuk kanë bërë asgjë që të nderojnë të rënët, të ngrinin aktakuza ndaj të përfshirëve në këtë krim. Çdo politikan në institucione të vendit, çdo mëngjes duhet ta kujtojnë Reçakun, Prekazin…arsyeja pse ata u flijuan, që të gjallët për të jetuar të lirë dhe të ndershëm.

Reçaku është fytyra e vërtetë e Serbisë, dhe turp për politikanët e Kosovës, që dështuan të përmbushnin amanetin e të rënëve. Me shpresën se tani e tutje do mendojnë më shumë për popull, e më pak për veten, qeveria aktuale jep shpresë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat