Injorimi i Reçakut nga qeveria shqiptare është anti-humanizëm!

Opinione

Injorimi i Reçakut nga qeveria shqiptare është anti-humanizëm!

Prof. Dr. Enver Bytyçi, Bota sot Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi, Bota sot Më 17 janar 2022 Në ora: 16:07
Reçak

Reçaku ishte pikëtakimi i autoriteteve të Kosovës me rastin e 23 vjetorit të masakrës serbe me të njëjtin emër, në të cilën humbën jetën 45 shqiptarë të pafajshëm e të pambrojtur, midis tyre fëmijë e të moshuar. Ishte ambasadori, William Walker, ai që zbuloi para botës së civilizuar mizorinë e ushtrisë dhe policisë serbe kundër shqiptarëve në Reçak të Shtimes, midis Prishtinës dhe Prizrenit.

Kjo ngjarje u shënua dhe u përkujtua në Reçak e në Prishtinë nga ambasadori amerikan, Xhefrey Hovenier, si dhe disa ambasada të tjera në Prishtinë, si ambasada gjermane, franceze, britanike dhe italiane. Të gjithë njëzëri shënuan përkujtimoren e tyre me veneracion për sakrificën e shqiptarëve për liri dhe bënë thirrje që kjo masakër të kujtohet, për të mos u harruar kurrë. Ideja ishte dhe mbetet që konfliktet në Kosovë dhe në rajon t'i mbeten së kaluarës e të mos përsëriten më.

Sigurisht që kujtesa historike shërben e duhet të shërbejë për të parandaluar përsëritjen e ngjarjeve të hidhura të saj. Masakra e Reçakut është një nga ato ngjarje që na bën të kthjellohemi, ta mbrojmë paqen dhe të kujdesemi për të. Sepse viktimat e pafajshme të 15 janarit 1999 na thërrasin për kujdes dhe përkushtim të vazhdueshëm në funksion të stabilitetit, lirisë, sigurisë dhe paqes.

Megjithatë Tirana zyrtare qeveritare heshti për Reçakun. E përkujtuan atë presidenti i vendit, zoti Meta, dhe kryetari de facto i opozitës, Doktor Berisha. Por asnjë fjalë nuk e thanë e asnjë rresht nuk e shkruan kryeministri i Shqipërisë dhe ministrja e Punëve të Jashtme. Kjo heshtje e një lloji krejt të veçantë është e pajustifikueshme, e pamendueshme, madje e dënueshme për nga pikëpamja e qasjes së qeverisë shqiptare ndaj vlerave universale dhe atyre kombëtare. Nuk ka qeveri në botë që nuk e konsideron krim të shëmtuar kundër njerëzimit një masakër të tillë, si ajo e Reçakut.

Ndërkaq ajo masakër, falë rolit të ambasadorit Walker, shënoi pikën e kthesës vendimtare në zgjidhjen e konfliktit të Kosovës. Menjëherë pas kësaj sekretarja e Shtetit Albright udhëtoi në kryeqytetet evropiane dhe në Moskë, prej ku aranzhoi organizimin e Konferencës së Rambujesë afër Parisit. Konferenca e Rambujesë dhe refuzimi i Millosheviçit për të pranuar paqen, u bënë shkak i bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë. Ndërhyrja e Aleancës Atlantike në Kosovë solli lirinë dhe pavarësinë e saj. Gjithçka nisi atë ditë dimri të 15 janarit 1999. Diplomacia euro-atlantike prej këtij momenti u shndërrua në një diplomaci imponuese, deri te përdorimi i forcës ushtarake.

E megjithatë Edi Rama zgjodhi të heshtë në këtë ditë të shenjtë për Kosovën dhe kombin shqiptar. Vendosi ta injoorojë përkujtimin e një ngjarjeje si Masakra e Reçakut, me të cilën u cënuan gjithashtu vlerat e njerëzimit e të civilizimit euro-atlantik. Ai heshti vetë personalisht dhe urdhëroi gjithashtu ministren e tij gjithashtu ta injorojë Masakrën e Reçakut. Kjo sjellje politike dhe anti-humane e bën qeverinë shqiptare edhe njëherë aleate të Serbisë dhe shpërfill viktimat e dhunës serbe të Milosheviçit, Vuçiqit dhe Daçiqit në Kosovë para 23 vitesh!

Të gjithë shqiptarët e njohin tashmë lidhjen e ngushtë që kanë krijuar midis tyre kryeministri i Shqipërisë dhe presidenti i Serbisë. Por askush nuk kishte menduar se kjo lidhje do të shkonte deri te mohimi i gjenocidit serb kundër shqiptarëve. Asnjë lloj imagjinate nuk ka mbërritur deri atje sa të besojë se Edi Rama, në rolin e shefit të ekzekutivit shqiptar, të mohojë Masakrën simbol të Reçakut nga frika se e mërzit mikun e tij në Beograd, Aleksandër Vuçiq. Kryeministri Rama shkruan në Twitter edhe për pesë kokrra domate që i blen në treg, por nuk gjeti kohë dhe arsye të shkruajë e përkujtojë Masakrën e Reçakut, këtë njollë të zezë në historinë e konfliktit midis shqiptarëve dhe serbëve, midis Kosovës dhe Serbisë!

Ne duhet ta dimë tashmë se e gjitha ka ndodhur për një arsye. Arsyeja kryesore është solidarizimi i Edi Ramës me mohimin që i bëjnë Masakrës së Reçakut liderët politikë të Serbisë! Ndërkohë kjo bëhet që Beogradi të ruajë pozicionin superior të tij në dialogun me Kosovën dhe të mund të përfitojë nga ky dialog. Ky është një premtim i zotit Rama ndaj zotit Vuciq. Ky premtim u paralajmërua që atë ditë nëntori 2014, kur kryeministri ynë bëri me lejen e Vuçiqit deklaratën që Serbia ta njohë Kosovën. Ishte uvertura e një veprimtarie të mirëkoordinuar anti-shqiptare e në veçanti kundër Kosovës. Të gjitha veprimet e tjera më vonë e dëshmuan këtë.

Fillimisht Rama mori në mbrojtje Ivo Andriçin dhe veprën e tij për shpërnguljen e shqiptarëve. Më pas u pasionua me regjisorin e Milosheviçit, Kosturica si dhe Bregoviçin e të tjerë. Përktheu në serbisht dhe botoi gjithashtu librin e tij "Kurbani" në Beograd! Më tej përpunoi së bashku me presidentin serb skemën e ndarjes së Kosovës dhe tani është bashkuar në projektin e Jugosllavisë së Re me emrin Open Balkan. Të gjitha këto projekte bashkëpunimi të qeverisë shqiptare me qeverinë dhe presidentin serb e kanë shtyrë Edi Ramën t'i kundërvihet çdo të drejte që përpiqen të ushtrojnë institucionet e Kosovës në raport me Beogradin.

Kjo lidhje kaq e ngushtë Rama-Vuçiq është një lidhje pengmarrëse dhe e paprecedentë. Ndaj shkon deri te inhumaniteti i kryeministrit dhe qeverisë shqiptare të mosrespektit ndaj viktimave të gjenocidit serb në Kosovë. Injorimi i Masakrës së Reçakut është vetëm njëra nga dëshmitë e këtij realiteti. Rama ka mohuar gjithashtu gjenocidin në tërësi të Serbisë kundër shqiptarëve. Kur është pyetur për këtë nga gazetarët, ai ka thënë se "Për çfarë po flisni? Ne duhet të shikojmë nga e ardhmja"! Por asnjë popull në botë nuk e ndërton të ardhmen, duke harruar të shkuarën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat